Pyetje:
Para pak kohësh kam pranuar Islamin dhe nuk i di rregullat e marrëdhënieve të mia me familjen time. Di se Islami thekson respektin ndaj prindërve, pa marrë parasysh fenë e tyre. Por unë e kam fjalën këtu për familjen, për anëtarët e tjerë të familjes; a t’i ndërpres lidhjet e mia me ta? Para dy vjetësh jam martuar me një musliman dhe kjo ndodhi pasi e pranova Islamin. Prindërit e mi nuk ishin të shqetësuar për shkak të pranimit tim të Islamit. Por ata filluan të shqetësohen për ndryshimet që pësoi jeta ime. Megjithatë unë nuk i shkëputa lidhjet e mia me prindërit madje edhepse ato nuk silleshin mirë me burrin tim. Kohët e fundit prindi im ka filluar të sulmojë burrin tim, si me fjalë po ashtu edhe fizikisht. Kjo ndodh para meje (e gjitha kjo për shkak të mendimeve të kundërta që ka burri im me nënën time). Kam frikë se mos e dëmtojë burrin pasi e shtyu me forcë. Burri im më tha që të mos e vizitoj më familjen time nga droja që të mos ndodhë ajo që ndodhi. Çfarë më propozoni? Kam frikë se ata do të vazhdojnë përsëri kështu me burrin tim. Por i druhem edhe dënimit të All-llahut nëse ndërpres lidhjet e mia me familjen. Më këshilloni!
Përgjigje:
Nuk i lejohet muslimanit që të ndërpresi marrëdhëniet me familjen që i ka rahim (me ata që e ka të ndaluar të martohet me ta), për shkak të asaj se këta janë muslimanë e ata jomuslimanë. Të këshilloj që të shtosh dashurinë ndaj prindit tënd dhe të sillesh me moral të mirë me të, sepse një gjë e tillë do të shkaktojë që atij t’i hapet zemra ndaj burrit tënd. Por në fillim përdor urtësinë dhe vizito prindin me butësi dhe deri në masë të fundit t’i hysh në zemër, duke mos patur burri yt lidhje aty dhe më vonë situata do të zbutet.
Pyetje:
Si është dispozita e Sheriatit të punosh në Bufe siç veprohet në disa restorante ashtuqë myshteriu paguan një shumë të caktuar me të cilën i mundësohet të hyjë në atë restorant dhe pastaj ushqehet dhe shërbehet çfarë të dojë. Kështu veprojnë edhe disa lokale zbavitëse rekreative për fëmijë, ku fëmija paguan një shumë të caktuar dhe pastaj luan me cilëndo lojë të dojë. A ka në këtë dëmtim? Këto veprime, a mund t’i konsiderojmë njëlloj me tatimet që merren për të hyrë në parqet rekreative (të argëtimit)?
Përgjigje:
Kjo është si ajo që është bërë traditë (urf) të hyhet në banjot publike (hamamet) pa lidhur kontratë apo kushtëzim dhe sikurse veprimi i atij që qethet te rrojtorja pa kushtëzuar. Për gjithë këto juristët kanë diskutuar dhe kanë konstatuar se Urfi (tradita e përdorimit) zë vendin e kontratës. Pra, kështu është edhe me “Bufenë e hapur”.
Pyetje:
Shpresoj që të na sqaroni përkufizimin e “boshatisjes”[1] në ekonomi dhe çfarë dispozite ka në Islam.
Përgjigje:
“Boshatisje” nuk ka asnjëfarë arsyetimi në Sheriat, por edhe as arsyetim ligjor. Pra, nuk lejohet që të merret apo të jepet ndonjë pasuri kundruall asgjësë. Por mund t’i iket kësaj metode të palejuar në mënyrë që qiraxhiu të shesë ndonjë plaçkë që është aty bie fjala mobiljet me atë shumë që dëshiron kështu kjo lejohet edhe me Sheriat, edhe në mënyrë ligjore dhe kështu i iket pagesës për “boshatisjen” që nuk është e lejuar.
Pyetje:
A lejohet që dikush të dërgojë vizë për haxh dhe ai pastaj t’ia shesi dikujt tjetër që është i interesuar me një çmim të caktuar, bie fjala ajo të kushtojë 25 mijë lira siriane, e ky ta shesi 35 mijë lira siriane. Ky veprim, a është i dyshimtë?
Përgjigje:
Ky veprim nuk lejohet dhe nuk lejohet haxhi të kryhet në këtë mënyrë. Një gjë të tillë e kanë theksuar Fukahatë.
Pyetje:
A lejohet që mashkulli t’ia dhurojë dikujt njërin testis dhe si do të ishte çështja e shumimit pastaj?
Përgjigje:
Nëse jeta e atij që i dhurohet ai testis varet nga kjo gjë dhe vullnetari e di se jeta e tij do të vazhdojë në gjendje të zakonshme edhe pasi ta dhurojë atë, atëherë ky dhurim është i lejuar. Ndërkaq çështja e pasardhësve nuk ndikon në përkatësinë me këtë dhurim, d.m.th., fëmijët që do t’i lindin këtij që i është dhuruar testisi janë të tij.
