Gjithçka sa përmendëm më sipër, tregon që koncepti i edukatës seksuale në islam, është më gjithëpërfshirës se koncepti perëndimor i saj. Sot, edukata seksuale shihet vetëm kontekstin e aktit dhe marrëdhënieve seksuale mes dy gjinive. 

Unë do të dëshiroja që ne si muslimanë të përpilonim dhe të kishim metoda të mirëfillta të edukatës seksuale, sidomos nëse janë të pasuruara me tekste nga Kurani dhe tradita profetike. Ndodhitë që kanë ndodhur gjatë jetës së Profetit alejhisselam mbi këtë fushë, nuk janë të pakta. Një ndër to, është dhe ajo që u bë shkak që të shpallet dhe ajeti:”Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud 114) Një grua nga banorët e Medines, shkoi në dyqanin ku shiteshin hurmat dhe i kërkoi shitësit të blejë një sasi të caktuar. 

Shitësi i tha:”Hyr dhe zgjidhi brenda, pasi hurmat që ndodhen aty, janë më cilësore.”

Me të hyrë brenda, shitësi e puthi këtë grua dhe e ngacmoi seksualisht. 

Më vonë, pasi gruaja u largua, shitësi filloi të reflektojë mbi atë që kishte vepruar. Si vallë e kishte bërë një vepër të tillë? 

I prekur nga ajo që kishte vepruar, shitësi vajti tek Umer ibnul Hattabi dhe i tregoi gjithçka kishte ndodhur.

Umeri i tha:”Mos i trego askujt tjetër për këtë që ke vepruar! Mos e zbulo, atë që t’a mbuloi Zoti!”

Edhe pse Umeri e qetësoi, gjynahi që kishte vepruar nuk e linte të qetë. Ai nuk dëshironte që diçka e tillë të kalonte kaq kollaj. Kështu, vajti tek Ebu Bekri dhe i rrëfeu gjithçka kishte ndodhur. Edhe Ebu Bekri, i tha të njëjtat fjalë si Umeri.

Edhe përgjigja e Ebu Bekrit nuk e qetësoi. Menjëherë, ai filloi të kërkojë të dërguarin e Zotit, të cilin e gjeti të ulur në xhami. Kur hyri në xhami, akoma nuk ishte thirrur ikameti i iqindisë. 

Para të gjithë muslimanëve që ndodheshin në xhami, shitësi iu drejtua Profetit alejhisselam dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Unë kam puthur një grua të huaj! Çfarë duhet të bëj tani?”

Profeti alejhisselam uli kokën në shenjë mospëlqimi dhe nuk i foli.

Përsëri shitësi i tha:” O i dërguar i Zotit! Unë kam puthur një grua të huaj! Çfarë duhet të bëj tani?”

Profeti alejhisselam u drejtua nga Bilali dhe i tha:”Thirre ikametin o Bilal!”

Kështu, të gjithë falën namazin e iqindisë. Pasi përfundoi namazi, Profeti alejhisselam u kthye nga njerëzit dhe i pyeti:”Kush ishte ai që më pyeti para namazit?”

Shitësi ngriti dorën dhe tha:”Jam unë o i dërguari i Zotit.”

Profeti alejhisselam e pyeti:”A ke marrë abdes siç morëm të gjithë ne?”

Burri iu përgjigj:”Po.”

Profeti alejhisselam e pyeti:”A u fale bashkë me ne?”

Burri iu përgjigj:”Po.”

Atëherë Profeti alejhisselam i tha:”Zoti t’a ka falur atë gjynah dhe më ka shpallur këtë ajet:” Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud 114)

Kur e dëgjuan këtë, muslimanët që ishin prezentë pyetën:”A vetëm për këtë njeri është ky nder o i dërguar i Zotit?!”

Profeti alejhisselam u tha:”Për atë dhe për të gjithë umetin tim.”

Edhe pse ishte një gjynah, madje i rëndë, Profeti alejhisselam na mëson si duhet t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim. 

Sot, shumë vajza bien pre e fjalëve të bukura të djemve dhe pranojnë të kenë lidhje me ta. Kur prindërit e kuptojnë këtë, disa prej tyre mund dhe t’a vrasin vajzën. Disa të tjerë e kyçin dhe e mbyllin atë në shtëpi. Ndërkohë, që prindër të tjerë zgjedhin rrugën e dialogut dhe e zgjidhin me qetësi këtë problem. 

Edhe pse shitësi kishte puthur një grua të huaj, e kishte prekur dhe ngacmuar atë seksualisht, Profeti alejhisselam e zgjidhi këtë problem me urtësi. 

