Personalitetet ngjasojnë me malet e larta. Ata lartësohen mbi të tjerët, shihen lehtë edhe nga larg, por ngjitja në lartësi është më e gjatë dhe më e lodhshme. Udhëtari që kërkon të arrijë majën, duhet të ecë shtigjeve e rrugëve të përpjeta dhe të thepisura dhe të përballojë me durim e këmbëngulje vështirësitë dhe lodhjen sfilitëse. Në lartësi ajri është më i freskët, më i pastër dhe horizonti më i gjerë. Në vetëdijen e popujve, malet simbolizojnë krenarinë, madhështinë, bukurinë dhe përjetësinë. Mbi majat e maleve gërshetohen vështrimet nga të gjitha pikat e horizontit.

Drejt kësaj maje vështrojnë fushat, vështrojnë kodrat dhe malet e tjerë të lartë për t'u orientuar. Rrugëtimi drejt kësaj maje është më i gjati po jo i mundimshëm, jo i lodhshëm, i butë dhe i këndshëm. Gjatë ngjitjes udhëtari ecën përmes livadheve të mbushura me lule shumëngjyrëshe ku mijëra bletë mbledhin nektarin dhe polenin. Provon kënaqësinë dhe freskinë e ujërave të pastër që rrjedhin përgjatë faqeve të malit dhe zbresin tatëpjetë përjetësisht. Dëgjon këngët e zogjve që përzihen me fëshfërimën e pyjeve shekullore. Të gjitha këto bukuri mahnitëse e ngrenë shpirtërisht udhëtarin në një botë të pastër si uji dhe ajri i këtij mali. Herë-herë majën e malit e mbulojnë retë dhe e mbështjellin me një vello të bardhë mjegulle. Ashtu i zhytur në re dhe mjegull, mali bëhet më i bukur e më madhështor dhe rrugët duket sikur shkojnë drejt qiellit. Kur retë dhe mjegulla shpërndahen, mali duket më qartazi.

Personaliteti që Zoti e pajisi më gjithë bukuritë dhe lartësitë e shpirtit, me vetitë më të mira e të rralla, mendjen më të zgjuar dhe zemrën më të pastër. Nga cilado anë të vështrohet, ai rrezaton dhe shërben si model për njerëzit e kohës së tij edhe për të gjitha gjeneratat e mëvonshme të njerëzimit. Nga ky model marrin shembull e frymëzim drejt së mirës: fëmija dhe i riu, i rrituri dhe i moshuari, jetimi dhe familjari, i pasuri dhe i varfëri, tregtari dhe luftëtari, pushtetari, mësuesi dhe predikuesi, pavarësisht kohëve, vendeve, pozicioneve shoqërore, gjendjes ekonomike dhe niveleve kulturore. Në kupën qiellore yjet ndritin më mirë në natën e errët. Personaliteti i mirë është ylli i karvanit. Kush orientohet nga ky yll, nuk e humbet rrugën e drejtë në botën tokësore dhe atë të përtejmen, që është e përjetshme.

Për personalitete janë shkruar shumë libra nga dijetarë, historianë e biografë, në gjuhë të ndryshme të botës. Për jetën dhe veprën e Personaliteteve te ndershëm është shkruar pak por është folur shumë, eh sikur të kishim bërë te kundërtën do të shkruhet dhe në të ardhshmen, pasi ajo është gurrë e pashtershme.

Ky tekst përpiqet të sjellë pak ujë prej kësaj gurre, për të shuar etjen e klimës së nxehtë që përjeton sot njerëzimi.

Porosit e Personaliteteve janë përcjellë në shekuj, brez pas brezi dhe gojë më gojë nga njerëz të mirë nga dijetarët, më të diturit, më të devotshmit, kanë qenë, mesazhe për mbarë njerëzimin. Ato kanë shërbyer si këshillë e mirë për çdo individ dhe çdo shoqëri. Porositë tingëllojnë magjishëm edhe për shoqërinë bashkëkohore edhe për problematikat që ajo ka, për çështjet që kërkojnë zgjidhje për shëndoshjen e personaliteteve të pamoralshëm, për udhëheqësit që e tradhtojnë popullin e vet.

Çdo qenie e ndershme njerëzore gjen prehjen e qetësinë shpirtërore kur lexon, mëson dhe udhëhiqet nga cilësitë dhe virtytet e larta morale të këtij personaliteti. Jeta e tij i ngjan një oqeani të pafund i mbushur me margaritarë. Për t'i fituar këto margaritarë, duhet të notosh në këtë oqean dhe të zhytesh në thellësitë e tij.

Duhet të lexosh për jetën e tij dhe të meditosh.

Në rrugëtimin e gjatë të njerëzimit Personaliteti i ndershëm ka lënë gjurmë të pashlyera. Provo të ecësh në këto gjurmë e do të gjesh qetësinë shpirtërore, do të ndjesh flladin e një pranvere të përhershme.

 

Lexues i dashur!

 

Provo të ecësh në rrugën e drejtë, përpiqu të marrësh si model të vetes sate personalitetin e ndershëm, të besosh si besonte ai, të mendosh si mendonte ai, të jetosh si jetonte ai, të sillesh si sillej ai, të veprosh sipas këshillave të tij, atëherë të jesh i bindur se do të gjesh kuptimin dhe qëllimin e jetës sate. Kështu ke për të gjetur qetësinë e madhe shpirtërore dhe lumturinë e vërtetë.

 

Autor: Bujamin Salija

E hënë, 01 Mars 2010 15:46