Prof. Xhasim El-mutava

Nëse do të donim të gjykojmë një person  të suksesshëm, patjetër që duhet të plotësojë disa kritere dhe standarde për të qenë i tillë. Nëse duam t'a vlerësojmë si të suksesshëm një bashkëshort, patjetër që duhet të plotësojë disa kritere për sa i përket jetës bashkëshortore. Nëse duam të vlerësojmë një nënë si të suksesshme, duhet të plotësojë kriteret e suksesit në edukimin e fëmijëve. E kështu me radhë.

Umer ibnul Hattabi, kishte caktuar disa kritere, për t'a konsideruar të suksesshëm dikë. Sa herë që vlerësohej dikush në praninë e Umerit, ai pyeste:"Çfarë pune bën ai?"

Nëse i thuhej se është pa punë, i dilte qejfit si njeri.

Për të nuk kishte rëndësi sa punonte dhe çfarë bënte, por kishte rëndësi fakti që ai përpiqej të bëjë diçka të dobishme për njerëzit. Çdo njeri duhet të ketë një objektiv në jetë. Çdo njëri duhet të merret me diçka, çfarëdo qoftë. Secili prej nesh duhet të punojë në një sektor të caktuar, nuk ka rëndësi ku dhe sa merr, por pa punë mos qëndro. Edhe nëse shet banane, mollë apo çfarëdo tjetër, kjo nuk është turp. E rëndësishme është të kesh një aktivitet, me të cilin fiton bukën e gojës dhe plotëson nevojat e familjes.

Nëse një njeri kishte një aktivitet dhe punonte, ai gëzonte respektin e Halifes musliman, Umer ibnul Hattabit. Në të kundërt, ai nuk ndjente asnjë respekt, për dikë që preferonte papunësinë dhe parazitizmin.

Secili prej nesh, duhet t'a ketë parasysh metodën e punës "Më trego tregun". Por çfarë është kjo shprehje, kush e ka thënë dhe për çfarë shërben?

"Më trego tregun" është një shprehje që shërben për këdo që kërkon të jetë i suksesshëm. Është një shprehje që thotë:"Vetëm më trego ku është tregu, me qëllim që të blej, të shes dhe të komunikoj me biznesmenët e tjerë."

Kushdo që merret me tregti, patjetër që do të fitojë edhe aftësi menaxhuese, do të njihet me njerëz të shtresave të ndryshme, do të mësojë si të komunikojë me klientët, do të mësojë veprime matematikore, do të mësojë si të planifikojë për të ardhmen, si të kursejë, si t'i shpenzojë sa më mirë të hollat, si t'i shtojë të ardhurat etj...

"Më trego tregun" nuk është thjesht një shprehje, por është një metodë pune në marrëdhëniet shoqërore, është një metodë në marrëdhëniet ekonomike dhe politike. Tregu është një sektor që ka të bëjë me politikën, moralin, ekonominë, shoqërinë etj...

Sot, pasuria e dyqind individëve i kalon një mijë miliardët, ndërkohë që një miliardë e dyqind milionë njerëz, kanë vetëm një dollarë të ardhura në ditë.

 

Tani le të shohim një ndër parimet kryesore që ofron islami për luftën kundër varfërisë.

Në një hadith të cilin e transmeton Enes ibnu Malik, tregohet mbi stimulimin dhe shtytjen që Profeti alejhisselam u bënte muslimanëve, për të fituar bukën me duart e tyre.

Tregon Enes ibnu Malik:"Një ditë, teksa ishim ulur rreth të dërguarit të Zotit, u shfaq një nga banorët e Medines dhe filloi të lypë. Profeti alejhisselam i kërkoi të afrohej dhe e pyeti:"Çfarë malli ke në shtëpi?"

Lypësi iu përgjigj:"Po, kam një lëkurë për t'u ulur dhe një kacek për ujë."

Profeti alejhisselam i tha:"Shko dhe mi sill mua."

Pasi ia solli, Profeti alejhisselam i ngriti lart dhe duke iu drejtuar muslimanëve tha:"Kush i blen këto të dyja?"

Dikush ngriti dorën dhe tha:"Unë o i dërguar i Allahut."

Profeti alejhisselam e pyeti:"Sa jep për këto?"

Burri u përgjigj:"Vetëm një derhem."

Profeti alejhisselam pyeti sërish:"Kush jep më shumë?"

