Prof. Xhasim El-mutava

Padyshim që një ndër çështjet që duhet t'a shqetësojnë çdo musliman është dhe varri dhe jeta e përtejme.

Atëherë, le të shkojmë pranë një varreze dhe të shohim banesën përfundimtare të njeriut në këtë botë.

Mu tek dera e varrezës, shohim një tabelë ku shkruan:"Paqja qoftë mbi ju banorë muslimanë dhe besimtarë të këtij vendi. Në dashtë Zoti, edhe ne do u bashkangjitemi."

Kur themi:"Paqja qoftë mbi ju banorë" kuptojmë që ata banojnë në një vend, ashtu siç banojmë edhe ne. Ndryshimi i vetëm është se ne banojmë mbi tokë, kurse ata nën tokë.

Ne kemi shtëpi dhe ata kanë shtëpi, ne jetojmë dhe ata jetojnë, por në një botë tjetër të ndryshme me tonën. Janë pikërisht këto ngjasime, ato që na bëjnë që banorëve të varrezës t’ju drejtohemi me fjalët:”Paqja qoftë mbi ju o banorë të këtij vendi!”

Me këtë i përshëndesim dhe padyshim që përshëndesim dikë që e dëgjon dhe e kthen përshëndetjen.

Një ditë, kisha vajtur për të vizituar varret e të afërmve të mi. Në varrezë takova një burrë, me të cilin u përshëndetëm dhe bëmë një dorë muhabet.

Gjatë bisedës, ai më pyeti:”A e din përse vij këtu në varreza?”

Unë iu përgjigja:”E nga t’a dij unë?!”

Ai më tha:”Sa herë që përballem me telashe në këtë botë, sa herë e ndjej që ndodhem në një qorrsokak nga i cili nuk di si të dal, sa herë që përballem me kriza ekonomike ose shëndetësore etj... unë vij tek varrezat.”

I habitur, e pyes:”Po përse e bën këtë?!”

Ai u përgjigj:”Kur shoh hallet dhe fatkeqësitë e të tjerëve, të miat më duken më të lehta. Duke kaluar mes varreve, mendoj se këta njerëz dikur ecnin mbi tokë si unë. Ashtu si këta, edhe unë do të jetoj brenda atij varri të ngushtë. Për shkak të aktiviteteve të përditshme më duket sikur hallet nuk kanë të sosur. Por kur vij këtu tek varrezat e shoh se gjithçka e ka një fund. Kështu, më zbutet dhe qetësohet zemra e trazuar.”

Gjatë vizitës së vareve, secili prej nesh vëren që atje ndodhen të varrosur edhe fëmijë të vegjël. Vdekja nuk mëshiron askënd prej nesh. Ajo nuk njeh të vegjël e të mëdhenj, eprorë e vartës. Ajo nuk bën dallime, të gjithë i fshin.

Nëse të vjen çasti i vdekjes, për disa sekonda do të jesh në botën tjetër.

Secilit prej nesh, kur i jepet shpirti në barkun e nënës, i caktohet jetëgjatësia në këtë botë.

Ne muslimanët, kemi një koncept plotësisht tjetër për vdekjen, nga ai i perëndimorëve dhe jomuslimanëve.

Për ne muslimanët, vdekja është qetësi dhe çlodhje nga vuajtjet e kësaj bote. Ajo është transferim nga jeta e kësaj bote, në jetën e botës tjetër.

Vdekja është mundësia e vetme ku secili korr atë që ka mbjellë në këtë botë. Për këtë, dijetarët muslianë thotë:

“Njeriu në këtë botë, kalon në pesë etapa: E para, është etapa e krijimit fillestar, ku Zoti i madhëruar i krijoi njerëzët në madhësinë e atomit dhe u kërkoi të dëshmonin që Ai ishte Zoti dhe Krijuesi i tyre. Zoti i pyeti njerëzit:”A nuk jam Unë Zoti juaj? Ata thanë:”Sigurisht.”

Thotë Profeti a.s:”Çdo fëmijë, lind në natyrën e tij të pastër. Janë prindërit ata që e kristianizojnë ose i japin fenë çifute.”

Kjo do të thotë, që në etapën e tij fillestare të krijimit, kur ishte sa një atom, njeriu e pranoi dhe dëshmoi që zoti i vërtetë është vetëm Allahu i madhëruar.

Etapa e dytë, fillon me formimin e embrionit në barkun e nënës dhe më pas lindjen e tij dhe daljen në këtë botë.

