Prof. Xhasim El-mutava

Sa herë që vizitojmë një shtet perëndimor, padyshim që do të njihemi dhe prezantohemi me muslimanë që jetojnë dhe punojnë atje. Ajo që i shqetëson më së shumti muslimanët në perëndim, është edukimi dhe arsimi i fëmijëve të tyre.

Pyetja e parë që një musliman të drejton në perëndim është rreth edukimit dhe arsimit të fëmijëve. Kjo, për shkak të kulturës dhe atmosferës e cila nuk përshtatet me principet islame.

Gjatë vizitës sonë në Australi, ne vizituam një sërë medresesh, të hapura nga muslimanët atje. Numri i medreseve në Australi arrin në treqind e pesëdhjetë dhe janë ngritur për të mbrojtur besimin dhe fenë e brezave të rinj. Këto shkolla respektojnë metodat e vendosura nga qeveria australiane për arsimin, por që fëmijët mësojnë edhe lëndë fetare.

Brezi i parë i muslimanëve që erdhën në Australi, me gjithë dëshirën për të pasur shkolla dhe institucione arsimore për fëmijët e tyre, nuk arritën t'a bëjnë diçka të tillë. Janë pikërisht brezat e mëvonshëm ata që arritën të themelojnë dhe hapin shkolla për edukimin e fëmijëve sipas parimeve islame. Janë pikërisht këto institucione arsimore, ku mësohet dhe praktikohet islami, garancia për mbrojtjen e identitetit dhe përhapjen e islamit tek të tjerët.

Ne vajtëm për vizitë në qytetin Brizbane, ku gjetëm një medrese të ndërtuar nga një musliman me origjinë nga India. Ndërtimi i kësaj medreseje kishte qenë ëndrra e këtij muslimani, ëndërr të cilën arriti t'a realizojë. Me t'u vendosur në këtë qytet, ky musliman kishte filluar planet si të ndërtojë një shkollë për edukimin e fëmijëve muslimanë.

Edukimi i mirë i fëmijëve është ëndrra e çdo prindi. Ai dëshiron t'i shohë të mishëruara cilësitë më të mira, tek fëmija i tij. Edhe muslimanët në perëndim, urojnë dhe dëshirojnë t'i shohin vlerat dhe moralet islame, të mishëruara tek fëmijët e tyre.

çdo i ri që kërkon të ketë fëmijë të mbarë dhe muslimanë të mirë, duhet që fillimisht të zgjedhë për fëmijët e tij një nënë dhe muslimane të mirë.

Një thënie e urtë thotë:"Çdo enë, do të derdhë gjellën që ka brenda."

Kurse Profeti alejhisselam thotë:"Çdo fëmijë, lind me natyrë të pastër besimtare. Janë prindërit ata që i japin fenë, kristiane, hebreje apo zjarrputiste."

Vetë edukimi i fëmijëve, nuk është gjë tjetër përveçse pasqyrim i moraleve dhe sjelljeve të prindit tek fëmija. Shpesh herë, fëmijët ecin, qeshin, sillen etj... si prindërit e tyre.

Muslimanët në perëndim, duke dashur t'a ruajnë fëmijën nga pasqyrimi i fenomeneve negative në personalitetin e tyre, kanë ngritur shkolla dhe institute edukimi. Është pikërisht kjo, ajo që e shtyu indianin musliman të hapë një shkollë dhe medrese për t'u mësuar fëmijëve edukatën islame.

Ne vajtëm dhe e vizituam këtë medrese dhe u befasuam nga niveli i lartë i nxënësve që studionin atje. Të një niveli të lartë edukimi ishin edhe medresetë e tjera. Diçka e tillë ndodhte pothuaj me të gjithë shkollat që përveç lëndëve të përgjithshme, studionin edhe lëndë të edukimit islam.

Padyshim, këto medrese kishin edhe probleme dhe pengesa. Një ndër këto pengesa ishte se metodat e mësimdhënies miratoheshin nga ministria e arsimit, ku shumë gjëra nuk lejohen t'ju mësohen fëmijëve.

Drejtori i medresesë në Brizbane quhej Piter dhe ne e pyetëm mbi mënyrën si ua mësonin fëmijëve gjuhën arabe dhe lëndët fetare.

Ai na tha:"Gjatë ditës, kemi dy herë nga një gjysëm ore të lirë. Kështu, ne i shfrytëzojmë këto hapësira dhe gjysmë ore u japim arabisht kurse gjysmë ore tjetër u japim mësime feje dhe besimi. Në këtë mënyrë, nxënësit mësojnë edhe arabisht edhe besim, përveç programit mësimor të ministrisë së arsimit."

Gjatë vizitës tonë në këtë shkollë, ne mbetëm të mrekulluar nga niveli arsimor i mësuesve. Ne u takuam me disa prindër të fëmijëve që mësonin në këtë shkollë dhe ata u shprehën të kënaqur me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre. Disa nga prindërit kishin ardhur për të studiuar magjistraturën dhe doktoraturën në Australi, ndërkohë që fëmijët mësonin në këtë medrese. Ata shprehnin mirënjohje të thellë për administratën dhe themeluesin e kësaj shkolle, pasi kontribuonte në mbrojtjen dhe rrënjosjen e identitetit islam të fëmijëve në perëndim. Kështu, mësimi i gjuhës arabe, mësimi i Kuranit dhe besimit islam, është garantues për mbrojtjen e fëmijëve në perëndim.

