Pyetje:
Çfarë do t’u këshillonit familjeve muslimane në Francë përsa i përket arsimit?
 
Përgjigje:
I këshilloj që të ndërtojnë për fëmijët e tyre shkolla të llojit “Full time (me kohë të plotë)”, siç veprojnë çifutët për edukimin e fëmijëve të tyre.
 
 
Pyetje:
Jemi një grup shoqesh që punojmë në disa ndërmarrje private: hotele, fabrika dhe byro private. Në këto vende pune nuk na mundësohet të jemi me mbulesë (hixhab). Krahas kësaj edhe kemi kontakte të shumta me burra si me punëtorët apo klientët, ju e keni parasysh atë që dua të them? Si është gjykimi juaj për këtë situatë që jemi?
 
Përgjigje:
Sipas sheriatit nuk të lejohet të punosh e të jesh në marrëdhënie pune ku detyrohesh të shkelësh urdhërat e All-llahut. Heqja e hixhabit është prej harameve (gjërave të ndaluara). Njëkohësisht edhe kontakti i tepërt me burrat është i ndaluar sidomos kur je pa hixhab. Prandaj unë të këshilloj që të kërkosh ndonjë punë tjetër që nuk bie ndesh me sheriatin dhe me normat e tij.
 
 
Pyetje:
Në vendin tonë bujqit lidhin kontrata me kombajnerët. Kështu këta pagesën e tyre e marrin me të korra (përafërsisht një të pestën e të korrave). Pyetja është se këta bujq, kur duhet ta bëjnë llogarinë e dhënies së zekatit pasi t’ia japin kombajnerit pagën që i takon apo para?
 
Përgjigje:
Do ta bëjnë llogarinë e zekatit pasi të heqin atë pjesë që duhet t’ia japin atij.
  
 
Pyetje:
Jam një musliman që para dy javësh kam arritur në Kanada. Shumica e vëllezërve këtu merren me kamatë dhe nuk i kushtojnë rëndësi rasteve të nevojës, e sidomos për blerjen e banesave nëpërmjet bankës me këste dhe kamatë. Shpresojmë që ju të na përgjigjeni dhe si mundem t’i këshilloj ata që janë ngatërruar qysh më para dhe dëshirojnë të tërhiqen? Si të veprojnë, pasiqë bie fjala të kenë paguar gjysmën e shumës?
 
Përgjigje:
Çdo musliman e di se kamata me të gjitha format e saj është haram me përjashtim kur janë të detyruar (nevojës ekstreme). Kurse ai që është ngatërruar me një gjë të tillë, bie fjala, gjegjësisht të ketë miratuar kontratën dhe të ketë paguar një pjesë të saj ashtuqë nuk i mundësohet ta anullojë marrëveshjen, atëherë shpresoj që të mos e marrë All-llahu në përgjegjësi, me kusht që të mos i kthehet më një gjëje të tillë.
 
 
Pyetje:
A më lejohet që ta jap me qira barnatoren për një shumë të caktuar. Vetë nuk e vë dot në përdorim për shkaqe familjare, të cilat më detyrojnë të mos e përdor personalisht?
 
Përgjigje:
Po, të lejohet, por me kusht që në barnatore të ushtrojë punën një njeri kompetent për këtë punë.
 
 
Pyetje:
Jam Libanez dhe siç e dini shkollat e krishtera konsiderohen dhe ofrojnë cilësi më të mirë si për nga arsimi po ashtu edhe për nga sistemi dhe për fat të keq ato janë më të mira se shkollat e muslimanëve. Prindi im më ka dërguar në një shkollë prej atyre. Por aty më ndalohet namazi i drekës dhe xhumaja. Jam munduar që të transferohem, por prindi im nuk pajtohet. A më konsiderohet një gjë e tillë arsye dhe çfarë të bëj?
 
Përgjigje:
Nuk të lejohet të rrish në shkolla ku të ndalohet falja e namazeve të detyruara. Nuk respektohet krijesa (prindi etj) në shkeljen e ligjeve të Krijuesit.
 
 
Pyetje:
Një grua gjendet larg vendit të vet dhe banon me një shoqe. Si është dispozita e qëndrimit të saj në vendin e punës pa patur atje mahrem (burrin ose ndonjë me të cilin i ndalohet martesa e përhershme me të), duke theksuar se në atë vend ka siguri madje është edhe në nivel të shkëlqyeshëm.
 
Përgjigje:
Nuk ka pengesë që gruaja të qëndrojë pa mahrem në ndonjë vend nëse qëndrimi i saj nuk i shkakton të bëjë ndonjë haram apo të lërë ndonjë detyrim.
 
