Abdullah Nasih Ulvan 

S’do mend se kur vëllazëria e sinqertë islame i realizon planet e veta në ndonjë shoqëri, ajo shoqëri arrin sendërtimin e famës në mënyrë më të frytshme dhe me rezultate më të begatshme.


Vëllezër të besimit!
Synimet kryesore të saj janë:

a) Realizimi i bashkimit islam:
Kështu është ngase kjo vëllazëri është e lidhur me besimin në All-llahun xhel-leshanuhu si dhe është e ngritur me lidhjen e devotshmërisë, simbol islam i përhershëm i saj nuk ndryshon, e ky është:
„Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër…“ (El Huxhurat, 10)
Parimi stabil i saj që nuk ndryshon është:
„Me të vërtetë më i ndershmi prej jush është ai që më tepër i frikësohet All-llahut.“ (El Huxhurat, 13)
Siç dihet, çdo thirrje që bazohet në lidhjen e racës, familjes, fisit, martesës, nacionalizmit a interesave personale… të gjitha këto i konsideron pretendime të kohës së xhahilijetit (kohës së injorancës). Në lidhje me këtë për argument kemi ajetin Kur’anor ku thuhet: „Thuaj (O i dërguar): Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikësoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur (nëse të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij, dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni deri sa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk i vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.“ (Et-Teubeh, 24)
- Me tekstin: „…nëse etërit tuaj, djemtë tuaj, dhe vëllezërit tuaj…“ aludohet në lidhjen farefisnore.
- Me tekstin: „…bashkëshortet tuaja…“ aludohet në lidhjen e të afërmve nga familja e gruas.
- Me tekstin: „…farefisi juaj…“ aludohet në lidhje më të gjëra se sa ato farefisnore.
- Me tekstin: „…pasuria që e fituat, tregtia që frikësoheni se do të dështojë…“ aludohet në çështjen e interesit.
- Me tekstin: „…vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur …” aludohet për vendin dhe patriotizmin.
- Me tekstin: „…(nëse gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij …“ vërteton besimin islam.
Nga ky ajet nënkuptohet kjo e vërtetë: „Në rast se njëra nga këto lidhje, si: farefisnia, interesat ekonomike, nacionalizmi… etj., ka përparësi dhe është më e dashur se besimi islam (All-llahu dhe Pejgamberi i Tij) atëherë kjo është dalje nga feja islame, drojë nga dënimi i All-llahut, ngase All-llahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë njerëzit e prishur!“
Këtë e theksojnë edhe hadithet e Muhammedit alejhisselam:
„Atij që mbështetet dhe i bën thirrje asaj që i përket xhahilijetit (traditat e kohës para shpalljes së Kur’anit)haptas t’ia merrni fytyrën“
Transmeton Ebu Davudi se kur Muhamedin alejhisselam e kanë pyetur se ç’është fanatizëm, ai ka thënë: „T’i ndihmosh popullit tënd në padrejtësi (zullum).“
Transmeton Ebu Davudi se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Nga radhët tona s’është ai që bën thirrje për fanatizëm, as ai që vritet për fanatizëm dhe as ai që vdes në fanatizëm.“
Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „All-llahu ndaloi për ju krenarinë e xhahilijjetit dhe lavdërimin me prindërit (të parët e tu).“
Nga këto hadithe kuptohet se kushdo që në mënyrë fanatike bën thirrje në emër të bajraktarizmit, të lidhjeve farefisnore, të dogmatizmit e të nacionalizmit, duke i kushtëzuar këto me paqen, me dhënien e ndihmës ose me shantazhe të tjera, s’do mend se ky quhet thirrës i fanatizmit, dogmatizmit, dhe thirrës në traditat e xhahilijjetit, me një fjalë i dalë jashtë parimeve islame.
