Pyetje:
A është në rregull të besohet mundësia që All-llahu të gënjejë? Nëse nuk është në rregull, atëherë si është dispozita e atij që shkruan dhe vepron një gjë të tillë si dhe ata që thërrasin në këtë ide?
 
Përgjigje:
Njeriu i mençur e që beson All-llahun, nuk mund të thotë për All-llahun se Ai mund të gënjejë! Ai që e beson një gjë të tillë, është njësoj si ai që e mohon All-llahun Fuqiplotë.
 
 
Pyetje:
Vazhdoj t’i drejtohem All-llahut me lutje dhe mundohem ta zgjedh kohën e përshtatshme dhe fjalët e përshtatshme, por kurgjë nuk po ndodh. A do të thotë se All-llahu nuk është i kënaqur me mua? Unë e di se duhet që të pres, por dua të di, a është All-llahu i kënaqur me mua si muslimane e mirë?
 
Përgjigje:
All-llahu pranon lutjen e robit derisa ai nuk shpejton dhe nuk thotë: jam lutur, por nuk më është përgjigjur. Dije se Ai të ka premtuar se do të përgjigjet në kohën kur Ai do, e jo në kohën kur ti dëshiron dhe ajo në mënyrën që Ai do, e jo në mënyrën që ti dëshiron.
 
 
Pyetje:
Unë jetoj dhe punoj në Holandë që prej 30 vjetësh e deri tani. Kam paguar shumë qira për apartamentin tim. Tani jam martuar dhe kam dy fëmijë. Për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje dëshiroj të blej një banesë, jo për luks. As që dua ta blej, apo që ta shes atë e të fitoj, por dua të jetoj aty deri në vdekje. Dëshiroj që ju të më tregoni, a më lejohet që të blej dhe pagesa të bëhet me kredi në bazë të hipotekës (normal kjo ka kamatë)? Çfarë të bëj?
 
Përgjigje:
Nuk lejohen transaksionet me hua me kamatë, ose me gjëra të tjera përveçse në raste të nevojës ekstreme. Kurse ti e di, a je në këtë situatë, apo nuk je?
 
 
Pyetje:
Punoj në një kompani private ku aty nuk ka as sigurime shëndetësore, ose shoqërore. A më lejohet mua që të regjistrohem në sigurimet shoqërore?
 
Përgjigje:
Nëse nuk ka kamatë, nuk ka ndonjë pengesë.
 
 
Pyetje:
A është e vërtetë se për ne muslimanët e vitit ‘48 ka dispozita të veçanta siç supozojnë shumë njerëz dhe këto për shkak të kushteve tona të veçanta, të cilat ju i dini mirë? Cilat janë rregullat pas të cilave duhet të shkojmë që të mos e humbim busullën, e të humbasim rrugën? Shumica këtu kryejnë vepra që janë në kundërshtim me Sheriatin dhe që nuk i takojnë muslimanit (saqë këto gjëra kanë filluar të pasqyrohen në moralin e të rinjve). Nëse ndonjërin prej tyre e këshillon, e sheh se ai e refuzon këshillën, duke e arsyetuar këtë se dispozitat e sheriatit nuk vlejnë dhe nuk zbatohen në kushtet tona ku jetojmë dhe se është e rëndë që ne t’i zbatojmë pasiqë nuk jemi shtet islam, madje ne edhe nuk jetojmë edhe në shtet jo-islam (bie fjala në shtetet evropiane). Prej punëve të cilat këtu kam për qëllim janë veprimet me kamatë me bankat, mbushja e llotarive me të gjitha llojet, kopjimi i cedeve (cd), programeve kompjuterike dhe shitja e tyre, mbështetja në papunësi për të marrë ndihma sociale për të papunët, edhepse ata punojnë dhe kanë rrogë mujore (disa – madje shumica e tyre) lënë punën edhepse mund të punojë me qëllim që të marri ndihma sociale.
 
Përgjigje:
Dispozitat e sheriatit islam e ndjekin muslimanin kudo që ai të jetë. Kurse prej këtyre dispozitave është: Nevoja ekstreme bën që të lejohen të ndaluarat dhe lejimet që janë të caktuara e të njohura. Pra, këto dispozita në përgjithësi nuk kanë vatan të caktuar. Muslimani detyrohet t’i zbatojë kudo që të jetë.
 
