Prof. Xhasim El-mutava

Leximi i librit, është diçka themelore për këdo që kërkon të zgjerojë dijet dhe njohuritë.

Po të hedhim një vështrim në ambientin ku jetojmë, secili prej nesh, harxhon dhe shpenzon pasuri të shumta për ushqimin, mobilimin e shtëpisë, dëfrimin etj... Por vallë sa janë shpenzimet tona për leximin dhe shtimin e njohurive? Sa shpenzojmë për të pasur një bibliotekë familjare? Sa kohë na merr leximi i librave?

Umer ibnul Hattabi, gjatë kalifatit të tij, nxori një dekret të cilin ua drejtoi popullatës së Lantonit (Shamit) ku i urdhëronte t'u mësojnë fëmijëve shkrim dhe lexim.

Edhe pse ishte Halifeja i të gjithë muslimanëve, edhe pse ishte mbi gjashtëdhjetë vjeç dhe me flokë të thinjur, ai u kushtonte rëndësi fëmijëve të muslimanëve në Lanton.

Sot është bërë zakon që të shiten dhe të blihen lojtarët e futbollit për dhjetëra milionë euro. Lojtari më i shtrenjtë që është shitur ndonjëherë, u shit për gjashtëdhjetë e pesë milionë dollarë.

Nëse një lojtar vlejtka gjashtëdhjetë e pesë milionë dollarë, vallë sa vlejnë dijetarët, studiuesit, shkencëtarët dhe mendimtarët tanë? Përse të mos i trajtojmë edhe këto grupe, ashtu siç trajtojmë futbollistët? Përse të mos i vlerësojmë edhe studentët, lexuesit dhe nxënësit për mundin?

Shumë prej nesh sot janë distancuar nga leximi i librave dhe i gazetave. Aq shumë është përhapur kjo epidemi, saqë edhe kur shkojmë në një restorant, i kërkojmë kamerierit të na sjellë çfarë të dojë, ngaqë përtojmë të lexojmë edhe menynë.

Ne, sot jetojmë në një krizë të vërtetë për sa i përket leximit dhe studimit. Ne njihemi si umeti i leximit, por që kohët e fundit e kemi braktisur këtë vlerë. Civilizimi dhe qytetërimi ynë e ka zanafillën e tij në fjalët "Lexo". Kushdo që lexon historinë dhe jetëshkrimet e figurave të ndritura, do të zbulojë se ata ishin kolosë, të ditur, gjeni dhe talente të shkëlqyera në fusha të ndryshme. E gjithë kjo, erdhi si pasojë e studimit intensiv dhe leximit të literaturës.

Një histori shumë e bukur që tregohet, personazhi i saj është një burrë nga qyteti Mosul i Irakut. Ai quhej Ebul Kasim El-mosuli. Me fondet e tij, ai ndërtoi bibliotekë të madhe në Mosul dhe e dhuroi si vakëf për studentët dhe studiuesit. Kushdo që vinte në Mosul dhe Irak për të nxënë dije, patjetër që do të ndalej edhe tek biblioteka e Ebul Kasim. E veçanta e kësaj historie, është se kushdo që hynte në bibliotekë nga nxënësit dhe studentët e shumtë, i jepeshin fletë dhe një penë për të shkruar. Veç kësaj, nëse ishte i varfër i jepej një shumë të hollash me të cilat garantonte fjetjen dhe shpenzimet e qëndrimit në Mosul.

Unë kam vizituar bibliotekën e Kongresit amerikan, bibliotekën kombëtare në Turqi dhe Gjermani dhe nuk kam hasur diçka të tillë, ku studentëve dhe nxënësve t'ju ofrohen të holla nga biblioteka.

Ali ibnu Jahja, një burrë i dhënë pas dijeve dhe leximit, ndërtoi dhe pajisi me libra një bibliotekë të tërë në Bagdad. Duke qenë se ishte tregtar, ai ndërtoi një pallat të madh, një pjesë të të cilët e vuri në funksion të bibliotekës publike.

Asokohe, Iraku kishte mbi tridhjetë e gjashtë biblioteka publike. Vetëm rruga me emrin "Rruga e letër punuesve" kishte mbi njëqind librari ku shiteshin libra.

Ali ibnu Jahja, nuk u mjaftua me ndërtimin dhe pajisjen me libra të bibliotekës, por garantonte dhe qëndrimin dhe ushqimin e studentëve dhe nxënësve. Me këtë, ai sikur i ftonte të gjithë të apasionuarit pas dijeve dhe shkencës, që të shkonin dhe të merrnin dijet e nevojshme.