T’i ekzagjerosh problemet që kanë të bëjnë me nderin, është gabim. Ashtu siç është gabim t’i injorojmë dhe shpërfillim. Çdo problem seksual, ne duhet t’a trajtojmë sipas përmasave të tij. 

Gabimi që bëri shitësi, i cili ishte një nga shokët dhe bashkëkohësit e Profetit alejhisselam, është një gabim të cilin mund t’a veprojë kushdo. Prandaj, Profeti alejhisselam dhe dijetarët tanë të nderuar, na mësojnë dhe edukojnë si t’a ruajmë veten në raste të tilla. Por edhe në se shkasim, si të veprojmë që t’a korrigjojmë gabimin.

Një me një.

Një me një, është një ndodhi tjetër, me përmbajtje erotike dhe seksuale. Ajo është një ndodhi, prej të cilës prindërit përfitojnë shumë, sidomos në edukatën seksuale që duan t’ju përçojnë fëmijëve. 

Një prind, kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Kur djali mbushi moshën e pjekurisë, i kërkoi leje të atit për të vajtur në kurbet. Duke qenë se e gjithë familja ishte familje e ndershme, e fisshme dhe e përkushtuar në fe, babai e këshilloi të birin para se të niset, me fjalët:”O biri im! Mbështetju Zotit në çdo gjë! Këshilla e vetme që kam dhe që dua t’a kesh gjithmonë parasysh është që të mos i shkelësh urdhrat e Zotit gjatë qëndrimit tënd në kurbet dhe sidomos në lidhje me gjininë tjetër.”

Duke qenë se banonin në një vend ku uji ishte i pakët, ata kishin punësuar dikë që u sillte ujë kundrejt një shpërblimi. Çdo ditë, furnizuesi i ujit vinte dhe ajo që ia hapte derën ishte vajza. Gjatë gjithë atyre viteve, asgjë e keqe nuk kishte ndodhur. Por një ditë, kur furnizuesi i ujit do të dilte, e puthi papritur vajzën në faqe dhe doli. Pasi kaluan disa kohë, djali i shtëpisë u kthye nga kurbeti.

Pasi u kthye, u përshëndet me familjen dhe të afërmit, u ul të bisedojë dhe t’i rrëfejë babait mbi udhëtimin dhe eksperiencën e tij në kurbet. Gjatë bisedës, babai e pyeti:”O biri im! A ke bërë ndonjë gjynah gjatë qëndrimit tënd në kurbet?”

Djali uli kokën dhe nuk foli.

Babai e pyeti sërish?”A ke bërë ndonjë gjynah atje?”

Djali sërish heshti dhe nuk foli.

Kur e pyeti për të tretën herë, djali i tha:”Të them të drejtën o baba, ka ndodhur diçka e papëlqyeshme. Gjatë qëndrimit tim në kurbet, më pëlqeu një vajzë dhe ajo që ndodhi është se e kam puthur vetëm një herë. Asgjë më shumë.” 

Atëherë babai tha:”Një me një, nëse do e kishe shtuar, do e kishte shtuar dhe furnizuesi i ujit.”

Morali i kësaj ndodhie është shumë domethënës dhe është shumë i vlefshëm për edukimin e fëmijëve dhe brezit të ri. Është shumë e dobishme që fëmijëve dhe brezit të ri, t’u thuhet që do të korrin atë që kanë mbjellë. 

Sot është bërë zakon që si djali ashtu dhe vajza të lëvizin dhe udhëtojnë në vende të ndryshme. Ajo që do i mbrojë nga çdo gjë e keqe dhe e ligë, është besimi dhe devotshmëria e tyre. 

Thotë imam Shafiu në disa vargje:

Jini të ndershëm, të jenë të tilla dhe gratë tuaja

Distancohuni nga gjërat e pahijshme për muslimanin

Imoraliteti është një borxh që po e more

E shlyen familja jote o njeri


Nëse i edukojmë fëmijët tanë me këto vlera, i ofrojmë modelin e Jusufit alejhisselam dhe të gjithë atyre të rinjve që e kanë refuzuar imoralitetin, i rrëfejmë ndodhinë e mësipërme “Një me një”, i mësojmë vjershat e lartpërmendura të imam Shafiut etj... padyshim që kjo do i frenojë para degjenerimit që shohim çdo orë dhe çast. 

