Prof. Xhasim El-mutava
Procesi i riciklimit, është një proces i cili na mëson si t'i shtojmë jetën një produkti dhe si të menaxhosh më mirë energjitë dhe pasuritë.
Sot, ne jemi një umet të cilit i shkon për shtat të quhet umet konsumator, pasi jemi të tillë. Por kur mund të shndërrohemi nga konsumatorë në prodhues?
Një biznesmen musliman, e përshkruan umetin tonë si umeti i agjencive. Çdo prodhues në perëndim, hap një agjenci të tijin në vendet tona, me anë të së cilës ai i bën marketing dhe shet produktet e veta. Por kur do të mund të shndërrohemi në umet produktiv dhe të lëmë pas agjencitë?
Padyshim që kjo është diçka shumë e rëndësishme. Ne si ekip realizues të këtij emisioni, zhvilluam një vizitë në një institut formimi profesional, ku të rinjtë e pashkolluar, të papunësuar dhe që i sheh çdo ditë rrugëve, merren, kualifikohen dhe dalin në jetë me një zanat me të cilin mund të sigurojnë jetesën. Vetëm gjatë dy viteve, kanë përfunduar këtë kurs mbi njëqind e pesëdhjetë të rinj. Këta të rinj, u shndërruan nga të papunë dhe rrugaçë, në produktivë.
Po të shohim në historinë e profetëve, do të gjejmë që profeti Daud alejhisselam, njihte mirë zanatin e përpunimit të hekurit. Nuhu alejhisselam njihte zanatin e marangozit. Zanate njihnin dhe praktikonin edhe profetët e tjerë, të cilët janë modeli ynë më i mirë në jetë.
Në qytetin Sajda të Libanit, është përhapur një dukuri shumë negative në shkolla, ku shumë nxënës e braktisin shkollën për të punuar dhe siguruar jetesën. Kjo ndodh edhe me moshat e reja dhe të vogla dhjetë apo trembëdhjetë vjeçare, të cilët punojnë punë të rënda dhe të papërshtatshme për moshën e tyre.
Për të luftuar këtë fenomen dhe për t'u ardhur në ndihmë grupmoshave të reja në këtë qytet, qeveria libaneze vendosi të hapë një qendër të kualifikimit profesional.
Kjo qendër synon të grumbullojë të gjithë ato grupmosha të cilat kanë braktisur shkollën për të punuar. Atyre u jepet mundësia të mësojnë një zanat për tu aftësuar dhe kualifikuar profesionalisht. Kështu, ata do e kenë më të lehtë integrimin në shoqëri.
Natyra e mësimdhënies në këtë qendër.
Përveç anës teorike e cila ofrohet nga mësues të kualifikuar, mësimdhënia bëhet edhe praktikisht, ku nxënësve nuk u mungon asgjë. Laboratorët janë të pajisur me të gjithë mjetet dhe aparatet e duhura, të cilat ia mundësojnë nxënësit t'a përthithë sa më mirë lëndën dhe sa më praktike.
Një nga studentët e qendrës:
Më quajnë Ahmed Halimi dhe ka katër muaj që në këtë qendër mësoj për elektroaut. Ky është një zanat i cili do më ndihmojë për të gjetur një punë të përshtatshme. Gjer tani kemi mësuar strukturën e makinës dhe hartën e shpërndarjes së rrjetit elektrik.
Kur prindërit dëgjuan që kam dëshirë të mësoj këtë zanat, u gëzuan pa masë pasi do më mundësojë të hyj në tregun e punës."
Xhasim El-mutava:"Padyshim që fabrikat, uzinat dhe ndërmarrjet e prodhimit që janë të shumta, nxjerrin mbeturina të pafund të cilat duhen trajtuar. Vetëm Evropa prodhon mbi pesë milionë ton mbeturina, SH.B.A-të shtatë milionë. Por duhet theksuar se këto shtete kanë arritur që t'i riciklojnë mbeturinat e tyre. Atje, të gjithë shtetasit i ndajnë mbeturinat sipas llojit, hekurishtet vendosen në një qese dhe vend të posaçëm, mbetjet prej plastike, prej xhami, letrat etj... dhe e gjitha kjo me qëllim që të riciklohen më vonë dhe të shërbejnë si lëndë e parë.
Ndërkohë që në vendet tona hidhen të gjitha bashkë. Po të mblidheshin vetëm ushqimet që hidhen në koshin e plehrave. Në një studim të bërë në Kuvajt mbi ushqimet e hedhura në plehra, u pa se këto ushqime do të mjaftonin për të ushqyer një shtet afrikan të tërë për një ditë.
Zoti i madhëruar do të na kërkojë llogari mbi çdo gjë që e shpërdorojmë pa përgjegjësi.