Të tillë ishin tregtarët dhe biznesmenët muslimanë të asaj kohe. Ata ndërtonin biblioteka, i pajisnin me literaturën e duhur dhe u ofronin studiuesve dhe studentëve shërbimet jetësore, për të qenë të angazhuar vetëm me fushën e studimeve të tyre.

Kur një nga dijetarët e talentuar u pyet:"Si nuk po ngopesh së lexuari?!"

Ai u përgjigj:"Dua që jetën t'a jetoj më shumë se një herë."

Por nëse do i kthehemi aktualitetit të sotëm, do të mbetemi gojëhapur dhe të befasuar. Në raportin e fundit të UNESCO-s, thuhet që arabët lexojnë vetëm gjashtë minuta në ditë.

Në këto momente që po regjistrojmë emisionin, unë ndodhem brenda një biblioteke dhe pranë meje ndodhet një nga librat e vyer që lanë pas dijetarët tanë të nderuar. Ai titullohet:"Esh-sheref El-vafij" dhe është i ndarë në kolona. Kolona e parë, nga lart poshtë ka tematikë juridike (fikhu). Kolona e dytë ka tematikë gramatike arabe, e treta me tematikë historike dhe e katërta mbi rimën e poezive.

Autori i këtij libri, është Ismail ibnu Ebi Bekr El-mukri, nga Jemeni. Mes tij dhe një të dituri nga Egjipti, ekzistonte një rivalitet dhe konkurrencë shumë e fortë.

Dijetari i Egjiptit i thoshte jemenasit:"Unë kam më shumë talent se ti", ndërkohë që jemenasi mburrej me talentin dhe aftësitë e tij. Të dy shkruanin libra të ndryshëm, për të vërtetuar aftësitë, profesionalizmin dhe epërsinë ndaj njëri-tjetrit.

Kur e sheh veten para këtij numri të pafund dorëshkrimesh dhe librash, patjetër që të shkon mendja tek civilizimi që ndërtuan të parët tanë.

Para disa ditësh, po kërkoja disa të dhëna dhe statistika mbi përqindjen e analfabetizmit në botë. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte se përqindja e analfabetizmit në botën arabe ishte shumë e lartë, ndërkohë që në Europë ishte shumë herë më e ulët.

Kurse në disa shtete të Amerikës, përqindja e analfabetizmit ishte zero përqind.

Këto të dhëna, më bënë të kërkoj diçka më shumë rreth analfabetizmit në Andaluzi dhe në Europën e mesjetës. A e dini sa ishte përqindja e analfabetizmit në Andaluzi asokohe?

Një përqindje na e jep orientalisti holandez, Roze, i cili thotë:"Në Andaluzinë muslimane, nuk gjeje asnjë njeri që nuk dinte shkrim apo këndim. Kurse në Europën e asokohe, përveç disa priftërinjve askush tjetër nuk dinte shkrim dhe këndim."

Pra, përqindja e analfabetizmit në Andaluzinë muslimane ishte zero.

A e shihni ku kemi qenë dhe ku kemi përfunduar?

Kur muslimanët fituan kundër romakëve në Andaluzi, paria e muslimanëve kërkuan që të përktheheshin të gjithë librat që ndodheshin në bibliotekën e mbretit romak.

Me këtë rast, më kujtohet një nga dijetarët muslimanë, i cili e kishte bërë zakon që gjithmonë të lexojë librat me fletë të verdha, librat e vjetër. Asokohe ai ishte gjashtëdhjetë vjeç dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Kur vajtëm ne nxënësit e tij për t'a vizituar, e gjetëm të shtrirë mbi krevat duke lexuar një nga librat e tij me faqe të verdha. Doktorët na kërkuan që t'i flasim për t'a lënë leximin dhe të qetësohet.

Në atë çast, i dituri iu kthye doktorit dhe i tha:"Nëse kërkon të qetësohem, më lër me librat."

Libri "El-eganij" është një ndër librat më të njohur në literaturën klasike islame. Kushdo që e lexon këtë libër, zbulon rëndësinë e qëndrimit të hapur të muslimanëve, kundrejt civilizimeve të tjera dhe komunikimin e tyre me jomuslimanët.

Thotë Profeti alejhisselam:"Urtësia është virtyti i humbur i një besimtari dhe kudo që e gjen, ai është më i meritueshmi."

Ne muslimanët, nuk e shohim si të rrezikshme hapjen ndaj kulturave dhe ideologjive të tjera. Malli që posedojmë është i një cilësie shumë të lartë dhe i sofistikuar shumë mirë. Vetë libri i sipërpërmendur "El-eganij" përmban gjithçka të dobishme dhe të padobishme. Nga vetë titulli, ai tregon që është një libër gjithëpërfshirës, pasi flet në shumë fusha. Secili prej nesh, fiton pjekuri dhe aftësi komunikimi, duke debatuar dhe biseduar me njerëz të shtresave të ndryshme.