Padyshim që të hapësh një shkollë të tillë dhe t'a mirëmbash atë, kërkon përpjekje, punë dhe mund kolosal.

Personi i parë që kontribuoi për hapjen e shkollës së parë islame, është një burrë nga një vend i largët me Australinë. Njëzet vite më parë, ai erdhi në Australi dhe u takua me komunitetin musliman këtu. Gjatë vizitës, ai i pyeti mbi problemet dhe nevojat e tyre më të mëdha.

Komuniteti musliman i thanë që një ndër shqetësimet e tyre më të mëdha është arsimimi i fëmijëve dhe edukimi i tyre. Për këtë atyre u nevojiteshin ambiente mësimi, një ose dy shtëpi. Ai u siguroi shumën e duhur për të blerë dy shtëpi, të cilat do të funksiononin si shkolla dhe kështu u hap shkolla e parë muslimane në Sidney.

Ky person që ofroi shumën e duhur për shkollën, quhet Abdullah Nuri dhe është nga Kuvajti. Ai tashmë ka vdekur dhe e lusim Zotin që t'a mëshirojë dhe shpërblejë me xhenet. Ai ka qenë një njeri shumë i mirë dhe edukues i dalluar.

Pas vdekjes së Abdullah Nurit, komuniteti i vuri emrin e tij shkollës në Sidney.

Kjo shkollë e filloi aktivitetin e saj me njëzet fëmijë muslimanë fillimisht. Kurse sot ajo ka mbi një mijë fëmijë, ku arsimohen dhe edukohen.

Një herë, ndodhesha në një fshat të Egjiptit, pikërisht në një nga fermat e një fermeri. Gjatë bisedës, e pyeta fermerin:"Sa e don fermën tënde?"

Ai u përgjigj:"Për Zotin e dua aq shumë sa nuk di si t'a shpreh.

Unë e pyeta:"Po përse gjithë kjo dashuri dhe lidhje me fermën?"

Ai më tha:"O biri im! Jam unë që i kam mbjellë këto pemë me duart e mia, i kam vaditur, prashitur dhe jam përkujdesur për secilën prej tyre. "

Një përkujdesje të tillë, madje edhe më të madhe, kërkon edhe fëmija. Nëse ai sëmuret, sëmuret dhe prindi, nëse ai lëndohet dhe zemërohet, e njëjta gjë pasqyrohet edhe tek prindi.

Gjatë vizitës që bëmë në shkollë, unë mora pjesë në disa orë mësimi. E veçanta që gjeta është se gjatë shpjegimit të lëndës shkencore, mësuesi e lidhte me disa realitete dhe fakte rreth besimit në Zot. Kështu, fëmija edukohet shkencërisht dhe fetarisht.

Shumë nga familjet që ishin konvertuar në islam, preferonin që fëmijët e tyre t'i edukojnë dhe arsimojnë në shtëpi. Pasi janë njohur me islamin, vlerat dhe moralet e tij, ata refuzojnë t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shtetërore, për shkak të atmosferës dhe ambientit jomoral atje. Diçka të tillë ua mundësonte dhe ua lejonte ligji australian. Fëmijët mësonin të njëjtat metoda mësimore që mësojnë në shkollë, ndërkohë që prindërit shtonin edhe gjuhën arabe dhe besimin islam.

Kur i pyeta mbi mënyrën si pyeteshin fëmijët dhe si vlerësoheshin, prindërit më thanë që gjithçka bëhet nëpërmjet internetit. Mësuesi kontakton me nxënësin nëpërmjet internetit, i dërgon pyetjet dhe ai përgjigjet online. Sipas përgjigjeve vlerësohet me notën e duhur.

Nëse ka diçka që nxënësi nuk e kupton, ai kontakton me telefon me mësuesin që ndodhet në shkollë dhe ai i përgjigjet.

Prindërit që aplikonin një arsim të tillë, ishin shumë të kënaqur pasi në këtë mënyrë ata i mbronin fëmijët nga moralet e ulëta. Ata i shfrytëzonin hapësirat që u krijonte ligji në Australi, në mbrojtjen e fëmijëve nga degjenerimi dhe moralet e këqija.

Një nga fëmijët që mësonte në shtëpi, quhej Zahid. Ai fillimisht ishte regjistruar në shkollë, por gjatë gjithë kohës ngacmohej nga vajzat. Kjo bëri që familja e tij të marrë vendimin që djalin t'a arsimojnë në shtëpi.

Tregon vetë Zahid që është vetëm dymbëdhjetë vjeç:"Ishte e padurueshme të qëndroja në një ambjent të tillë. Nuk ishte një apo dy vajza që më ngacmonin, por ishin pothuaj të gjithë vajzat e shkollës."

Edhe pse vajzat ishin vetë dymbëdhjetë apo trembëdhjetë vjeçe, ata i ngacmonin djemtë seksualisht. Ky është një problem me të cilin përballen të gjithë familjet në perëndim.

Si Zaidi, ka shumë fëmijë që ndjekin shkollën nga shtëpia dhe arrijnë rezultate të larta.

Këto ishin disa shqetësime dhe arritje të muslimanëve në Australi, të cilat u përpoqëm t'jua përcjellim nëpërmjet këtij emisioni.

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Burimi:

http://www.ikratv-alb.net/

E enjte, 28 Tetor 2010 19:42