Se lidhja islame është mbi të gjitha lidhjet e tjera, këtë gjë e vërteton vetë fakti se Kur’ani nuk e merr nga familja e Pejgamberit Ebu Lehebin, edhe pse ky ishte edhe xhaxhai i tij, e kjo për arsye se ai kundërshtoi udhëzimet dhe të drejtën islame (dihet se për këtë ai do të digjet në zjarrin e xhehennemit). Nga ana tjetër, Selman Farisiun (Zoti qoftë i kënaqur me të), edhe pse ishte Persian, Pejgamberi alejhisselam e llogarit nga radhët e familjes së tij, sepse ai iu përgjigj të vërtetës së thirrjes Islame dhe ndoqi rrugën e shpëtimit.

Sa bukur dikush ka thurur vargjet:
Druaj nga All-llahu në çdo situatë,
Mos e flijo këtë në emër të famës familjare.
Islami e lartësoi Selmanin Persian,
po e poshtëroi fisnikun Ebu Lehebin pagan.


Edhe një tjetër shprehet me këto vargje:
Largohu prej atij që çmon dikë mbi bazën fisnore,
që mburret me Kajsin a me Temimin;
për mua islami është baba dhe askush tjetër.

Çfarë padrejtësie e madhe është për islamin, çfarë mohimi i pashembullt është për vëllazërinë dhe çfarë guximi para All-llahut xhel-leshanuhu dhe para të Dërguarit të Tij, kur nacionalistët (arabë) thonë: „Indianët, persianët, kurdët, berberët, indonezianët a turqit myslimanë… nuk janë popull si ne dhe nuk janë vëllezërit tanë, ngase ata nuk janë me prejardhje arabe dhe nuk janë pjesëtarë të tyre.“
E kjo për arsye se islami, siç theksuam më sipër, myslimanët i quan vëllezër, dashamirë të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se janë nga vende të largëta, ose kanë përkatësi të ndryshme racore dhe gjuhësore, sepse motoja e tyre „S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër“ mbetet e pa ndryshueshme, ashtu si edhe parimi „Me të vërtetë më i ndershmi prej jush është ai që i frikësohet më tepër All-llahut.“ Me të vërtetë forcohet shumë bashkimi islam atëherë kur atij i bashkëngjiten edhe miliona besimtarë të tjerë joarabë (sipas besimit në një Zot, në një Pejgamber dhe në një sheriat) në një flamur dhe në një kalifat.

b) Përhapja e islamit në tërë rruzullin tokësor:
S’ka dyshim se kur vëllazëria bazohet në pikëpamje të besimit dhe të lidhjes islame, atëherë ithtarët e saj kurrë nuk kanë frikë dhe i hynë me bindje dhe optimizëm të plotë xhihadit (përpjekjes për islam) për përhapjen e islamit dhe të dritës të së vërtetës mbi rruzullin tokësor, ndërsa synimi i tyre kryesor është njëri nga këto dy të mira: fitorja ose vdekja shehid.
Ç’është e vërteta kjo e nxiste drejtpërdrejtë gjeneratën e parë të sahabëve e tabiinëve dhe të tjerët pas tyre që të dalin nga qarqet e tyre të ngushta, nga mjedisi i tyre i caktuar në meridianet e tokës, për të përhapur te popujt qytetërimin, vlerën humane, diturinë dhe për të mposhtur shtypjen dhe shfrytëzimin; pra për të përhapur parimet e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, për ta shpëtuar njeriun nga dashuria për idhujt e për ta udhëzuar ta adhurojë All-llahun, për t’ia zgjeruar atij horizontin e ngushtë, si dhe për ta shpëtuar nga padrejtësitë e feve të ndryshme e për ta orientuar nga drejtësia islame.