Pyetje:
Kam lexuar librin tuaj “El Insan ve adaletu All-llah fil erd (Njeriu dhe drejtësia e All-llahut në sipërfaqen e tokës)”. E vërteta është se nuk kam fjalë me të cilat mund të shpreh emocionet e besimit që ka ngjallur tek unë libri juaj i shkëlqyeshëm dhe nderin e respektin që derdh zemra ime ndaj jush. All-llahu u shpërbleftë. Ky libër më ka nxitur të bëj disa pyetje, e ndër to është: Pyes për ata fëmijë që vuajnë nga paraliza ose mundime të tjera të mëdha, ose mungesa e të parit, të dëgjuarit etj. Këta nuk i kanë kuptuar as çështjet më të rëndomta të Fesë që të realizojnë kënaqësinë, bindshmërinë, botëkuptimin e dashurisë apo arsyen e nënshtrimit ndaj All-llahut. Pra, cila është urtia e mundimeve dhe sprovave të tyre kur ata nuk janë në gjendje të perceptojnë e të kuptojnë përveç se atë që është e ndijshme (shqisore) dhe nuk e kuptojnë veç se këtë skenë nga një dramë e madhe (siç e keni përmendur ju).
Përgjigje:
Ajo që merret në konsideratë janë emocionet që fshihen në zemër (shpirt), e jo pamja që shohin sytë e tu nga gjendja e njerëzve. Të jesh i bindur se All-llahu ka ndarë emocionet e kënaqësisë tek robërit e vet, siç ka ndarë edhe emocionet e mjerimit dhe brengave në masë shumë të madhe të barazisë, qofshin ata të vegjël apo të rritur. Ajo që merret në konsideratë nuk është pamja e jashtme xixëlluese e shkëlqyese që nxit (shkakton) në veten tënde zili, e as pamja mjeruese që të shkakton në zemër dhembshuri e mëshirë, por ajo që merret në konsideratë është ajo që shfaqet në zemër (shpirt), kurse kjo gjë është ajo me të cilën All-llahu e ka veçuar vetëm Veten e Tij.
Pyetje:
Kam lexuar në disa fetva se kartat me vlerë si: “Visa” “American Express”, të cilat jepen nga bankat me kamatë janë të ndaluara. Pyetja ime është si do të ishte çështja e tregtarit që merret me tregtimin e orendive shtëpiake, e i cili shumicën e myshterinjve (sidomos prej hebrejve dhe të krishterëve) i ka prej atyre që blejnë vetëm me kartat me vlerë të përmendura. Pra, si është puna e këtij tregtari që të punojë me këto karta?
Përgjigje:
Kartat me vlerë që mbajnë vlerë pasurie, e të cilat përdoren për marrëdhënie tregtare (biznes) për lehtësim të myshteriut dhe shitësit, përdorimi i tyre nuk ka ndonjë problem. Ndërkaq përsa i përket asaj që banka, e cila i lëshon këto karta vepron me kamatë, duhet të theksoj se çështja e saj që vepron me kamatë, nuk kalon në ndalimin e përdorimit edhe të kartave me vlerë.
Pyetje:
Më ka pyetur një vajzë e re nga Suedia: Cila është urtia e ndalimit të kumarit? Unë u mundova me njohuritë e mia të pakëta t’ia shpjegoj, por përgjigjja ime nuk ishte bindëse dhe racionale?
Përgjigje:
Nëse njeriu nuk bindet për dëmet shoqërore dhe edukative e shpirtërore (psikologjike) të kumarit, atëherë gjithashtu ai nuk bindet edhe në shumicën e gjërave të pacënueshme të Islamit. Një gjë e tillë është shumë e çuditshme!
Pyetje:
U drejtohem me këtë letër kurse goja ime është e paaftë të përshkruaj atë që kam në brendinë time prej largimit tim nga All-llahu dhe gjynahet e mëdha që kam. Unë shikoj gjëra që i ka ndaluar All-llahu në kanalet satelitore dhe internet. Këtë e bëj duke e ditur se është e ndaluar (haram) dhe se All-llahu nuk është i kënaqur me këtë. Falem, agjëroj dhe fal pesë kohët me xhemat, ndjek derset (ligjëratat nëpër xhami). I premtoj All-llahut se do t’i lë ato, por kur mbetem vetëm e hap internetin dhe shikoj faqet e fëlliqura pornografike, si dhe shikoj filma pornografike në kanalet satelitore. Çdo ditë e di se një gjë e tillë është haram dhe bëj teube (pendim), por sa vjen nata përsëris të njëjtat punë. Edhe lexoj, por nuk hyn gjë në kokën time dhe kam frikë se po më vjen çasti i vdekjes e të më gjejë në këtë gjendje. Kërkoj këshillë prej jush!
Përgjigje:
Shërimi yt është që ta shtosh lutjen dhe kthimin tek All-llahu sidomos në kohët specifike si koha e sehurit (syfyr) etj. Kurse ilaçi i dytë i yti është të bësh istigfar (të kërkosh falje nga All-llahu duke thënë Estagfirull-llah) 100 herë, të bësh tesbih (të thuash subhanell-llah) 100 herë dhe të bësh salevat (të thuash All-llahume Sali ala Muhammedin …) 100 herë. Nëse vazhdon kështu me këtë gjë, do të gjesh shpëtim dhe dalje nga ajo që thua.
[1] Me fjalën “boshatisje” është për qëllim që njeriu, i cili ka marrë ndonjë lokal apo shtëpi me qira dhe kur pronari i lokalit apo shtëpisë kërkon që qiraxhiu t’ia lirojë lokalin apo shtëpinë, atëherë qiraxhiu e kushtëzon pronarin që për boshatisjen e lokalit apo shtëpisë t’i paguajë një shumë parash.