 
Pyetje:
Kam studiuar xhirimin në institutin e arteve dhe ky ishte fati im pas shkollës së mesme. Më pas jam punësuar në një Kompani private që merret me prodhimin e punëve të artit. Këtu punova 4 vite me radhë si kameraman. Pastaj kalova në fushën e produksionit ku kam punuar si ndihmues. Ende synimi im është që ta mësoj produksionin jo për të nxjerrë prodhime artistike të njohura si të ditëve të sotshme, por që të hulumtoj punë qëlluese, edukative apo fetare. Gjatë gjithë kësaj kohe unë po zvarritem, megjithëse arti nuk ka mundur ende që të më tërheqi në lajthitjet e tij, edhepse jam në mesin e tyre. Por unë vazhdimisht veproj me një mënyrë diplomatike për t’u ruajtur nga ata dhe ta kryej punën time. Elhamduli-lah jam i rregullt në namaz dhe nuk bëj lëshime në ibadetet e mia. Kjo është e vetmja punë që njoh dhe kjo punë është burimi i furnizimit tim, gruas dhe fëmijës tim. Pra, puna ime si ndihmës xhirues, a është haram? Edhepse qëllimi im është që të mësoj xhirimin kurse një gjë të tillë është e rëndë dhe e shtrenjtë nëse nuk punoj në këtë mënyrë. Pra, doemos duhet të ushtrohet nën duart e njeriut që është prodhues i specializuar e i aftë.
 
Përgjigje:
Dispozita e kësaj varet nga lloji teknik që prodhon si ndihmës i xhiruesit. Pra, nëse është i arsyeshëm me sheriat islam, atëherë nuk ka pengesë, por nëse jo, atëherë është haram.
 
 
Pyetje:
Kam një mixhë, gruaja e të cilit ka lindur një fëmijë para kohe. Fëmija e ka shpinën të hapur dhe ka difekt në nervat e tij. Mjekët thonë se ky do të vdesë pa operacion, bile edhe pas operacionit mundësitë për të jetuar janë 50%, por edhe nëse jeton gjysma e poshtme e tij do të jetë e paralizuar. Ndërkaq prindi i fëmijës nuk zotëron aq pasuri për operacin. A lejohet që ta lëmë ashtu pa operacion e të vdesë, apo ta vdesim ne (me injeksione)?
 
Përgjigje:
Nuk lejohesh të bëhesh shkaktar i vdekjes së tij. Kurse sa i përket operacionit të tij kjo i lihet vendimit të prindërve.
 
 
Pyetje:
Në Insbruk ka më tepër se një xhami, por të komuniteteve të ndryshme. Ka edhe një xhami me qira që është e komunitetit arab. Vëllezërit këtu deshën para një viti të blejnë një xhami, por ndihmat që mblodhën nuk janë të mjaftueshme, kështu që komisioni i ngarkuar me këtë punë ka kërkuar kredi nga një bankë për ndërtimin e kësaj xhamie. Por kjo temë ishte thelbi i një përçarjeje midis atyre që janë kundër kamatës për të cilën gjë All-llahu Fuqiplotë kërcënohet me luftë dhe atyre që e shohin një gjë të nevojshme dhe me interes. Vendi i ri i xhamisë u ble me kredinë e bankës dhe me ndihmat që u mblodhën. Njerëzit këtu u ndanë në dy tabore. Njëri thotë se nuk do të shkojnë për t’u falur në atë xhami që nuk është e ndërtuar me devotshmëri, kurse tabori tjetër ka mendim të qartë, ecin me kohën. Këta kanë kërkuar përgjigje nga Ez’heri, të cilët u kthejnë përgjigje se kredia është hallall dhe nuk ka asnjë problem aty, duke u mbështetur në parimin e nevojës, por e vërteta është se nevoja jonë, është sikurse e atij që dëshiron një shtëpi për pronësim me qëllim që ta ngrejë çmimin e qirasë. A lejohet kjo shitje dhe a lejohet namazi në këtë xhami, e cila është ndërtuar me pasuri që mban kamatë?
 