Etapa e tretë, është etapa e vdekjes dhe varrosjes së njeriut në barkun e tokës. Kështu, ndryshimi ynë me ata që kanë vdekur, është se ne jetojmë në etapën e dytë, ndërkohë ata jetojnë në etapën e tretë.

Etapa e katërt është kur të ringjallemi Ditën e Kijametit.

Kurse etapa e pestë, është kur njerëzit të ndahen përfundimisht mes banorëve të xhenetit dhe të zjarrit.

Këto ishin pesë etapat e jetës së njeriut, që nga fillimi deri në fund. Prandaj, një njeri që mendon se kjo botë është bota e jetës, është dritëshkurtër dhe mendjengushtë. Një njeri i tillë, nuk e sheh këtë botë, ashtu siç kërkon dhe na ka urdhëruar Zoti i madhëruar.

Është sunet, që pas çdo namazi, muslimani të lutet me fjalët:”O Zot! Më mbro nga dënimi i zjarrit, fitneja e Dexhalit, fitneja e jetës dhe e vdekjes.”

Abdullah ibnu Abasi thoshte:”Nuk i pranohet namazi atij që në fund nuk lutet me fjalët:” O Zot! Më mbro nga dënimi i zjarrit, fitneja e Dexhalit, fitneja e jetës dhe e vdekjes.”

Një ndër lutjet e bukura rreth etapës së vdekjes është:”O Allah! Na e ndriço varrin, na e lehtëso shtrëngimin e varrit dhe na ringjall në shoqërinë e profetëve, njerëzve të ndershëm dhe shehidëve!”

Jeta në varr, fillon me një provim, ku njeriut i drejtohen tre pyetje. Rreth këtij fakti, ka folur i dërguari i Zotit a.s, ku thotë:”Me t’u vendosur në varr muslimani, do të pyetet:”Kush është Zoti yt, kush është profeti yt dhe cila është feja e Zotit?”

Janë tre pyetje shumë të lehta, të cilat e bëjnë provimin shumë të kollajtë. Ky është një provim që ndryshon plotësisht nga provimet e kësaj bote, të cilat zakonisht përbëhen nga mbi tridhjetë pyetje.

Gjithësesi, edhe pse këto pyetje duken shumë të lehta, për shumë njerëz ato do të jenë tejet të vështira.

Profeti a.s ka thënë:”Varri do të jetë lulishte nga ato të xhenetit, ose gropë nga gropat e zjarrit.”

Duke e ditur diçka të tillë, Profeti a.s na ka pajisur me mekanizmat dhe udhëzimet e duhura të jetës së varrit. Thotë Profeti a.s:”Kush i ka fjalët e fundit “La ilah il-lallah” ka fituar xhenetin.”

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kur vdes njeriu, i ndërpriten veprat e tij të mira, përveç tre: Një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila përfitojnë njerëzit dhe një fëmijë i ndershëm i cili lutet për të.”

Tek sadakaja rrjedhëse, bën pjesë çdo lloj ndihme dhe përkrahjeje. Edhe një buzëqeshje në islam konsiderohet si sadaka.

Tek dijet, bën pjesë çdo lloj kontributi në përhapjen e dijes. Çdo gjë që lexohet, shikohet dhe dëgjohet bën pjesë tek dijet.

Kurse përsa i përket fëmijës që lutet për prindërit, ky fëmijë mund të jetë djalë ose vajzë, pa dallim.

Tregon Ebu Seid El-hudrij:”Kur e vendosëm Sad ibnu Muadh në varr, nuhatëm erën e miskut.”

Kjo do të thotë se Zoti do ua ndriçojë njerëzve të ndershëm jetën në varr.

Gjatë jetës së Profetit a.s, xhaminë e pastronte një grua me lëkurë të zezë. Kur ajo vdiq, muslimanët i falën xhenazen dhe e varrosën, pa i thënë Profetit a.s. Kur Profeti a.s e ndjeu mungesën e saj, i pyeti shokët se ku ishte dhe ata i treguan se kishte vdekur dhe ishte varrosur. Profeti a.s u tha:”Përse nuk më treguat?!”

Më pas, Profeti a.s vajti tek varrezat, iu afrua varrit të saj dhe fali namazin e xhenazes.

Banorët e varrit, do të jetojnë në errësirë, të cilën mund t’a largojnë vetëm namazi, lutjet, përkujtimi i Zotit etj...

Sa herë që vizitojmë varret, është mirë të lutemi:”O Zot mëshiroji, falua gjynahet, pastroji dhe mbroji nga zjarri.”

