Prof. Xhasim El-mutava

Të ftosh në islam, të ftosh në rrugën e Zotit dhe në rrugën e drejtë është nder i madh. Është nder dhe krenari njëkohësisht të jesh ftues në udhën e Zotit.

Thotë Hasan El-Basri:"Ftuesit janë kripa që lezeton shijen e jetës mbi tokë."

Çdo musliman është një ftues, gjë të cilën e konfirmon vetë Zoti në Kuran ku thotë:"E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.”(Fussilet 33)

 

Kur Profeti alejhisselam e nisi Aliun në një betejë, i tha:"Nëse Zoti të bën shkak që të udhëzosh dikë në islam, është më mirë se devetë e kuqe."

Devetë e kuqe në kohën e Profetit alejhisselam dhe të shokëve të tij ishin diçka e rëndësishme. Ato ishin të mëdha, të shtrenjta, të fuqishme, të hijshme.

Devetë e kuqe për kohët moderne janë pasuritë e paluajtshme, puset e naftës, pronat, pallatet, vilat, makinat etj... Kështu, nëse duam që hadithin e mësipërm t'ia përshtatim kohës, themi: Nëse Zoti të bën shkak që të udhëzosh dikë në islam, është më mirë se një pus nafte, apo gradaçelë.

Që të jesh ftues në rrugën e Zotit, duhet t'i posedosh disa cilësi dhe aftësi. Fillimisht duhet të kesh disa njohuri bazë dhe mënyrën si t'ua servilësh ato të tjerëve.

Gjatë regjistrimit të disa emisioneve, pranë nesh kaloi një burrë që shiste akullore. Kur unë e pyeta se çfarë lloj akulloresh posedon, ai më nxori një menu ku ishin shënuar të gjithë llojet e akulloreve bashkë me fotot e secilës. Ashtu siç e bëri të lehtë shitjen e akulloreve ky person, po aq e lehtë është edhe servilja e fesë islame tek njerëzit.

Ne kemi një trashëgimi dhe thesar të cilin duam t'jua servilim njerëzve të tjerë të cilët nuk ia dinë vlerën. Ashtu siç shitësit janë kategori të ndryshme, ku disa të bindin menjëherë për t'a blerë mallin e tij, edhe ftuesit janë kategori të ndryshme. Disa prej tyre të bindin menjëherë, ndërkohë që të tjerë kanë nevojë për kohë më të gjatë, sipas mundësisë për të krijuar lidhje dhe për të dialoguar.

Kur Profeti alejhisselam me muslimanët u penguan nga kurejshët për të kryer Umren, kurejshët dërguan disa negociatorë që t'a bindin Profetin alejhisselam të kthehet. Një ndër negociatorët që dërguan ishte dhe Halis ibnu Alkame. Kur e pa Profeti alejhisselam duke u afruar, u tha muslimanëve:"I nxirrni kafshët që kemi caktuar për kurban!"
Këtë e bënte pasi Halis ibnu Alkame e kishte shumë të shenjtë Qaben dhe kurbanët që flijoheshin në Qabe. Me këtë formë komunikimi, Profeti alejhisselam i dërgonte një mesazh shumë të rëndësishëm, që muslimanët e shenjtërojnë Qabenë dhe kurbanet.

Kur Halis u kthye tek kurejshët, u tha:"Të mjerët ju! Si kërkoni të vrisni një burrë që ka sjellë kurbanë për t'i therur në Qabe?!"

Kur Roxher Garodi pranoi islamin tha:"Kam lexuar të gjithë fetë, filozofitë dhe ideologjitë e tjera dhe kam parë që kanë mall shumë të dobët, por kishin misionarë të aftë. Lexova dhe islamin dhe pashë që është feja më madhështore, por muslimanët nuk kanë ftues të aftë.

Unë personalisht mendoj se umeti musliman vazhdon të ketë shumë të mira dhe bereqet. Thotë Profeti alejhisselam:"Shembulli i umetit tim, është si shembulli i shiut, bereqeti i të cilit nuk dihet nëse është në fillim apo fund."

Dijetarët, ftuesit dhe mësuesit muslimanë sot janë të shumtë dhe secili jep kontribut në përhapjen e islamit.

Në një hadith tjetër Profeti alejhisselam thotë:"Vetë Zoti, melekët e Tij, banorët e qiellit dhe të tokës, edhe milingona në folenë e saj, balena në mes të detit, luten për dikë që u mëson njerëzve të mirën."

Një privilegj të tillë e gëzojnë ata që ftojnë në rrugën e Zotit dhe që u mësojnë njerëzve të mirën dhe virtytin.

Një njeri i tillë mund të jetë dikush që ka mbrojtur doktoratën, por mund të jetë dhe një fermer i thjeshtë. Një privilegj të tillë mund t'a gëzojë edhe një njeri që i tregon dikujt tjetër vetëm një hadith të Profetit alejhisselam apo një ajet të Kuranit.

Ne sot shpenzojmë miliona për të ndërtuar dhe dekoruar shtëpitë tona. Përse të mos shpenzojmë edhe për t'a çuar përpara ftesën islame. Përse të mos shpikim metoda dhe mekanizma të reja në përhapjen e fesë?

Unë njoh disa të rinj të cilët përdorën një metodë shumë efikase për t'u mësuar njerëzve islamin. Ata u shpërndanë në grupe dhe shkonin në kafene ku u flisnin njerëzve rreth fesë.

Abdurrahman Sumejt ndërmori një fushatë sensibilizimi për mbledhjen e donacioneve për Afrikën. Donacionet nuk do të ishin të holla, por syze të vjetra që nuk përdoreshin, të cilat do u dërgoheshin njerëzve me probleme shikimi në Afrikë.