Me këtë ne nuk duam t’u kallim datën nga seksi dhe nuk duam që seksin t’a shohin si lugat të frikshëm. Jo, jo. Seksi është një nga mirësitë e Zotit të madhëruar, të cilin duhet t’a shfrytëzojmë në dobinë tonë. 

Nëse ne dhe fëmijët tanë gabojmë, modeli ynë në raste të tilla janë shokët e Profetit alejhisselam dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë gabuar, por pas gabimit janë penduar dhe distancuar nga vepra e keqe. Secili prej nesh jemi të ekspozuar ndaj gabimeve dhe shkarjeve.


Teksa po kthehej bashkë me ushtrinë nga një betejë, Profeti alejhisselam ishte afruar pranë njërit prej shokëve të tij, Xhabir ibnu Abdullah. Ai ishte i ri në moshë dhe Profeti alejhisselam e pyeti:”A je martuar o Xhabir?”

“Po, o i dërguar i Zotit” i tha Xhabir. 

Profeti alejhisselam e pyeti:”A me një vajzë (të pamartuar më parë) o Xhabir?”

Xhabir ia ktheu:”Jo o i dërguar i Zotit (pasi ishte martuar me një grua të ve). 

Profeti alejhisselam e pyeti:”Po përse nuk u martove me një vajzë o Xhabir, që të luash me të dhe të luajë ajo me ty?” 

Xhabir ia ktheu:”Babai më vdiq dhe më la nëntë motra në shtëpi. Prandaj desha të martohem me një grua që t’ju shërbejë.” 

Më pas profeti alejhisselam i tha:”O Xhabir, ne nuk do të hyjmë në Medine, derisa gruaja jote ta marrë vesh që po vjen dhe të përgatisë jastëkët dhe shtratin për ty.” 

E gjithë kjo, nuk është gjë tjetër përveçse edukatë seksuale. Edhe pse Profet, ai nuk shihte gjë të keqe që t’a informojë një të sapomartuar të ri mbi gjëra që kanë të bëjnë me aktivitetin seksual të një mashkulli. Gjëra të tilla, hyjnë në abc-në e edukatës seksuale dhe vetë edukata seksuale na orienton mbi mënyrën e trajtimit të seksit tjetër, qoftë bashkëshorte, vajzë, nënë, e huaj etj... dhe anasjelltas.

Ne nuk themi siç thotë Frojdi, i cili pohon se njeriu që ditët e para të lindjes ndjen dhe provon kënaqësi seksuale dhe se duke thithur gjirin e nënës, ai nuk bën gjë tjetër veçse plotëson kënaqësitë e tij seksuale. 

Dëshirat dhe epshet seksuale, gjenden tek çdo njeri dhe është vetë Zoti i madhëruar ai që na ka pajisur me to. Megjithatë, Zoti na mëson dhe udhëzon si t’i kontrollojmë këto dëshira dhe t’i shfrytëzojmë ato vetëm në rrugë të ndershme. 

Kështu, nuk kemi përse t’ua paraqesim fëmijëve tanë seksin si diçka të fëlliqtë, të pistë dhe që nuk duhet biseduar rreth tij. Seksi është një nga mirësitë e shumta të Zotit dhe nëpërmjet tij, realizohet lindja e fëmijëve, të cilët janë shtrirje e prindërve të tyre.

Fëmijëve u duhet folur dhe mbi mirësitë e fëmijëve, dhe se kur vdes prindi, fëmijët e tij luten dhe kontribuojnë në vepra të mira, shpërblimi i të cilave i arrin dhe prindit në varr. 

Ne duhet të jemi të hapur me fëmijët tanë për sa i përket edukatës seksuale, sidomos në këto kohë ku stuhitë degjeneruese dhe shthurëse kanë depërtuar në çdo shtëpi dhe familje. 


Statistika dhe të dhëna

Në një statistikë, gjeta që vetëm në internet ekzistojnë mbi tetë miliardë faqe elektronike me përmbajtje pornografike. Këto tetë miliardë faqe me përmbajtje pornografike, në krahasim me numrin tjetër të faqeve të internetit zënë vetëm 2.5 %.

Kështu, 97.5 % e faqeve të internetit kanë përmbajtje të zakonshme dhe vetë 2.5 % e tyre kanë përmbajtje pornografike dhe degjeneruese. 

Sipas statistikave, që nga 18 % e atyre që frekuentojnë faqet pornografike, vetëm 5 % e tyre janë frekuentues të përhershëm. 

Në një studim të bërë në Angli, u gjet se një numër i madh fëmijësh ngacmoheshin seksualisht nga më të rriturit gjatë bisedave nëpërmjet internetit, chatt. 