Dikush ngriti dorën dhe tha:"Unë jap dy derhemë o i dërguar i Allahut."

Profeti alejhisselam ia dorëzoi, mori dy derhemët dhe iu drejtua lypësit:"Merri këto dy derhemë! Me njërin do të blesh ushqim për familjen, kurse me tjetrin do të blesh një sopatë dhe do ma sjellësh mua këtu."

Lypësi veproi ashtu si i tha Profeti alejhisselam, bleu ushqim për familjen dhe bleu një sopatë. Kur erdhi tek Profeti alejhisselam, ky i fundit i vuri një bisht sëpatës dhe i tha lypësit:"Merre këtë sëpatë, shko në pyll, bëj dru dhe shiti. Do më vish vetëm pas pesëmbëdhjetë ditësh."

Burri vajti me sëpatën në pyll, mblodhi dru dhe filloi t'i shesë. Pas pesëmbëdhjetë ditësh, lypësi vajti tek Profeti alejhisselam sipas porosisë dhe në dorë mbante dhjetë derhemë të fituar nga puna që kishte bërë.

Ai tashmë ishte shndërruar nga një lypës i rëndomtë, në një familjar produktiv dhe me parëtë që fitonte, siguronte ushqimin, banesën dhe veshmbathjen e gjithë familjes.

Gjithmonë, Profeti alejhisselam i nxiste shokët e tij dhe të gjithë muslimanët, të jenë punëtorë dhe produktivë.

Sad ibnu Ebi Vekkas, ishte nga fisi i dajëve të Profetit alejhisselam dhe i përkiste shtresës së pasur të Medines. Kur u sëmur, Profeti alejhisselam vajti t'a vizitojë.

Për shkak të vuajtjeve dhe ndjenjës se po vdes, Sad i tha Profetit alejhisselam:"O i dërguar i Zotit! Unë kam vënë shumë pasuri dhe nuk kam veçse një vajzë të vetme. Si mendon ti, a t'a jap sadaka dy të tretat e pasurisë?"

Profeti alejhisselam i tha:"Jo".

Sad e pyeti përsëri:"Po gjysmën o i dërguar i Allahut?"

Profeti alejhisselam sërish i tha:"Jo."

Sad e pyeti për të tretën herë:"Po një të tretën o i dërguar i Allahut?"

Profeti alejhisselam iu përgjigj:"Një të tretën dhe është shumë. T'i lesh familjarët e tu të pasur, është më mirë se t'i lesh të varfër duke lypur."

Nëse Zoti të ka dhënë pasuri të shumtë, nuk ka përse t'a shpenzosh të gjithën në bamirësi dhe të lësh familjen tënde të vuajnë dhe të lypin. Profeti alejhisselam e luftonte varfërinë me të gjithë format. Ai i mësonte shokët e tij dhe muslimanët si të mendonin dhe projektonin për të ardhmen e brezave të tyre, si t'a menaxhojnë dhe shpenzojnë me kriter pasurinë e tyre.

Të gjithë këtë, ai e bënte duke u mbështetur tek fakti që njeriu është mëkëmbës në tokë, ashtu siç ishte njeriu i parë Ademi alejhisselam të jesh mëkëmbës në tokë, do të thotë t'a menaxhosh mirë pasurinë, t'a investosh ku duhet, t'a fitosh në hallall dhe t'a shpenzosh në hallall.

Halifeja i parë musliman, Ebu Bekri, zhvilloi luftë për të ruajtur ekonominë e shtetit të ri. Ai u shpalli luftë të gjithë atyre që refuzonin të paguajnë zekatin. Prandaj, kur Umeri e kundërshtoi për këtë plan, Ebu Bekri i tha me vendosmëri:"Për Zotin! Nëse refuzojnë të japin një copë litar, të cilin ia jepnin të dërguarit të Zotit më parë, do i luftoja për të."

Pasuritë, monedha, dhënia e zekatit etj... janë të gjitha elementët e një ekonomie të fortë. Për këtë, Ebu Bekri u shpalli luftë të gjithë atyre që refuzonin pagimin e zekatit. Ai formoi njëmbëdhjetë ushtri, të cilat niseshin nga qendra e operacioneve, në Medinen e bekuar. E gjithë kjo bëhej me qëllim forcimin e stabilitetit ekonomik në gadishull.