Si rezultat i metodave dhe mënyrave të reja në ftesën islame, vetëm në Amerike kanë pranuar islamin njëqind e tridhjetë e pesë mijë vetë dhe kjo gjatë vitit 2005.

Kurse në Kuvajt, kanë pranuar islamin katërmijë e treqind jomuslimanë të cilët ushtronin aktivitetin tek ne.

Disa prej tyre tregojnë se shkak i konvertimit ishte martesa me muslimanë. Disa të tjerë kanë kërkuar informacion pranë shoqatave dhe komiteteve që merren me të huajt në Kuvajt.

Një grua thotë: "Unë e ndjeva që islami është rruga dhe feja e vërtetë, prandaj vendosa të konvertohem në muslimane. Momentet kur dëshmova se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, janë momente që unë kurrë nuk mund t'i harroj. "

Një tjetër thotë: "Islami është fe e dijes dhe shkencës. Ai i urdhëron njerëzit të bëjnë punë të mira dhe i ndalon nga veprat e liga. Pas një bindjeje të plotë që islami është feja e vërtetë, vajta në xhami dhe shqiptova shehadetin. Kjo ndodhi në vitin 1999."

Unë habitem me disa ftues të cilët kërkojnë t'a përhapin fenë vetëm sipas mënyrës që ata dinë dhe zakonisht kjo mënyrë është e dhunshme.

Një ftues, i ngjan më së shumti një doktori. Përveç mjeteve të kirurgjisë, doktori përdor edhe analizat e gjakut, kontrollon tensionin e gjakut, rrahjet e zemrës etj...

Kushdo që kërkon të jetë ftues në islam, këtë mund t'a bëjë nëpërmjet profesionit dhe fushës së specializimit. Thirrja islame nuk është kompetencë vetëm e hoxhallarëve. Fëmija mund të jetë ftues, gruaja, burri, i riu, politikani, pastruesi i rrugëve etj...

Gjatë thirrjes në islam, ne duhet të kemi parasysh nivelin shoqëror të personave të synuar. Ne duhet t'i respektojmë dhe nderojmë sipas statusit që kanë.

Një herë, vajti një lypës tek Aisheja, gruaja e Profetit alejhisselam dhe i kërkoi diçka për të ngrënë. Aisheja i ofroi diçka dhe i kërkoi të largohej. Por kur erdhi dikush tjetër, që gëzonte një status të caktuar, ajo e uli dhe i ofroi ushqim. Ata që e panë, i thanë: "O nëna e besimtarëve! Si është e mundur që personit të parë i dhe bukë dhe i kërkove të largohet, kurse të dytin e ule dhe e ushqeve?!"

Ajo ua ktheu: "I respektoni njerëzit sipas statusit që kanë."

Një miku im, kishte komshi një grua nga Amerika. Sa herë që takohej me të, ai i dhuronte një libër rreth islamit me dëshirën e mirë që një ditë të përqafonte islamin. Pas një viti e gjysmë, miku im dëgjon nga e shoqja që komshia e tyre amerikane ka pranuar islamin, gjë e cila e gëzoi shumë. Menjëherë, ai shkoi dhe e uroi për zgjedhjen që kishte bërë. Gjatë bisedës, amerikanja e pyeti:"A e din kush është shkak që unë pranova islamin?"

Miku im mendoi se do i thotë që ishte pikërisht ai, me gjithë ato libra që i kishte dhuruar. Por ajo i tha: "Është jot shoqe."

Kjo e la pa fjalë mikun tim. Si ishte e mundur që bashkëshortja e tij, e paarsimuar dhe që nuk din asnjë fjalë anglisht t'a kishte bindur të pranojë islamin?!

Në fakt, e shoqja i kishte dhuruar një ditë një gjellë të gatuar prej saj, komshies nga Amerika. Gjella i kishte pëlqyer dhe i kishte kërkuar t'ia mësojë edhe asaj. Kështu, mes tyre kishte lindur një miqësi e cila ishte kurorëzuar me konvertimin e saj në islam.

Kur një i ri i kërkoi Profetit alejhisselam t'a lejojë të ketë marrëdhënie seksuale jashtëmartesore, Profeti alejhisselam e bindi të distancohet nga kjo vepër, me disa fjali të shkurtra.

Tregon një i ditur: "Një ditë pashë një burrë i cili përpiqej t'a fusë kalin në stallë duke e shtyrë nga pas. Duke qenë se kali nuk hynte, vajtën edhe katër burra të tjerë t'a ndihmojnë por të gjithë dështuan. Atëherë unë u kërkova të largohen nga kali, iu afrua dhe me gisht i prekte buzët sikur dëshiron t'i japë diçka. Kali filloi të joshej dhe e ndoqi personin derisa hynë bashkë në stallë pa asnjë problem"

Që t'a detyrosh kalin të shkelë aty ku dëshiron, duhet të dish gjuhën e tij.

I tillë duhet të jetë dhe ftuesi, ai duhet t'a njohë mirë mentalitetin e njerëzve të cilët i fton dhe të përdorë me ta metodat më bindëse.

Sot thirrja islame ka depërtuar pothuaj në çdo cep të globit dhe numri i muslimanëve është gjithmonë në rritje.

Me përhapjen e mjeteve të telekomunikacionit, interneti, satelitët, celularët etj... përgjegjësia jonë për përhapjen e fesë shtohet edhe më shumë.

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Burimi:

http://www.ikratv-alb.net/

E mërkurë, 02 Mars 2011