Sot ne jetojmë në një botë ku e keqja nuk kontrollohet dot. Më parë, nëse dikush dëshironte të kryejë një vepër të ligë, duhej të shkonte në një vend të caktuar. Ndërkohë që sot e liga dhe gjynahu të vjen dhe të shoqëron kudo që ndodhesh.

Më parë, shtëpitë publike ishin të njohura dhe kishin klientët e tyre. Ndërkohë që sot shtëpitë publike të shoqërojnë kudo. 

Sot janë ngritur kompani të veçanta, të cilat i trajnojnë dhe ndihmojnë si bashkëshortët ashtu dhe bashkëshortet, si t’a tradhtojnë njëri-tjetrin, pa u kuptuar.

Ka kompani të cilat merren vetëm me prodhimin e veshjeve epshndjellëse. Ka të tjera që merren vetëm me ndriçimin që e shton epshin, ka të tjera që merren me prodhimin e parfumeve të tillë etj... Sikur bota jeton vetëm për seksin dhe kënaqësitë seksuale. Seksi është kthyer në një idhull ose zot, që adhurohet dhe çdo gjë vihet në shërbim të tij, ashtu siç grekët kishin zotin e seksit në kohët e lashta. 

Duke qenë se fëmijët tanë jetojnë në një botë ku programet televizive, faqet e internetit, gazetat, librat, ambienti etj... propagandojnë dhe reklamojnë të keqen, ne duhet që fëmijët t’i edukojmë siç duhet dhe t’i imunizojmë ndaj dukurive negative të përhapura. Ne nuk duhet të pranojmë që fëmijët tanë të bien pre e filmave degjenerues, apo fotove të tilla. 

Sëmundjet që shkaktohen për shkak të reklamimit dhe përhapjes së filmave me përmbajtje pornografike, janë të shumta. Këto sëmundje prekin kryesisht të rinjtë. Nga këto sëmundje, mund të përmendim:

1 – Kongjestion në prostatë.

2 – Pagjumësi, stres dhe depresion.

3 – Dëmtim të testikujve, gjë që mund të çojë në impotencë të plotë.

4 - Çrregullime psikologjike.

5 – Dobësi e kujtesës.

6 – Dëshira për më shumë gjumë, lodhje e përgjithshme dhe përtaci.

7 – Ndjenja se ka vepruar diçka të pahijshme.

8 – Dhimbje të shpinës.

9 – Ftohje seksuale.

Nëse këto informacione i përdorim dhe i shfrytëzojmë siç duhet gjatë edukimit të fëmijëve tanë, padyshim që ata do të distancohen nga veprat e turpshme, ose si pasojë e frikës nga Zoti i madhëruar, nga ndëshkimi ose nga frika mbi shëndetin. Janë të shumtë ata njerëz të cilët u ruhen veprave të turpshme edhe pse nuk janë muslimanë. Këtë e bëjnë për të ruajtur shëndetin nga sëmundjet e ndryshme. 

Vizioni perëndimor mbi seksin, ndryshon nga ai islam. Në perëndim gjen liri të plotë për sa i përket aspektit seksual. Ndërkohë që ne në islam, në bëjmë dallim mes fshehtësisë së informacionit dhe fshehtësisë së veprimit. 

Profeti Muhamed alejhisselam thotë:”Njeriu më i lig Ditën e Kijametit, do të jetë ai burrë që është kënaqur me të shoqen dhe ajo është kënaqur me të, në fund ai shkon dhe u tregon të tjerëve.”

Ky hadith, flet për një burrë i cili pas kontaktit seksual me të shoqen, u tregon të gjithëve atë që ka vepruar. E njëjta gjë ndodh dhe me gruan nëse u tregon shoqeve të saj, mbi aktivitetin seksual me të shoqin. Profeti Muhamed alejhisselam e ndalon diçka të tillë. 

Kështu, në islam marrëdhëniet seksuale duhet ruajtur të fshehta, ndërkohë që informacioni i duhur jepet dhe transmetohet tek të tjerët. E kundërta ndodh në perëndim, si informacioni, si edhe marrëdhëniet intime dhe seksuale, atje u ofrohen të gjithë grup moshave, pa dallim. Kjo ka çuar në rrënimin dhe degjenerimin e familjes në veçanti dhe të shoqërisë në tërësi. 

Një herë, ndodhesha në Angli për të mbajtur një ligjëratë me titull “Si t’a bësh të lumtur jetën tënde familjare”. Pas ligjërate, disa të rinj që ishin dhe organizatorët e ligjëratës, më pyetën nëse dëshiroja të shkoj në një vend të caktuar. 