Me këtë qëndresë, Ebu Bekri kontribuoi në ruajtjen e identitetit të umetit dhe ruajti ekonominë e tij. Kurrë nuk është parë në histori apo në ndonjë fe tjetër, që dikush të ketë luftuar për shkak se është refuzuar një nga të drejtat e të varfërve.

Është për të ardhur keq që mbi shtatëdhjetë e pesë milionë banorë të vendeve arabe, jetojnë nën nivelet mesatare të varfërisë. Më shumë se nëntë përqind e fëmijëve, vdesin çdo vit në botën arabe dhe islame, për shkak se nuk sigurojnë dot ushqimin.

Ajo që bëri Ebu Bekri, i shërbeu stabilitetit të umetit musliman. Prandaj, që umeti të jetë i stabilizuar, duhet të vërë në jetë parimin "Më trego tregun", duhet t'i hyjë fuqishëm fuqizimit ekonomik.

Muhamed ibnul Hasen, ka qenë nxënës i imam Ebu Hanifes. Një herë, shërbëtorja e tij hyri në dhomën ku qëndronte dhe i tha se ishte mbaruar mielli. Muhamed ibnul Hasen i tha:"Nga këto fjalë më humbe dyzet çështje fikhu."

Një njeri që mendon rreth ushqimit të përditshëm, nuk mund të përqendrohet në studime dhe nuk mund t'i përkushtohet nxënies së dijeve.

Kështu, shohim që stabiliteti ekonomik, është kusht dhe kriter në vënien në jetë të "Më trego tregun".

Stabiliteti ekonomik, ofron stabilitetin shoqëror. Prandaj, fjalët "Më trego tregun" janë tregues i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë së një vendi.

Në kohën e Profetit alejhisselam, sa herë që muslimanët shtinin nën kontrollin e tyre një krahinë ose territor, tokat ua shpërndanin luftëtarëve. Diçka e tillë ndryshoi me ardhjen e Halifes Umer ibnul Hattab. Ai doli kundër traditës së Profetit alejhisselam dhe të Ebu Bekrit, por ishte diçka që ia impononin rrethanat, koha, vendi dhe zhvillimet e reja.

Umeri vendosi që çdo krahinë që hyn nën kontrollin e muslimanëve, tokat nuk u shpërndahen si më parë luftëtarëve por ruhen për brezat e ardhshme.

Juristët muslimanë kanë mendime të ndryshme rreth ndihmës financiare që një i pasur i jep një të varfëri. Shkaku i këtij debati është nëse i pasuri duhet t'i japë të varfërit aq sa t'i mjaftojë për një vit, apo për gjithë jetën. Një grup juristësh muslimanë, ku bën pjesë dhe Umer ibnul Hattabi, janë të mendimit që sasia që i jepet të varfrit të jetë e bollshme dhe të plotësojë nevojat e tij.

Ndërkohë që grupi tjetër, mendojnë që shuma ose sasia t'i mjaftojë për një vit.

Gjithsesi, kjo varet shumë edhe nga vetë i varfëri. Nëse ai përballet me një krizë ekonomike të përkohshme, i jepet aq sa t'a ndihmojë të dalë nga kjo krizë dhe situatë e vështirë financiare, e cila mund të jetë një vit.

Por nëse i varfëri jeton në kushte ekstreme fukarallëku, është i sëmurë, i paralizuar dhe i pamundur, atëherë ndihmohet gjatë gjithë jetës për të përballuar jetesën ai dhe familja e tij.

Kështu, plani i ndjekur nga Umer ibnul Hattabi është një plan që i shërben forcimit të ekonomisë në një plan afatgjatë. Tokat e shtëna nën kontrollin e muslimanëve, ai i caktonte si prona vakëf të gjithë muslimanëve.

"Më trego tregun" janë fjalë të thëna nga Abdurrahman ibnu Auf, Zoti qoftë i kënaqur me të. Këto fjalë ai i tha në kushte shumë të vështira për të dhe familjen e tij. Nga një ndër pasanikët më të fuqishëm në Meke, ai u shndërrua në një ndër më të varfrit e shoqërisë muslimane në Medine.

Edhe pse i varfër, ai nuk pranoi të mëshirohej dhe të ndihmohej, por menjëherë kërkoi t'i tregonin vendndodhjen e tregut në Medine.