Përgjigje:
Nuk lejohet blerja e një ndërtese për ta shndërruar në xhami nëpërmjet kamatës dhe kjo sipas vendimit të njëzëshëm (ixhma) të muslimanëve. Kjo nevojë që kërkon një gjë të tillë, nuk është e konsiderueshme.
 
 
Pyetje:
Si thoni që të shkruhet Kurani me shafran dhe me ujë trandafili dhe pastaj të laget me ujë dhe pastaj të pihet si rukje (shërim), ose si mbrojtje, apo për ta forcuar kujtesën? Dhe pse shafrani dhe uji i trandafilit?
 
Përgjigje:
Bartja e ajeteve të Kuranit për bereqet është e ligjshme dhe një gjë e tillë është një lloj prej llojeve të rukjes së ligjshme. Kurse të shkruhen ajetet me shafran dhe të ngjashme dhe lagia e tyre me ujë etj., është bidat që nuk përputhet me sheriatin dhe me rregullat e rukjes.
 
 
Pyetje:
Së pari: A është haram bakshishi që i jepet kamerierit në restorant nëse ai gjatë tërë kohës më shërben pa ma kërkuar një gjë të tillë?
 
Përgjigje:
Po lejohet t’i jepet kamerierit dhe një gjë e tillë është veprim i mirë.


 
Pyetje:
Unë elhamduli-lah jam një rob musliman që falem, por kam mungesë kontakti me All-llahun nga ana shpirtërore me përjashtim kur kam situata të rënda. Shpresoj prej jush që të më udhëzoni se si të bëhem prej atyre që janë vazhdimisht të lidhur me All-llahun Fuqiplotë, lidhje kjo që nuk mund të matet me asgjë!
 
Përgjigje:
Kjo arrihet duke e shpeshtuar të përmendurit e All-llahut (duke bërë dhikër) sidomos herët në mëngjes dhe natën, duke lexuar Kuran, duke u larguar nga ngrënia e haramit dhe duke mos u shoqëruar me njerëzit e këqij.
 
 
Pyetje:
Jam një vajzë e re e martuar. Jeta ime ishtë e mbushur me devotshmëri kurse burri im është thirrës në nivel familjar dhe të shoqërisë. Ai ishte kështu deri kur bleu një kompjuter dhe u bëmë pjesëmarrës në internet. Nga kjo kohë filluam të përjetojmë kundërshtime që nuk i kemi patur më herët. Papritmas zbulova se ai ishtë anëtar në web-faqet amorale dhe shpreson që unë t’u ngjaj atyre vajzave, por mua nuk më le turpi ta bëj një gjë të tillë. Krahas kësaj ai ka filluar që të afrohet me shokë të këqij dhe të harrojë shokët e devotshëm. Ai më do mua, por ai nuk ndjen se unë atë e dua sepse unë nuk e befasoj atë me gjëra… Çfarë të bëj. Unë i frikësohem All-llahut që ai të më marri në llogari për veprimet e mia. Por unë po betohem se mundohem të jap gjithë atë që mundem për ta kënaqur, për të fituar kënaqësinë e All-llahut dhe për të arritur dashurinë e burrit tim.
 
Përgjigje:
Lus All-llahun që ta udhëzojë atë e ta përudhë, po ashtu edhe ti lutu. Këshilloje atë, kujtoja vendimin e All-llahut dhe sillu me të me butësi. All-llahu është i mundshëm që ta udhëzojë atë.
 
 
Pyetje:
Vajzën time e kam emërtuar “Sidra”. Ajo tani është tre vjeçare. Më është thënë se shumë hoxhallarë e kanë ndaluar një emër të tillë dhe nuk e di për çfarë arsye dhe se emri e dëmton atë. Sa është e vërtetë një gjë e tillë?
 
Përgjigje:
Zgjedhja e emrit të foshnjes i lehet dëshirës së prindërve dhe shijes së tyre (me përjashtim të emrave që janë emra fetarë të feve të tjera, të cilët kanë kuptime që përfaqësojnë besimet e tyre, vër. e përkth.). Por është e pëlqyer dhe e preferuar që prindërit të zgjedhin për fëmijët e tyre emra të dashur që kanë kuptime të mira e që nxisin optimizmin.