Një i ditur thotë:”Njerëzit janë në gjumë, derisa t’ju vijë vdekja e cila i zgjon.”

Një tjetër njeri i ditur dhe i ndershëm thotë:”Jeta e kësaj bote përfundon shumë shpejt, prandaj mbushe atë me bindje ndaj Zotit.”

Kur u pyet profeti Nuh a.s se sa e gjatë i ishte dukur jeta mbi tokë, u përgjigj:”Mu duk si një shtëpi me dy dyer, ku unë hyra tek njëra dhe dola nga dera tjetër.”

Nëse do ishte e mundur dhe të pyesnim një të varrosur, sa ka jetuar në këtë botë, padyshim që përgjigja do të ishte:”Një orë, ose diç më shumë.”

Me këtë rast, më kujtohet një ndodhi në lagjen time. Një nga banorët e lagjes, vinte gjihmonë me ne në xhami të falej. Një ditë ai ndërroi jetë dhe të gjithë ne vajtëm në varrim. Përbri varrit të tij, ndodhej dhe një varr tjetër i hapur. Një nga banorët e tjerë që ndodhej aty pranë, u tha punëtorëve të komunales:”Këtë varr, do ia lini atij që i takon!”

Vetëm tre orë më vonë, personi që u varros në këtë varr, ishte ai që tha fjalët e mësipërme.

Njeriu nuk e din kur mund të befasohet nga vdekja, prandaj e lusim Zotin që kurdo të na vijë ai çast, të na mëshirojë dhe të vdesim si muslimanë.

Për lindjen, vdekjen dhe jetën e shkurtër të njeriut, një poet thotë:

 

Ezani na thirret ditën që lindëm

Namazi na u fal atë ditë që vdiqëm

Kjo tregon sa e shkurtër është kjo jetë

Sa koha mes ezanit dhe një namazi të qetë.

 

Kjo botë është e pavlefshme, nëse krahasohet me botën tjetër dhe përjetësinë e saj. Jeta e vërtetë është ajo e botës tjetër, ku do të jemi të përjetshëm. Prandaj ne duhet të jemi të përgatitur kurdo të na vijë vdekja.

Secili prej nesh, do të vdesë një ditë, do të mbahet mbi supe dhe do të varroset nga njerëzit më të afërt. Prandaj ne duhet të planifikojmë dhe të pregatitemi mirë, me qëllim që të mos pikëllohemi dhe pendohemi, atë ditë kur nuk vlen pendimi.

Një herë, profeti Sulejman ndodhej në shoqërinë e një prej miqve të tij. Ndërkohë që ishin duke biseduar dhe kuvenduar, vjen një burrë i cili edhe pse fliste me Sulejmanin a.s, sytë ia kishte ngulur mikut të Sulejmanit a.s.

Pasi doli, miku e pyeti Sulejmanin:”Kush ishte ai burrë që nuk mi ndante sytë?”

Sulejmani iu përgjigj:”Ai nuk ishte njeri, por ishte meleku i vdekjes.”

Miku i tha:”Pash Zoti më dërgo në Indi, pasi nuk qëndroj dot në një vend ku ndodhet meleku i vdekjes!”

Sulejmani a.s urdhëroi erën që t’a transportojë atë person për në Indi dhe ashtu ndodhi. Pas pak, u kthye përsëri meleku i vdekjes, dhe Sulejmani e pyeti:”Përse ia ngule sytë në atë mënyrë personit i cili ndodhej me mua?”

Meleku i vdekjes i tha:”U habita pasi Zoti më kishte urdhëruar t’ia marr shpirtin atij personi në Indi, ndërkohë që ai ishte me ty! Kështu, kur vajta në Indi, e gjeta pikërisht në vendin ku më kishte urdhëruar Zoti dhe ia morra shpirtin.”

Askush nuk mund t’i shmanget vdekjes, sido dhe kudo që të fshihet. Ilaçi më i mirë i vdekjes, janë veprat e mira të cilat të nderojnë para melekëve, para Profetit a.s dhe para vetë Zotit të madhëruar.

Objektivi më i vlefshëm i njeriut, është ai objektiv i cili e bën të jetojë edhe pasi të ketë vdekur. Ai duhet të ketë qëllim të mirë, vepra të mira dhe të gjitha këto sipas urdhërave dhe porosive të profetit Muhamed a.s.

Në fund: Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Burimi:

http://www.ikratv-alb.net/

E diel, 25 Korrik 2010 17:43