Për një kohë të shkurtër (brenda 35 vjetësh) myslimanët formuan shtetin e tyre dhe pushtetit që vendosën ata, iu nënshtruan dy perandoritë më të mëdha të asaj kohe - ajo persiane dhe ajo romake, duke u zgjeruar në lindje deri në vendet e Sindit (në perëndim të Pakistanit), në veri deri te viset e Hazarit (afër Detit Kaspik), Armenisë dhe Rusisë. Nga ana tjetër nën drejtësinë e tyre pranuan të hynin vendet e Shamit, Egjiptit, Cirenaikës (Libi), Tripolit dhe disa vende të tjera të Afrikës.
Në kohën e Emevitëve pushteti i tyre u zgjerua më tepër nga vendet e Sindit, të Indisë, ndërsa në lindje arriti deri afër Kinës, në perëndim i çliruan vendet e Andaluzisë (Spanja e sotme). Pushteti islam u zgjerua aq shumë saqë kalifi Harun Er-Rashidi ka mundur të konstatonte se e gjithë bota është nën pushtetin islam, kur në një rast pa një re e cila nuk lëshonte shi dhe ai iu drejtua asaj me këto fjalë: „Lësho shiun ku të duash, ngase tatimi prapë do të na përkasë neve.“
Në saje të vëllazërisë e besimit islam, myslimanët çliruan Egjiptin, Shamin dhe Irakun. Kjo u arrit duke praktikuar sheriatin (ligjin Islam).
Në saje të vëllazërisë e besimit islam, myslimanët shkatërruan pallatin e Kisrasë, rrënuan perandorinë e Kajserit dhe korrën sukses të madh në mbarë rruzullin tokësor. Përveç kësaj myslimanët arritën deri në skaj të Perëndimit, kështu që Ukbe ibn Nafiu pasi që hyri në ujë në bregun e Oqeanit Atlantik me kalin e tij, tha këto fjalë: „O Zoti i Muhammedit, pot ë mos ishte ky det, do të çliroja gjithë botën për të ngritur lart fjalën tënde. O Zot dëshmoje këtë!“
Në saje të vëllazërisë islame, myslimanët arritën deri në skaj të Lindjes.
Kutejbe El-Bahilijj nguli këmbë që me çdo kusht të çlirojë edhe vendet e Kinës, mirëpo njëri nga shokët e tij ia tërhoqi vërejtjen me këto fjalë: „Je futur shumë thellë në vendet turke, koha nuk të premton çdoherë fitore…“ Kutejbeja me bindje të plotë ia ktheu: “Këtë e bëj i mbështetur në ndihmën e All-llahut, duhet shfrytëzuar rastin se kur kalon koha, përgatitja nuk vlen”. Atëherë ai i tha me dhembshuri: „O Kutejbe, nisu rrugës nga të duash, këtë vendosmëri nuk mund ta ndalë askush, përveç All-llahut!“
E si të mos ndodhte kështu, kur ata janë vëllezër nën hijen e islamit, kur ata janë lidhur pas All-llahut, kur ata flijuan gjithçka mu si një trup (të cilit kur i dëmtohet një pjesë, vuan i tëri), kur ata nën flamurin islam kishin vlerë të njëllojtë dhe të gjithë ishin si një grusht kundër armikut, kur ata luftonin për hir të All-llahut si një kështjellë e pashembur. E si të mos ishte kështu kur ata i kishin ngarkuar vetes përgjegjësinë e përhapjes së islamit?
Kjo pra është vëllazëria islame, e cila i bashkon njerëzit pas shpartallimit, e cila të gjithë i bën pjesëmarrës edhe në shpresa, edhe në dhembje.