Izudin El-xhinzikij është një nga dijetarët dhe juristët muslimanë. Ai ka vdekur në vitin 743 hixhr dhe është ai që ka përdorur për herë të parë maskën që vendoset në gojë për t'u mbrojtur nga epidemitë dhe viruset. A nuk është ky një tregues që islami i jep rëndësi mbrojtjes së ambientit dhe mjedisit përreth?
Një maskë e tillë, e mbron njeriun nga ndotja e ajrit, e ujit apo e avujve kimikë që çlirohen. Sot është normale që mjekët, doktorët dhe infermieret të veshin maskën e gojës për t'u mbrojtur nga epidemitë dhe viruset e ndryshme.
Një herë, Profeti alejhisselam kaloi pranë një deleje të ngordhur dhe u tha shokëve:"Përse nuk ia merrni lëkurën dhe të përfitoni prej saj?!"
Shokët e pyetën:"Po ajo është e ngordhur o i dërguar i Allahut!"
Profeti alejhisselam u tha:"Zoti e ka bërë haram vetëm mishin e saj."
Shohim që Profeti alejhisselam i orientonte shokët e tij dhe muslimanët për të përfituar nga çdo gjë, edhe nga lëkura e një deleje të ngordhur. Sot lëkurat e deleve dhive dhe kafshëve të tjera kanë një përdorim të gjerë në industrinë e veshjeve.
Vallë a i edukojmë fëmijët tanë me këtë frymë në shtëpi?
Ligji i parë për mbrojtjen e ambientit dhe shfrytëzimin e mbetjeve bujqësore është vendosur në kohën e Hamurabit në Egjipt. Ai vendosi që të lashtat të mos mblidhen por të lihen për të përmirësuar tokën dhe kjo një herë në dy vjet.
Nëse kujdesi për tokën është treguar mijëra vite më parë, ç'mund të themi për ditët tona?
A e dini kush ka ndërtuar ura dhe mbikalime për herë të parë?
Këtë e ka bërë Dhulkarnejni, gjë e cila përmendet edhe në Kuranin famëlartë.
Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha:“Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të.” (Kehf 96)
Me këtë, shohim që Dhulkarnejni është i pari që përdori riciklimin e metaleve. Ai mori copa hekuri i shkriu dhe me to ndërtoi një digë për bllokuar Jexhuxh dhe Mexhuxhët.
Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne me mbetjet e ndryshme. Vallë sa biznesmenë muslimanë merren me riciklimin e mbetjeve të metaleve?
Biznesmenët e fuqishëm të cilët aktivitetin e tyre e kanë filluar pikërisht me grumbullimin dhe riciklimin e mbetjeve nuk janë të paktë.
Zoti i madhëruar, na ofron modelin e Dhulkarnejnit në Kuran, me qëllim që të na orientojë drejt kësaj industrie të rëndësishme.
Kështu, Dhulkarnejni është personi i parë që përdori riciklimin e metaleve dhe me to ndërtoi digën madhështore.
Mbetjet e shumta sot kanë ndikuar negativisht në ambientin që na rrethon. Kështu, dhjetë përqind e lumenjve janë të ndotur, ndërkohë që pyjet pakësohen çdo vit me dy përqind. Të gjithë këto ndryshime vijnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta të njeriut, i cili po e shkatërron ambientin, po e ndot ajrin dhe ujin dhe në fund jemi ne ata që po e paguajmë dëmin.
Sot janë themeluar parti dhe organizata të ndryshme të cilat bëjnë thirrje për mbrojtjen e ambientit. Edhe ne duhet të japim kontributin tonë në mbjelljen e pemëve dhe shtimin e hapësirave të gjelbëruara përreth.
Një miku im që kishte vizituar Japoninë, më tregoi diçka që i kishte bërë shumë përshtypje. Ai kishte vajtur të qethej atje dhe kishte parë që berberi mbante dhe një makinë të vogël, e cila i thithte flokët e klientit pa rënë në tokë. Këto flokë ricikloheshin dhe përdoreshin në industrinë e flokëve artificialë. Duke mos i lejuar të bien përtokë, ky berber mbronte ambientin nga ndotja dhe duke i ricikluar ai investonte dhe përfitonte materialisht.
Sot janë të shumta fermat që janë ngritur për mbrojtjen e pyjeve dhe kafshëve të ndryshme. Me të arritur në Medine, Profeti alejhisselam nxori një dekret sipas të cilit ndalohej kategorikisht prerja e pemëve dhe gjuetia e kafshëve në Medine. Ai ngriti edhe ferma të caktuara për mbrojtjen dhe shtimin e deveve që jepeshin për sadaka apo për zekat.
Ushqimet e sotme ne i blejmë të paketuara dhe të konservuara, duke u larguar çdo ditë e më shumë nga ushqimet e freskëta.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Burimi:
E mërkurë, 16 Shkurt 2011 21:07