Unë u thashë:”Mua më pëlqen të ecim dhe të vizitojmë ndonjë institucion social.”

Njëri prej tyre më tha:”Unë do të të çoj në një vend, të cilin nuk do e harrosh kurrë.” Dhe në fakt, unë nuk e harroj dot këtë vend.

Më pas, të gjithë morëm metronë dhe vazhduam të udhëtojmë. Në fund zbritën nga metroja dhe hymë një një rrugë të tejmbushur me njerëz. 

I çuditur nga ky fakt, e pyeta të riun:”Kjo nuk duket ndonjë rrugë e veçantë, atëherë përse gjithë këto turma njerëzish?!”

Pasi hymë dhe në një rrugë tjetër, ku turmat ishin akoma më të shumta, i riu më tha:”Kjo rrugë ku ndodhemi tani, është rruga e imoralitetit në këtë shtet, është rruga e degjenerimit. Ditën e shtunë dhe të diel, të gjithë të rinjtë dhe të rejat, vijnë në këtë rrugë për të plotësuar nevojat e tyre seksuale.”

Duke parë atë që ndodhte përreth dhe fjalët që sapo më tha, unë ndërhyra dhe i thashë:”Më nxirr prej këtu se nuk duroj dot më!”

I riu më tha:”Bëj pak durim se do të shohësh diçka, që nuk do e harrosh gjithë jetën.”

Kështu, vazhduam të ecim drejt fundit të rrugës dhe me të arritur fundin, i riu më tha:”Tani shiko nga e djathta jote!”

Unë ktheva kokën dhe ç’të shoh, një xhami! I shokuar pyeta:”Xhami është kjo?!”

I riu më tha:”Kjo është një qendër islame dhe njëkohësisht xhami.”

I hutuar e pyeta:”Qendër islame?! Në këtë vend?!”

“Po - më tha – dhe ti nuk e imagjinon dot numrin e të rinjve të cilët konsultohen, pendohen dhe pranojnë islamin në këtë qendër.” 


Gjatë qëndrimit tim në një vend perëndimor, vajta të vizitoj një mikun tim, i cili ka mbi pesëmbëdhjetë vjet që ka pranuar islamin. Ai është intelektual dhe lexon shumë. Gjatë vizitës, ai më tha:”Kur isha pesëmbëdhjetë dhe njëzet vjeç, çdo ditë të shtunë dhe të diel më gjeje në pube dhe disko. Çdo të shtunë dhe të diel dilja me shoqe të ndryshme dhe argëtohesha. Ajo që më ndodhi, është se pas katër pesë vitesh nga një jetë e tillë, fillova të mërzitem. Gjithçka filloi të më mërzitej, jeta seksuale, qejfet dhe dëfrimet etj... 

Gjatë kësaj kohe, fillova të lexoj mbi islamin dhe fetë e tjera derisa në fund përqafova islamin. Kur u bëra musliman, ishte vetëm njëzet e dy vjeç.”

Unë e pyeta:”E çfarë është ajo gjë që të tërhoqi në islam?”

Ai më tha:”Unë lexova dhe i studiova të gjithë fetë. Pashë që të krishterët mendonin se vetëm ata do të shkojnë në parajsë, ndërkohë që gjithë të tjerët në ferr. Kështu mendonin dhe hebrenjtë. Kurse muslimanët kishin një mendim krejtësisht tjetër.”

Unë e pyeta:”Pse si mendojnë muslimanët lidhur me këtë çështje?”

Ai u përgjigj:”Muslimanët thonë që ne do të jemi në xhenet, kurse për sa i përket feve të tjera pyesim:”A u ka arritur atyre mesazhi islam apo jo?” Nëse nuk u ka arritur, ata janë në dorë të Zotit, nëse dëshiron i fal ose jo. Por nëse u ka arritur mesazhi i të vërtetës dhe e kanë pranuar, atëherë ata janë në xhenet. Në të kundërt, ata janë në zjarr. Ajo që më bëri të pranoj islamin, është se kjo fe është feja e vetme që ka këtë klasifikim mahnitës dhe të logjikshëm.”


Perëndimi sot e ka lartësuar seksin, saqë është kthyer në një idhull dhe zot. Ndërkohë që në islam, seksi zë vendin e tij të duhur në hapësirat e duhura. Në islam, fëmija duhet të edukohet edhe seksualisht, të formohet kulturalisht dhe të imunizohet me besim, me qëllim që të mbrohet nga devijimet. 

