Prof. Xhasim El-mutava

 

Çdokush që përqafon islamin, ka një histori të tijën, e cila ia vlen të tregohet. Kjo histori, përbën çelësin e udhëzimit të tij dhe është ajo që e bëri këtë person të kalojë nga një jetë në një tjetër, nga një vizion në një tjetër. Çdo njeri ka një moment ndryshimi dhe shndërrimi në jetën e tij. Njeriu ndryshon dhe kalon nga një situatë në një tjetër, nga një fe në një tjetër, nga një sekt në një tjetër dhe nga një grupim në një tjetër.

Gjatë qëndrimit tonë në Australi, jemi njohur dhe takuar me një grup muslimanësh të rinj, të cilët na rrëfyen historitë e tyre.

Australia është shtatëmbëdhjetë orë udhëtim me aeroplan nga Meka. Kur anglezët arritën në Australi, kërkuan ndihmën e muslimanëve për t'a përshkuar. Pikërisht ishin treqind e nëntëdhjetë e dy afganë. Duke qenë se rruga që do të përshkruanin anglezët ishte plot shkretëtira dhe pyje të pafund, ata kërkuan ndihmën e afganëve të cilët e njihnin mirë shkretëtirën.

Treqind vite më parë, kur u zbulua kontinenti i Australisë filluan afganët e parë të emigrojnë dhe me ardhjen e tyre depërtoi dhe feja islame.

Kur u vendosën në Australi, afganët filluan t'a përhapin islamin pa e kuptuar. Kur kapiteni anglez Kok, kërkoi ndihmën e afganëve, ata pranuan dhe erdhën këtu në Australi. Me të arritur, filluan të thërrasin ezanin dhe të falen në publik. Njerëzit që i shihnin, i pyesnin se çfarë bëjnë, çfarë feje i përkasin etj... dhe natyrshëm punëtorët afganë u përgjigjeshin me aq njohuri sa kishin. Shumë prej atyre që pyesnin pranonin islamin.

Sot, numri i muslimanëve në Australi i kalon gjysmë milioni dhe është feja e dytë e kontinentit për nga numri.

Muslimanët e parë erdhën në Australi për të depërtuar në çdo skaj të saj dhe për të hapur rrugët. Por bashkë me rrugët, ata hapën edhe rrugën e depërtimit të islamit në këtë kontinent.

Ishin afganët ata që hapën rrugën për formimin e një brezi të ri, i cili sot njihet me emrin brezi i muslimanëve të rinj në Australi.

Gjatë qëndrimit tonë në Australi, vizituam një qytet ku numri i muslimanëve ishte shumë i madh. Ata kishin tregjet e tyre, shkollat dhe kopshtet, ku edukonin fëmijët dhe gjithçka tjetër që një musliman ka nevojë. Në këtë qytet vizituam edhe një shoqate muslimane, e cila atë ditë kishte organizuar një ceremoni dhe gosti për muslimanët e rinj.

Kur vajtëm në xhami, u prezantuam me disa muslimanë dhe ndër ta edhe një djalë i ri që quhej Fuad. Kur e pyeta nga ishte, ai më tha:"Jam nga vendi i parë mbi të cilin lind dielli."

I habitur e pyeta se kush ishte ky vend dhe më tha se është nga Fixhi dhe se Fixhi është ishulli i parë në botë, mbi të cilin lind dielli fillimisht.

Distanca mes Australisë dhe Fixhit është tre orë udhëtim me avion dhe nga disa qytete të tjera është tetë orë.

Numri i muslimanëve në Fixhi arrin në gjashtëqind mijë muslimanë, ose 8 % të popullsisë.

Gjatë qëndrimit tonë në shoqatën muslimane e cila organizonte një ceremoni për muslimanët e rinj, unë u njoha me disa nga këta muslimanë të rinj. Fillimisht fjalën e mori një nga muslimanët e rinj, Hamzai. Ai mbante një vath në vesh, kishte flokë të gjatë dhe filloi të tregojë historinë e konvertimit në islam.

Gjatë fjalës që mbajti, ai tha:"Mua më pëlqen namazi, pasi më bën të ndihem më pranë Zotit të madhëruar."

Ai foli gjatë mbi islamin dhe përvojën e tij dhe tha që kishte tre vite që e kishte pranuar islamin. Sipas tij, ishin pikërisht këto vite, vitet e vërteta që ai kishte jetuar nga jeta.