 
Pyetje:
Si mund të bëj ta kontrolloj veten sa ma mirë?
 
Përgjigje:
Shpeshto dhikrin (të përmendurit All-llahun), leximin e Kuranit dhe kthimin tek All-llahu. Kështu All-llahu do ta mundësojë që të kontrollosh veten.
 
 
Pyetje:
Çfarë duhet të bëj nëse unë ndjej se kam sekrecione vaginore, duke qenë në namaz apo duke qenë në tavaf (rrotullimi rreth Qabes). A t’i konsideroj si istihada (rredhja e gjakut apo të ngjashme jashta ciklit të menstruacioneve), të marr abdes për çdo farz dhe të falem sa të dëshiroj namaze nafile brenda asaj kohe! Apo t’i konsideroj si dispozita e mosmbajtjes së urinës (urinim i pavullnetshëm) nga të cilat vuaj shumë sidomos në mesin e ciklit menstruacional. Unë jam duke kryer Umren (vizita e Qabes jashtë kohës së Haxhit)?
 
Përgjigje:
Së pari: Vetëm ndjenja për rrjedhjen e sekrecioneve nuk do të thotë se ato doemos kanë dalë nga kufiri i vaginës. Prandaj vetëm një ndjenjë e tillë nuk e prish abdesin. Ajo që prish abdesin është kur ti të sigurohesh se këto sekrecione kanë kaluar kufirin e vaginës dhe si rezultat janë lagur teshat.
Nëse e vërteton se ato kanë kaluar saqë edhe rroba të është lagur, atëherë abdesi të është prishur dhe ti në këtë rast e ke për detyrim të marrësh tjetër abdes.
Nëse ky rast të përsëritet shpesh saqë sekrecionet kanë arritur dhe janë lagur teshat dhe kjo përsëritet, atëherë gjendja jote kalon në dispozitën e atij që vuan nga mosmbajtja e urinës (që ka urinim të pavullnetshëm) dhe në këtë rast të lejohet të falësh çdo namaz farz me abdes të ri dhe gjatë farzit ke mundësi të falësh po me atë abdes sa të duash namaz nafile (vullnetare).
 
 
Pyetje:
1. Në fshatin tonë zhvillohen disa dhikre dhe këto i ngjallin disa sufistë. Unë këtu do të përmend disa gjëra që ata bëjnë: Dhikri fillon me leximin e një faqeje nga Kurani (ashere) dhe pastaj njerëzit formojnë disa rrathë dhe fillojnë duke përsëritur bashkë “la ilahe il-lall-llah”, me zë të lartë, duke u lëkundur djathtas e majtas dhe me melodi të ndryshme. Shejhu lëviz në mesin e rrethit dhe siç thonë ata arrin shkallën “hal” dhe kështu ai kalon prej një gjendje në tjetër, e ata e përsërisin fjalën All-llah dhe kjo e gjitha me melodi të ndryshme, kështu që nga kjo gjendje shumë prej tyre emocionohen dhe fillojnë të dalin prej tyre britma dhe fjalë që nuk kuptohen. Pra, a lejohet që ne të jemi të pranishëm në ato rrethe?
2. A është e saktë se këto gjëra që ndodhin me këta shujukhë “hoxhallarë e prijës të tyre), bie fjala kur ata bien në trans, a thua vallë gjëra të tilla janë “keramet”[1].

3. A lejohet pas xhenazes transi dhe daullja?

 
 
Përgjigje:
Nuk ndalohet dhikri (të përmendurit) i All-llahut të bëhet duke qenë njeriu ulur apo në këmbë dhe as duke qenë dorë për dore, por me rëndësi është që t’u përmbahet rregullave në vijim:
1. Nëse është në këmbë të tregohet me edukatë d.m.th., të mos jetë kërcim apo lëkundje, ose kërcim nga toka.
2. Të shqiptojë fjalët e dhikrit, bie fjala: “All-llah”, “lailahe il-lall-llah” ose “Huve All-llah”, në mënyrë të qartë, duke mos i humbur shkronjat e t’i shndërrojë në hingë ose në zëra të tjera. Njëkohësisht ndalohet edhe të shtiret për të arritur atë që quhet grada “haal”, ose ndonjë tjetër si dhe nuk lejohet të përpiqet të arrijë atë.
3. Një gjë e tillë është haram dhe doemos duhet të kundërshtohet e të hiqet nga praktikimi.
 