Një miku im, rrjedh dhe është edukuar nga një familje e fisshme dhe e pasur njëkohësisht. Duke qenë se merret me biznes, ai udhëton shumë. 

Ai vetë tregon:”Një herë, udhëtova drejt një shteti të Azisë lindore. Atje, zgjodha një hotel pesë yjesh dhe kur shkova të rezervoj dhomën dhe të marr çelësat, sportelisti më pyeti:”A e dëshiron dhomën me të gjithë shërbimet?”

I rraskapitur nga lodhja, unë i thashë:”Po.” Por pa ditur se çfarë synonte me shërbime të plota. Mora çelësin dhe çantat e mia dhe menjëherë u ngjita sipër. Hyra në dhomë dhe vajta të marr abdes që të falem dhe më pas të shtrihem të pushoj, pasi ndihesha i këputur nga lodhja. Me të marrë abdes, dikush trokiti në derë. Vajta dhe hapa derën dhe ç’të shoh: Një vajzë jo më shumë se njëzet vjeçe, e bukur sa më nuk ka dhe e veshur me rroba epshndjellëse. Kur pa që nuk po i flisja, ajo më tha:”A mund të hyj?”

I hutuar nga kjo që po më shihnin sytë dhe po dëgjoja unë e pyeta:”Të hysh?! Po përse?!”

Ajo më pyeti:”A nuk ke kërkuar shërbim të plotë?”

Unë i thashë:”Po.”

Ajo tha:”Atëherë unë jam pjesë e shërbimit. Profesioni im është që klientëve t’u bëj masash në dhomë dhe nëse ai dëshiron diçka tjetër, unë jam e gatshme.”

Në atë çast, filluan të më trazojnë mendime nga më të ndryshmet. Një nga këto mendime, që ishte i shejtanit më thoshte:”Një natë e vetme është dhe askush nuk din gjë.” Një mendim tjetër ishte:”Ti duhet të rezistosh dhe t’a ruash nderin. Kije frikë Zotin dhe ruaju nga veprat e liga...” Ishte një luftë dhe betejë mes ushtrisë së shejtanit dhe ushtrisë së Rahmanit (Zotit).

Në atë çast, mu kujtua një histori e ndodhur mes një të dituri dhe një gruaje të ligë. 

Ajo vajti tek njeriu i ditur dhe i urtë dhe u përpoq t’a joshë dhe t’a tërheqë drejt haramit. Ai e kuptoi qëllimin e saj dhe i tha: “Nëse dëshiron të bëj atë që do, dua të të bëj disa pyetje dhe dua të më përgjigjesh drejt”. “

Mirë!” - i tha gruaja. 

I dituri i tha:“Nëse pasi të veprojmë atë që do dhe direkt pas këtij veprimi vjen meleku i vdekjes e na e merr shpirtin, a do të dëshiroje që ta kishim bërë diçka të tillë?” 

“Jo, për Zotin!” -ia ktheu gruaja. 

I dituri “Nëse ditën e kiametit do të dilnim para Zotit unë dhe ti, a do të doje ta kishim bërë këtë?” 

“Jo, për Zotin!” - ia ktheu përsëri. 

I dituri e pyeti sërish:“Nëse do na çonin të dyve për në zjarr për këtë veprim, a do të doje që ta kishim bërë?” 

“Jo, për Zotin! Dhe mjaft se u pendova tek Zoti për këtë!” - ia ktheu për herë të fundit gruaja dhe u largua.”

Kur mu kujtua kjo histori, i thashë kësaj vajze që qëndronte para meje:”O motra ime! Unë kam tre pyetje dhe dua të më përgjigjesh. 

Pyetja e parë:”Nëse vjen meleku i vdekjes të më marrë shpirtin, a do më dilje në mbrojtje ti?”

Ajo heshti dhe nuk foli asnjë fjalë.

Pyetja e dytë:”Kur të dal para Zotit Ditën e Kijametit për të dhënë llogari për veprat e liga, a do të vish të më mbrosh?”

Ajo sërish heshti dhe nuk nxori asnjë fjalë.

Pyetja e tretë:”Kur të gjithë të kalojmë urën e Siratit që ndodhet mes zjarrit dhe xhenetit, a do të vish të kalosh në vendin tim?”

Atëherë pashë pika loti që lagën sytë dhe faqet e saj. Pas kësaj, fillova t’a këshilloj që të largohet nga vepra të tillë.

Kështu, kultura seksuale është kthyer në një art me anë të së cilit përhapet degjenerimi dhe e liga.”