c). Shpërthimi i qytetërimit Islam:
Kur thuhet se vëllazëria islame nën flamurin e vet i përfshin të gjithë njerëzit, pa dallim race, gjinie dhe gjuhe, kjo do të thotë se secili mysliman që ka aftësinë të marrë ndonjë pozitë shkencore, fetare a politike, këtë gjë duhet ta bëjë, pra të gjithë duhet të bashkëpunojmë e të kontribuojnë për lulëzimin e qytetërimit islam. Si arabët edhe joarabët janë të barabartë në vëllazëri, gjaku i tyre ka një vlerë etj. Me një fjalë, ata janë si një grusht kundër të tjerëve dhe i pari me të fundit nuk dallohen vetëm për nga devotshmëria. I Dërguari i All-llahut xhel-leshanuhu për shokët e tij dhe brezat që vijnë ka lënë pas shëmbëlltyrën praktike, vëllazërimin e arabit me joarabin mbi bazat e besimit Islam. Të aftët duhet t’i pranojnë pozitat dhe të japin ndihmesën e tyre për lulëzimin e qytetërimit islam.
Lidhur me këtë mund të përmendim se Muhammedi alejhisselam vëllazëroi Bilal El-Habeshiun me Halid bin Ruvejha El-Hath’amiun, shërbëtorin e tij Zejd bin Harithin me xhaxhanë – Hamzën, Selman El-Farisiun me Ebi Derdanë, Harixhe bin Zejdin me Ebu Bekr Es-Sidikun dhe Amar bin Jasirin me Hudhejfe bin El-Jemamin. Përveç kësaj Muhammedi alejhisselam shpeshherë caktonte që shërbëtorët të kryejnë punët administrative, ose u ngarkonte ndonjë pozitë të lartë, si p.sh. Bilalin (Zoti qoftë i kënaqur me të) e caktoi si mëkëmbës (vali) të Medinës, edhe pse kishte plot të tjerë me merita e bëma të pamohueshme; Usame bin Zejdin, një rob i liruar e emëroi udhëheqës kryesor të ushtrisë, ndonëse nga radhët e asaj ushtrie ishin edhe sahabët e mëdhenj, si Ebu Bekri dhe Omeri. Nga ana tjetër kur Ebu Dherri ( që rridhte nga një familje e famshme) kërkoi të emërohet udhëheqës, Muhammedi alejhisselam it ha: „O Ebu Dherr! Ti je njeri i dobët (fizikisht), kurse kjo (udhëheqja) është barrë dhe përgjegjësi e madhe (emanet).“ Në ditën e gjykimit do të jetë poshtërim dhe pendim për atë që nuk ia ka dhënë hakun dhe për atë që nuk ka zbatuar atë që duhej ta zbatonte.“
Nga këto qëndrime të Muhammedit alejhisselam mund të kuptohet se ai është munduar që t’i bëjë të gjithë të bashkëpunojnë mes vete, pa marrë parasysh racën, gjininë dhe gjuhën.
Në mbështetje të këtij parimi të barazisë qe shpalli islami, shumë dijetarë joarabë iu përveshën diturisë dhe fikhut duke u bërë padyshim dijetarë me famë, jo vetëm në qytetet a shtetet ku jetonin, por edhe më gjerë në qarqet fetare, shkencore etj.
Ibn Ebi-Lejla thotë se kur Isa bin Musa (nacionalistë i flaktë arab) e ka pyetur se cili ka qenë fakihu (njohës i mirë i sheriatit) i Basrës, iu përgjigja se ka qenë Hasan bin Ebi-Hasani. Në pyetjen se cili ishte pas tij, i thashë se ishte Muhammed Sirrini, kurse kur më pyeti se çfarë janë ata, unë iu përgjigja se ata janë robër të liruar (joarabë)! Pastaj më pyeti se kush ka qenë fakihu i Mekës dhe unë i thashë se ka qenë Ata bin Ebi Rebahu, Muxhahidi, Seid bin Xhubejri dhe Sulejman bin Jesari. Kur më pyeti sërish se ç’kanë qenë ata, iu përgjigja – robër të liruar joarabë! Dhe së fundi kur më pyeti se kush kanë qenë fakihët e Medinës, unë iu përgjigja se kanë qenë Zejd bin Eslemi, Muhammed bin El-Munkederi dhe Nafi bin Ebi –Nexhihu, ndërsa kur u interesua prapë se çka kanë qenë ata, i thashë se kanë qenë robër të liruar joarabë!!