 
Pyetje:
Jam nga Amerika: gruaja ime është e brengosur për arsye se ajo nëse më respekton mua në marrëdhëniet e saja me prindërit e vet, ajo mund të jetë gjynahqare ndaj All-llahut. Ka disa vite që prindërit e saj nuk sillen mirë me mua, me prindërit e mi dhe me gruan time (d.m.th. me vajzën e tyre), prandaj unë e këshillova gruan time që t’i përcaktojë marrëdhëniet e saja me prindërit e vet, pasiqë marrëdhëniet e mia me ta ishin në përfundim të plotë. Pyetja ime është se: a i ndalohet gruas time që të më respektojë mua për t’i këputur marrëdhëniet me prindërit e saj? Çfarë përgjegjësish kam unë ndaj prindërve të saj? Nëse ne i mbajmë marrëdhëniet e mira me ta, atëherë përbuzja e tyre ndaj nesh do të vazhdojë. Pra, çfarë të bëj?
 
Përgjigje:
Nuk i lejohet gruas tënde që të këpusi marrëdhëniet e saja me prindërit e vet. Teksti kuranor për një gjë të tillë është i qartë dhe kryekëput kthjellët. Por ekziston mundësia që të zbuten marrëdhëniet aq sa të mos dëmtohen marrëdhëniet e tua bashkëshortore. Ndërkaq për përbuzjen që ju bëjnë ata, bëni durim, gjë për të cilën do të keni shpërblim të madh.
 
 
Pyetje:
A ndalohet punësimi në një thertore ku shiten llojet e ndryshme të mishrave të freskëta, si të derrit, të gjeldetit dhe ushqime të tjera. A më lejohet puna aty për shkak të mishit të derrit?
 
Përgjigje:
Punësimi në thertore që të punosh me derrin, nuk lejohet. Kurse punësimi aty për të punuar me mishrat e tjerë që janë të lejuar, është e lejuar.
 
 
Pyetje:
Disa thonë se hadithi: “All-llahu ka mallkuar atë që shkul vetullat (për t’i holluar) dhe ajo që kërkon nga dikush që t’ia shkulë vetullat”, ka për qëllim të hiqen krejt vetullat dhe prej fillimit të vizatohen. Kurse rregullimi i tyre nuk është haram. Po ua theksoj se kjo fetva ka dalë nga disa prej juristëve. Kërkoj sqarim!
 
Përgjigje:
Ai që thotë një gjë të tillë është i paditur (xhahil), duhet të heshti, ose është shpifës i sheriatit dhe manipulues dhe duhet të merren masa që të edukohet. Në kohën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi vesel-lem nuk ka ekzistuar ky art i zbukurimit që Pejgamberi të na i tërheqi vërejtjen nga kjo (pra, hadithi flet për shkuljen e vetullave; sqar i përkth).
 
 
Pyetje:
Jam një musliman arab 23 vjeçar dhe kam një vajzë një vjeç e gjysmë. Jetoj në Australi ku atje ballafaqohem me probleme. Gjithmonë kur ka ndonjë problem, gruaja ime m ë thotë se do të të shkurorëzoj (pasiqë sipas ligjit të këtij vendi edhe gruaja ka të drejtë të shkurorëzojë burrin). Në fillim martesa jonë ishte sipas sheriatit. Nëse ndodh shkurorëzimi (All-llahu mos e bëftë), atëherë a lejohet që vajzën time të vogël të mos e lë me nënën e saj në këtë vend që siç mund ta dini gjërat amorale janë të lejuara. Pra, sipas sheriatit të All-llahut, a mundet që gruaja ta shkurorëzojë burrin? Gruaja ime mendon se nëse bëhet shkurorëzimi nëpërmjet gjykatës këtu në Australi, unë nuk jam më burri i saj; a është e vërtetë kjo? Dhe a ka të drejtë sipas sheriatit islam që ajo të mbajë fëmijën nëse ajo dëshiron shkurorëzimin? Pra, nëse ndodh shkurorëzimi nëpërmjet gjykatës australiane kurse unë nuk e shkurorëzoj dhe ajo shkon te familja e saj, të cilët jetojnë këtu dhe kalon një kohë e gjatë, ajo e larguar prej meje, a konsiderohet sipas Islamit ajo si e shkurorëzuar?
 
Përgjigje:
-Sipas sheriatit islam nuk shkurorëzohet gruaja përveç nëse ti e shkurorëzon.
-Largimi i saj prej teje që sipas ligjit australian shkakton shkurorëzim nuk shfuqizon martesën tuaj sipas sheriatit edhe sikur një gjë e tillë të vazhdojë me vite.
-Fëmijët e tu nëse janë të vegjël dhe nën moshën 10 vjeç duhet të jenë nën kujdesin e nënës nëse ajo është e aftë (e meritueshme) për një gjë të tillë.
 
 
 
 
 

 
[1] Keramet - Ngjarje e pazakonshme nga ana e ndonjë personi, duke mos pretenduar pejgamberi.