Padyshim, personazhin e mësipërm e mbrojti Zoti nga e keqja. Por edhe edukata e mirë me të cilën e kanë edukuar prindërit e tij që në vegjëli. Edukata e duhur seksuale që ka marrë nga prindërit, shfaqet fuqishëm në raste të tilla.


Habia e dhëndërit.

Tre ditë pasi ishte martuar, erdhi një i ri dhe më tha:”Dua të konsultohem me ty, mbi një problem të madh.”

Pasi u ul, ai më tha:”Kam vendosur t’a divorcoj nusen.”

Unë e pyeta:”Përse?”

Ai më tha:”Natën e martesës, kur fjeta me nusen, zbulova se ajo nuk ishte e virgjër. Unë u martova me të, duke e ditur se ajo është e virgjër dhe e ndershme.”

Unë i thashë:”Po, ti si e kuptove diçka të tillë? Mos t’a tha vetë gruaja?”

Ai u përgjigj:”Jo, ajo nuk më ka thënë gjë.”

Unë e pyeta:”Po atëherë, si e kuptove ti që ajo nuk ishte e ndershme?”

Ai tha:”Unë e di mirë këtë.”

Unë insistova:”Dakord, por si e kuptove? Më trego!”

Ai filloi të flasë dhe të hapet dhe nga fjalët e tij, unë e kuptova që të gjithë konkluzionet i kishte të bazuara në informacione të gabuara. 

Unë fillova t’i flas mbi llojet e cipës së virgjërisë dhe mënyrat e çarjes së saj. 

Më pas, unë fillova t’a pyes mbi burimet nga e kishte marrë informacionin rreth edukatës seksuale në përgjithësi dhe virgjërisë në veçanti. Ai më tregoi se këto informacione i kishte marrë nga shokët e këqij me të cilët shoqërohej në shkollë të mesme. 

Shpesh herë, injoranca mbi çështjet seksuale ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë familje. Veç kësaj, injoranca seksuale e çon njeriun drejt gjynahit dhe haramit. Dhe kjo e bën edukatën dhe sensibilizimin seksual të domosdoshëm, sidomos për të rinjtë. Por, kjo duhet të bëhet duke respektuar normat dhe kriteret islame. 

Edhe pse Tailanda merret si shembull dhe model i degjenerimit dhe të ligës, kryeministri i këtij shteti nxori një vendim për bllokimin e një libri mbi edukatën seksuale tek adoleshentët, vetëm ngaqë ai ishte i ilustruar me foto dhe gjithçka thuhej në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Edukata seksuale fillon që nga mosha dy vjeçare e fëmijës dhe vazhdon edhe gjatë pleqërisë. Njohja e sëmundjeve seksuale që prekin moshat e vjetra, është prej edukatës seksuale. 

Në fund të trajtimit të kësaj teme, unë dua të jap disa udhëzime të cilat i shoh të domosdoshme:


1 – Edukimi dhe kultivimi i turpit. Model për turpin e tij, është shoku i Profetit alejhisselam dhe një nga katër halifet e drejtë, Uthman ibnu Affani. 

Shokët e Profetit alejhisselam thonë që i dërguari i Zotit alejhisselam, ishte më i turpshëm se nusja natën e martesës.

Në kohën e profetit Musa alejhisselam, hebrenjtë laheshin në lum lakuriq, përveç Musait alejhisselam Ngaqë ishte i turpshëm, Musai alejhisselam mënjanohej dhe lahej vetëm.

Një herë ndodhesha në Zvicër për një ligjëratë me prindër muslimanë. Problemi dhe shqetësimi më i madh i këtyre prindërve ishte mënyra më efikase e kultivimit të turpit tek fëmijët, sidomos tek vajzat. Sidomos duke ditur që shkollat kanë orë mësimi ku nxënësit lahen bashkë në pishinë, djem dhe vajza. 



2 – Edukimi dhe kultivimi i vlerave të besimit, devotshmërisë dhe forcimit të besimit tek fëmijët. Sa më shumë t’a forcojmë besimin e fëmijëve tanë, aq më rezistentë bëhen ata ndaj joshjeve dhe stimulantëve seksualë të jashtëm. 



3 – Sensibilizimi i pasojave nga përzierja mes dy gjinive, pranimi i diçkaje të tillë si vlerë, mos ulja e shikimit para pamjeve të pahijshme etj... Qëndrimi dhe përzierja mes dy sekseve, shikimi i pakufizuar i vajzave dhe pjesëve të tyre intime, janë nga stimuluesit më të fuqishëm për vepra të ulëta dhe imoralitet.