Ai e kishte braktisur vendlindjen e tij Meken dhe sapo ishte vendosur në Medine bashkë me Profetin alejhisselam dhe muslimanët e tjerë. Profeti alejhisselam ndërmori një hap të rëndësishëm për stabilizimin e muslimanëve të ardhur nga Meka, duke i vëllazëruar këta të fundit me muslimanët e Medines. Vëllai i Abdurrahman ibnu Aufit në Medine, qëlloi Sad ibnu Ebi Vekkas. Me t'u njohur, Sad ibnu Ebi Vekkas i tha vëllait në fe:"Do të të jap gjysmën e pasurive të mia dhe gjysmën e shtëpisë."

Por Abdurrahman ibnu Auf iu përgjigj:"Zoti të dhashtë bereqet në pasuri, shtëpi dhe familje. Unë dua vetëm të më tregosh vendndodhjen e tregut."

Islami e ka konsideruar të rëndësishme çështjen e financimit edhe në marrëdhëniet bashkëshortore dhe familjare. Kështu, nëse një bashkëshort është dorështrënguar dhe nuk shpenzon asnjë qindarkë për familjen, islami i jep të drejtë bashkëshortes së tij të kërkojë divorcin. Në një rast të tillë, divorci njihet me emrin "Divorc për shkak të dëmit" Dëmi në këtë rast, është se gruas nuk i plotësohen nevojat më elementare.

Pasuria është nga gjërat që ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore dhe morale të njeriut. Papunësia është ajo që e rëndon shumë moralin dhe gjendjen shpirtërore të një çifti bashkëshortor.

Tregon një bashkëshorte:"Im shoq është njeri i moralshëm, me edukatë, fetar i mirë dhe nuk ka asnjë të metë, veçse është i papunë. Ndërkohë që unë shkoj në punë, ai qëndron në shtëpi. Për shkak të qëndrimit të tij në shtëpi, mes nesh kanë lindur probleme të shumta. Im shoq ka qenë dhe është fëmija i përkëdhelur i prindërve të tij, të cilët kanë qenë të pasur."

Kjo bashkëshorte, kërkoi divorcin prej të shoqit, duke mos e duruar një situatë të tillë.

Kështu, kur themi "burrë" kemi synim një burrë që punon dhe është produktiv dhe jo dikë që nuk di të bëjë gjë. Edhe Kurani famëlartë, një njeri të tillë e quan burrë.

Nëse do të hapim rastet e divorceve në gjykatat e vendeve arabe, do të shohim që shumica ndodhin për arsye ekonomike. Shumë bashkëshortë janë të papunë ose kanë falimentuar për shkak se kanë ndërmarrë projekte të pastudiuara mirë. Industria e fitimit të pasurisë, është art më vete.

Shumica e njerëzve në mbarë botën jetojnë në fukarallëk ekstrem dhe "Më trego tregun" është një metodë për luftën kundër varfërisë në mbarë botën.

Institucionet, organizatat, kompanitë dhe biznesmenët që merren direkt me luftën kundër varfërisë sot janë të shumta dhe të përhapura në mbarë botën. Të gjithë janë mobilizuar në luftën kundër varfërisë dhe rritjen e nivelit të jetesës.

Është për të ardhur keq që shumë muslimanë i kanë keqkuptuar ose i interpretojnë gabim shumë hadithe të Profetit alejhisselam

Një nga këto hadithe, është dhe thënia e Profetit alejhisselam:"Hyra në xhenet dhe pashë që shumica e banorëve të tij janë njerëzit e varfër."

Shumë njerëz e përdorin këtë hadith për të treguar se të jesh i varfër është vlerë dhe diçka pozitive. Ata e përdorin këtë hadith për të treguar se që të fitosh xhenetin, duhet të jetosh i varfër në këtë botë.

Ndërkohë që i harrojnë shumë hadithe të Profetit alejhisselam i cili e luste Zotin t'a ruajë nga fukarallëku. Në një hadith, Profeti alejhisselam thotë:"O Zot! Më ruaj nga varfëria dhe mosbesimi!"

Profeti alejhisselam i kërkonte mbrojtje Zotit nga fukarallëku, pesë herë në ditë. Këtë e bënte me qëllim që ai dhe njerëzit e tjerë të jetojnë me frymën "Më trego tregun."

Në fund, e lusim Zotin të na bëjë të ndërgjegjshëm për situatën që jetojmë, të na japë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Burimi:

http://www.ikratv-alb.net/

E diel, 26 Shtator 2010 21:20