Më pas, fjalën e mori një i ri tjetër që quhej Lion. Ai ishte shumë i zgjuar dhe këtë e kuptoje nga fjalët dhe mendimet e thella. Nga fjalët që më bënë më shumë përshtypje ishin:"Ka vetëm pak kohë që e kam pranuar islamin dhe këtë e kam bërë nëpërmjet leximit të librave dhe internetit. Edhe pse kam qenë i rrethuar nga muslimanë, nuk kam pasur mundësinë të njihem me ta nga afër. Kjo për shkak të traditave të ndryshme. Prandaj dua t'ju them:"O muslimanë! Ju duhet të tregoheni më të hapur me ne, të bashkëjetoni dhe të lejoni t'ju njohim nga afër."

Historitë e atyre që pranojnë islamin në Australi janë të shumta, saqë shpesh herë bëhen objekt edhe i mediave të shkruara dhe atyre vizive.

Sipas statistikave, islami është rritur në këtë kontinent me 243 %.

Më vonë, ne biseduam edhe me Muhamed Isa, i cili ka dy vite që ka pranuar islamin. Ai zgjodhi këtë emër pasi pranoi islamin, nga dashuria dhe simpatia që ndjen për profetin Muhamed alejhisselam dhe për profetin Isa alejhisselam Si shumë australianë të tjerë, edhe Muhamedi e pëlqen shumë sportin. Populli australian është shumë i dhënë pas sportit dhe çdo ditë në mëngjes, sheh grupmosha të ndryshme duke vrapuar në bregdet.

Kur vëllai Muhamed Isa na e rrëfeu historinë e islamit të tij në xhami, filloi të qajë. Më pas, ai na pyeti:"A e dini përse qaj? Qaj ngaqë ka dy vite që jam konvertuar në musliman dhe dua t'i ftoj të tjerët në këtë fe. Por, gjer tani nuk kam mundur pasi njohuritë e mia rreth fesë janë modeste." Dhe sërish shpërtheu në të qara, gjë e cila na bëri edhe neve të qajmë.

Pasi e përfundoi fjalën e tij, ne iu afruam dhe i thamë që për të ftuar në islam nuk është kusht të mbrosh magjistraturë dhe doktoraturë në studimet islame. Mjafton të dish qoftë dhe një hadith apo ajet të vetëm dhe këto t'ua tregosh të tjerëve. Kjo e qetësoi vëllanë tonë Muhamed Isa.

Më pas, u takuam me vëlla Arifin, i cili rridhte nga një familje e krishterë dhe shumë e pasur. Ai na tregoi:"Gjatë rinisë time, kisha shumë pyetje që më mundonin rreth krishterimit dhe kontradiktat ishin të shumta. Pas ndodhive të njëmbëdhjetë shtatorit 2001, iu ktheva studimit të librave mbi islamin dhe njëkohësisht kërkoja edhe në internet mbi këtë fe. Gjatë studimeve të shumta, zbulova se kjo fe u jep përgjigje shumë pyetjeve të mia që më shqetësonin. Atëherë ndjeva një qetësi shpirtërore që nuk e kisha ndjerë më parë dhe kështu pranova të bëhem musliman."

Ai kishte një vit e gjysmë që ishte bërë musliman dhe kishte shumë shokë dhe miq. Të gjithë miqtë e tij na folën mbi mënyrën si e kishin pranuar islami dhe si ndiheshin tani që ishin muslimanë.

Historitë e muslimanëve të rinj janë të shumta. Ndërkohë tani do të bisedojmë me një motër të nderuar, e cila pasi pranoi islamin filloi të ftojë të tjerët. Ajo ka katër vite që ka pranuar islamin.

Xhasim El-mutava:"Motër Faize! Duam të dëgjojmë prej teje rreth atyre momenteve kur ti vendose të përqafosh islamin. Ne duam t'a dëgjojmë prej teje si ndodhi dhe përse zgjodhe islamin."

Faize:"Familja ime vuante nga probleme të përdorimit të drogës, kështu unë jam rritur nga gjyshja ime. Në moshën njëzet e tre vjeçe udhëtova për në Kore, por u ktheva sërish pasi mamaja ime u sëmur me kancer dhe ishte në ditët e fundit të jetës. Ishin momente të vështira për mua të shoh nënën duke dhënë shpirt. Ditët e fundit ajo vuajti shumë dhe kur ndërroi jetë fytyra e saj ishte shumë e shëmtuar. Në ato çaste fillova të ndërgjegjësohem për ekzistencën e parajsës dhe ferrit, shpërblimit dhe ndëshkimit. Atëherë fillova të kërkoj Zotin."

Xhasim El-mutava:"Po konvertimi në islam, si ndodhi?'