4 – Nxitja dhe lehtësimi i martesës në moshë të hershme, si për djalin dhe për vajzën. Martesa është pjesë e edukatës seksuale dhe me ligjërimin e saj, islami synon si mbrojtjen e nderit të djalit ashtu dhe të vajzës. 

Muslimani e ka obligim që para se të kryejë një adhurim, të informohet mbi rregullat dhe ligjet e tij. Kështu, para se të nisemi për në haxh, marrim informacionin e duhur. Para se të japin zekatin, informohemi mbi sasinë që duhet dhënë dhe personat që e meritojnë. 

Edhe para se të martohemi, kemi nevojë të informohemi mbi shumë gjëra, ndër të cilat është dhe edukata seksuale. Dijetarët muslimanë në të kaluarën, duke e ndjerë rëndësinë e kësaj fushe, kanë shkruar libra dhe broshura të shumta. 



5 – Theksimi i bukurisë dhe hijeshisë së hyrive të xhenetit në sytë e të rinjve. Diçka e tillë është një çështje edukative shumë e dobishme. Nëse një i ri është edukuar me një frymë të tillë, me t’iu dhënë rasti për imoralitet dhe shfryrje të epshit, ai frenohet duke kujtuar madhështinë, bukurinë dhe hijeshinë e hyrive të xhenetit. 



6 – Sensibilizimi mbi dobitë e martesës me më shumë se një grua, gjë e cila padyshim ka lidhje me edukatën seksuale. Nëse përqindja e grave është më e lartë se e burrave dhe stimulantët seksualë janë të përhapur kudo, atëherë nevojat dhe dëshirat për seks rriten, dhe martesa me më shumë se një grua është zgjidhja më e mirë. 



7 – Edukimi dhe kultivimi i përkushtimit gjatë namazit. Unë personalisht, e konsideroj diçka të tillë si pjesë të edukatës seksuale. Vetë Zoti i madhëruar thotë rreth vlerave të namazit:”Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar..” (Ankebut 45)

Kështu, namazi të ruan nga shthurja, degjenerimi, devijimet seksuale dhe sjelljet e pahijshme dhe perverse. Kështu, bashkë me namazin, ne duhet të kultivojmë tek fëmijët dhe përkushtimin në namaz. 



8 – Ushtrimi i agjërimit nafile, vullnetar. Gjë e cila, sipas meje edhe kjo hyn në edukatën seksuale, sidomos për të rinjtë dhe të rejat. Vetë Profeti alejhisselam thotë:”O ju të rinj! Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet. Kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, pasi agjërimi është mbrojtje.” 



9 – Edukimi i fëmijëve, me rëndësinë e shoqërisë së mirë dhe të ndershme. Unë si prind, duhet të përpiqem me ço kusht që t’i lidh me shokë të mirë, gjë e cila është pjesë e edukatës seksuale. 



10 – Kultivimi i ndjenjës së pendimit dhe kërkimit falje, nëse rrëshqet dhe vepron ndonjë gjynah. Unë si prind ia bëj të qartë çfarë është e mirë dhe e keqe, dhe se njeriu duhet të ruhet nga veprat e liga, por njëkohësisht e sensibilizoj që në rast gabimi dhe shkarje, të pendohet dhe të kërkojë falje. Fëmija dhe i rrituri duhet të jenë të sigurt që Zoti pret ditën krahëhapur që të pendohet gjynahqari i natës dhe pret natën krahëhapur që të pendohet gjynahqari i ditës. Secili prej nesh, sidomos fëmijët, duhet t’a dinë që Zoti e pret me padurim dhe gëzohet me pendimin tonë, në rast gjynahesh seksuale, të vogla qofshin apo të mëdha. 



11 – Edukimi dhe kultivimi i moralit të durimit. Është e vërtetë që një i ri ka epshe të zjarrta, por ai duhet të mësohet me durimin dhe maturinë. Thotë Zoti në Kuran:” “Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.” (Alshura 43)

Gjithçka sa përmendëm në këtë trajtesë të shkurtër, ishte fryt i përpjekjeve tona modeste. Me të urojmë që sado pak t’ju kemi shërbyer prindërve dhe të rinjve. 

Në fund, ne e lusim Zotin e madhëruar që të na mbrojë neve, fëmijët tanë, bashkëshortet dhe familjet tona.

Burimi:
http://www.ikratv-alb.net/
E enjte, 11 Mars 2010 13:05