Bibliotekat tona janë të tejmbushura me literaturë të dobishme, gjë e cila është pikë force për ne në kuadrin e hapjes ndaj botës. Vetë i dërguari i Zotit alejhisselam thotë:"As mos i besoni por as mos i përgënjeshtroni tekstet e ithtarëve të librit!"

Kjo do të thotë që ne duhet të japim dhe të marrim, të diskutojmë dhe të mbajmë shënime. Prandaj, literatura jonë merret për bazë për të gjithë ata që dëshirojnë të shkruajnë në një fushë të caktuar.

I gjithë civilizimi perëndimor dhe europian, është produkt i literaturës dhe kërkimeve shkencore.

Një libër tjetër me rëndësi është dhe "Enciklopedia e fëmijës." Ajo që më bëri të përzgjedh këtë libër, është se nëse duam të ndërtojmë civilizimin tonë, nëse duam të kemi zhvillim dhe prosperitet, nëse duam që umetit tonë t'ia kthejmë lavdinë e humbur, duhet të fillojmë nga fëmijët tanë.

Me qëllim që familjen dhe kryesisht fëmijët, të lidhen me librin, në Amerikë u krye fillimisht një studim. Gjatë studimit, u pa që një në çdo katër shtëpi, kishte më pak se dhjetë libra në bibliotekën familjare. Diçka e tillë u konsiderua si fatkeqësi dhe krizë edukative. Kështu, filluan të vendosin projekte dhe strategji mbi mënyrat si t'a lidhin fëmijën me botën e librit.

Duke parë që fëmijët e kanë të domosdoshme të shkojnë për vizitë tek dentisti, vendosën që çdo klinikë dentare të pajiset me libra të ndryshëm për fëmijë. Çdo fëmijë që vizitonte klinikën dentare, qoftë dhe një herë, i dhurohej një libër që i përshtatet moshës së tij. Një projekt i tillë dha rezultate shumë të kënaqshme.

Në Egjipt kemi një rast tjetër që ia vlen të vlerësohet dhe merret si model. Gruaja e presidentit të Egjiptit, Suzan Mubarek, njihet për kontributet e saj të shumta, sidomos në edukimin e fëmijëve. Është pikërisht kjo grua ajo që ka mbështetur botimin dhe shpërndarjen e librit "Enciklopedia e fëmijës."

Nëse duam t'a lidhim fëmijën me librin që në vegjëli, është mirë që në krevatin ku flenë, t'i vendosim një libër çfarëdo. E rëndësishme është që fëmija të ambientohet me librin, të jetojë me të, të shohë prindërit duke lexuar libra. Një fëmijë i tillë që jeton me librin, patjetër që do të lidhet me librin dhe do jepet pas leximit të tij.

Një nga poetët anglezë, gjatë një debati me një të pasur i tha:"Ti mund të kesh pasuri më shumë se unë, por unë jam më i pasur se ti. Kjo, sepse unë kam një nënë që më lexon libra."

Vallë a do i kthehemi ne muslimanët, lavdisë, civilizimit, fuqisë dhe madhështisë së gjyshërve tanë?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, përgjigja e së cilës patjetër që është po. Por si do të ndodhë diçka e tillë dhe kur?

Vetë Japonia e filloi zhvillimin e saj me fëmijët. Kina po ashtu, vetë Amerika që shohim sot e filloi me fëmijët.

Është për të ardhur keq që sipas raporteve të UNESCO-s, tre shtete arabe janë të pamundur për të plotësuar nevojat e fëmijëve për arsim, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Kjo tregon krizën që ka përfshirë botën arabe dhe atë islame për sa i përket edukimit të fëmijëve. Zgjidhja e vetme është që fëmijët tanë – edhe pse të varfër – t'i lidhim me botën e librit.

Si kusht të vetëm që robërit e betejës së Bedrit të fitonin lirinë, Profeti alejhisselam caktoi që secili prej tyre t'iu mësonte fëmijëve muslimanë shkrimin dhe leximin.

Po. Ne jemi të aftë t'i shërbejmë sërish njerëzimit, të ndërtojmë civilizimin tonë etj.... por vetëm duke qenë të lidhur me librin dhe leximin. Ne jemi umeti i fjalëve "Lexo" dhe këtë duhet t'a kultivojmë dhe tek fëmijët tanë.

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Burimi:

http://www.ikratv-alb.net/

E diel, 06 Qershor 2010 17:09