Faize:"Pasi vdiq nëna, u nisa sërish për në Korenë e jugut, ndërkohë që gjyshja ime kujdesej për vëllezërit dhe motrat e mi. Në Kore, unë punoja dhe u dërgoja të holla. Gjatë kësaj kohe fillova të kërkoj informacion mbi fetë, atë kristiane, hebreje apo budiste. Isha shumë e dhënë pas studimit të feve, saqë një herë më pyeti një i ri musliman se çfarë besoja. Gjer atëherë askush nuk më kishte pyetur mbi besimin tim. Unë iu përgjigja se besoj në një Zot të vetëm, në virgjëreshën Mari dhe në Jezusin. I thashë gjithashtu se nuk besoja se Jezusi është biri i Zotit.

Ai më tha:"Ti po flet sikur të ishe një muslimane."

Gjer atëherë unë nuk më kishte vajtur në mendje të studioj islamin dhe menjëherë vajta në bibliotekë, bleva një bibël dhe një kopje të Kuranit.

Me dy librat e shenjtë në dorë, u ula mbi krevat dhe fillova t'a lus Zotin të më udhëzojë drejt librit që përmban të vërtetën absolute. Kështu fillova të lexoj Kurani dhe biblën njëkohësisht. Menjëherë filloi të më bëjë përshtypje racionalizmi dhe arsyetimi i Kuranit. Atëherë fillova të kontaktoj me disa gra muslimane, të cilat më folën mbi islamin, më treguan që ndihen mirë dhe të lumtura, edhe pse si çdo njeri kanë probleme.

Bisedat me këto gra më falnin një qetësi që më kishte munguar gjer atëherë. Kështu vendosa të shkoj në xhami dhe të pranoj islamin."

Xhasim El-mutava:"Kështu konvertimi në islam erdhi si rrjedhojë e studimeve dhe kërkimeve të tua individuale. Tani duam të na flasësh diçka mbi ditën që vajte në xhami dhe përqafove islamin dhe veshjen e hixhabit."

Faize:"Nuk dija shumë gjëra mbi xhaminë, çfarë duhet të bëj, si të hyj, si të vishem etj... Kështu vendosa të vishem si muslimanet që kisha njohur gjer atëherë. Për këtë vajta tek një rrobaqepës dhe pasi i dorëzova një basmë me ngjyrë të zezë i kërkova të më qepë një pardesy dhe një shami. Rrobaqepësi u çudit nga kërkesa ime, pasi të gjitha ishin të zeza dhe qeshi me vete. Asokohe unë mendoja se një muslimane duhet të vishet patjetër me të zeza.

Pasi mora pardesynë dhe shaminë, i vesha dhe u drejtova për në xhami. Imami i xhamisë ishte një korean i cili fliste vetëm gjuhën e tij. Kështu erdhën disa frekuentues të xhamisë dhe më ndihmuan të komunikoj me të. Më pas dëshmova dëshminë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi alejhisselam është robi dhe i dërguari i Tij. Veç kësaj, zgjodha një emër tjetër, Faize, i cili ka të njëjtin kuptim me emrin tim Viktori. Që prej asaj dite, unë vishem me veshjen islame, gjë e cila më dallon me të tjerët nga paraqitja dhe më pas nga sjellje dhe mënyra e komunikimit.

 

Xhasim El-mutava:"Në fund të këtij takimi, e lus Zotin që t'ju japë sukses dhe t'ju bëjë të qëndrueshëm në fenë e Tij. Historia juaj na preku shumë, prandaj e lusim Zotin që t'ju ndihmojë në rrugën e thirrjes islame."

 

Faize:"Unë kam jetuar dy jetë gjer tani, atë të gruas perëndimore dhe të gruas muslimane. Pasi i kam provuar të dyja, mund të them që pozita dhe statusi që gëzon gruaja muslimane është shumë herë më i admirueshëm dhe më pozitiv se ai i gruas perëndimore. Unë dua t'ju drejtoj të gjithë muslimanëve një mesazh: Kapuni fort pas mësimeve të islamit, pasi ai është një dhuratë e Zotit. Kurrë mos u frikësoni dhe stresoni nga qëndrimi i perëndimit ndaj islamit. Mbrojeni islamin dhe mbrojeni hixhabin. Unë jam shumë e lumtur që jam muslimane."

 

Xhasim El-mutava:"Faleminderit për këtë takim motër Faize."

Siç e patë dhe vetë, motër Faize duke lexuar libra, nëpërmjet internetit dhe duke bërë krahasime mes Kuranit dhe biblës pranoi islamin. Pas intervistës, ajo më tregoi dhe një detaj tjetër ditën që vajti në xhami për të pranuar islamin. Kur ajo i kishte treguar imamit të xhamisë se kërkonte të pranojë islamin, imami e kishte përzënë nga xhamia. Kjo, pasi kishte kujtuar se ajo tallej, ngaqë ishte veshur me pardesy dhe hixhab me ngjyrë të zezë. Me gjithë këto vështirësi, ajo e pranoi islamin.

E veçanta në historinë e islamit të saj është se që ditën e parë që donte të bëhej muslimane, ajo veshi hixhabin. Ndërkohë që femrat muslimane në shumë shtete islame refuzojnë dhe duhet shumë punë për t'i bindur të pranojnë islamin. Kurse kjo motër, edhe pse nuk ishte bërë muslimane akoma veshi hixhabin dhe që nga ajo ditë nuk e ka hequr kurrë. Ajo ka mbrojtur magjistraturën dhe doktoraturën për gazetari dhe tani po mbron magjistraturë të dytë.

Siç e patë edhe vetë, shumë nga të rinjtë që pranojnë islamin në Australi por edhe në vende të tjera, e bëjnë këtë me përpjekjet e tyre individuale. Ata lexojnë rreth islamit, e studiojnë atë, kërkojnë në internet informacione të reja etj... derisa të gjejnë të vërtetën. Diçka e tillë është pozitive, por edhe negative. Është pozitive pasi tregon madhështinë e islamit. Ndërkohë që është negative pasi është tregues i neglizhencës tonë si muslimanë, për t'u ofruar atë që kërkojnë perëndimorët, të vërtetën. Thotë Profeti alejhisselam:"Nëse Zoti të bën shkak që dikush të udhëzohet në islam, kjo është më e vlefshme se kjo botë me të mirat e saj."

Çfarë mund t'u ofrojmë gjithë atyre që kërkojnë të vërtetën? Çfarë mund të bëjmë që t'i ndihmojmë derisa t'a gjejnë? Secili prej tyre pret që ne t'i kushtojmë pak nga koha jonë që të njihet me islamin. Disa të tjerë duan të mësojnë arabishten, por nuk kanë kush ua ofron këtë shërbim.

Ne duhet të bashkohemi, të shtrëngojmë radhët dhe të bashkëpunojmë, me qëllim që të përhapim islamin dhe të mirën në mbarë botën.

Secili prej nesh ndihet krenar për fenë islame, sidomos kur dëgjon dhe lexon se numri i atyre që pranojnë islamin rritet çdo ditë në Perëndim dhe në mbarë botën.

Nuk kalon orë e çast në globin tonë, që nga dikush të mos dëgjohet shehadeti për herë të parë.

Është për të ardhur keq kur shkon në perëndim dhe shikon xhami të cila i përkasin xhemateve dhe grupacioneve të ndryshme. Një problem me të cilin hasen muslimanët e rinj, është se e kanë të vështirë t'a pranojnë këtë ndarje dhe nuk dinë si të komunikojnë me këta grupacione. Ndërkohë që këto grupacione nga ana e tyre kërkojnë të tërheqin sa më shumë muslimanë të rinj në idetë dhe xhematin e tyre. Këtë shqetësim, ma transmetuan shumë muslimanë të rinj në Australi.

Feja dhe xhamitë janë të Zotit. Ato nuk i përkasin asnjë grupacioni dhe xhemati. Ne si muslimanë duhet të reflektojmë për këto akte, dhe fenë e Zotit t'a përhapim si të tillë jo për interesa grupacionesh dhe xhematesh.

Ne duhet të bëhemi shkak që të tjerët të pranojnë islamin dhe jo të dezertojnë.

Një nga motrat muslimane në Australi, më kërkoi të ulem të bisedoj me një grua e cila hezitonte të përqafojë islamin. Ajo kishte një sërë pyetjesh rreth islamit dhe kërkonte dikë që t'i përgjigjej.

Unë i thashë:"Nëse kërkon që ajo të preket dhe të bindet të pranojë islamin, merr një muslimane të re në islam dhe uluni të treja bashkë të diskutoni rreth islamit. Të jesh e sigurt se kjo do të jetë më e dobishme se të ulem unë me të.

Në fund, e lus Zotin që t'a ndihmojë këtë fe dhe të na japë sukses që t'a përcjellim në mbarë botën.

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Burimi:

http://www.ikratv-alb.net/

E diel, 23 Janar 2011 20:38