Kur i dëgjoi të gjitha këto Isa bin Musa u zbeh në fytyrë dhe pyeti se cili është fakihu i Kubasë, unë iu përgjigja se ata janë Rabiu dhe Ibn Zinadi. Ai me padurim pyeti se ç’kanë qenë këta? Unë iu përgjigja: Robër të liruar joarabë! Kjo përgjigje bëri që ai edhe më tepër të zbehet dhe të pyesë sërish se kush ka qenë fakihu i Jemenit. I thashë: Tavusi, i biri dhe Ibni Munebbehi të cilët kanë qenë robër të liruar joarabë! Pas këtyre fjalëve ai u nervikos shumë sa që damarët e qafës iu frynë nga inati dhe filloi të nxihet, duke më bërë merak për shëndetin e tij. Pasi kaluan disa çaste, ai prapë pyeti: Po kush ka qenë fakihu i Shamit? Mekhuli i thashë, kur u interesua se çka ka qenë edhe ky, unë i shpjegova se ka qenë rob. Kur e dëgjoi edhe këtë gati pëlciti nga inati dhe shtoi: Po kush ka qenë fakihu i Kufes? Pasha Zotin, pot ë mos kisha frikë se do të bëjë ndonjë të pabërë, do t’i thosha se kanë qenë El-Hakem bin Utbeja dhe Ammar bin Ebi-Sulejmani. Meqë vërejta se ai ishte xhindosur dhe mund të bënte hatanë, unë i thashë se kanë qenë Ibrahim En-Nahiu dhe Shua’biu, të cilët ishin arabë. Sapo e dëgjoi këtë klithi nga gëzimi „All-llahu Ekber!“ dhe u qetësua.
Siç shihet nga ky shembull, edhe muslimanët joarabë kanë pasur tituj të lartë shkencorë dhe në saje të aftësive të tyre kanë arritur poste të ndryshme politike dhe fetare. Madje myslimanët joarabë kanë qenë personalitete nga më të dalluarit në fushat e ndryshme shkencore a të tjera, p.sh. Ebu Hanifja, Sibevejhi, Biruni, Havarizmi, Raziu dhe Ibni Sina (Avicena) si dhe qindra mijë të tjerë, që janë shquar me tituj nga më të lartët në atë kohë, si në shkencën e fikhut, mjekësisë, algjebrës, filozofisë, gjuhësisë, historisë, astronomisë, dhe shkencave të tjera.
Gjithashtu nuk mund ta mohojë kush, kontributin e kohës së selxhukëve që dhanë për qytetërimin islam, ashtu siç nuk mund të mohohet edhe roli i rëndësishëm i turqve osmanlinj për ringjalljen dhe lulëzimin e qytetërimit islam.
Në shembujt e përmendur u vu në pah se secili që ka besuar fenë islame si ideal (ibadet) dhe si ligj, ka kontribuar për ndërtimin e qytetërimit islam, pa marrë parasysh se a ka qenë arab apo joarab, i bardhë apo i zi, ngase të gjithë kanë qenë nën simbolin „S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër…“ (El-Huxhurat, 10) si dhe nën flamurin „Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami…“ (Ali Imran, 19)
Vëllazëria islame është një ndër faktorët vendimtarë që besimtarët islamë të arrijnë kulmin e famës dhe për të pasur në duar të veta udhëheqjen e qytetërimit dhe të shkencës, madje Evropa me shekuj është dridhur nga qytetërimi burimor islam, kurse prej burimit të tij bota ka përfituar dituritë dhe njohuritë me të cilat prinin myslimanët e, nga ana tjetër, falë islamit Evropa dhe vendet e tjera lindore kanë arritur kulmin e qytetërimit dhe të shkencave natyrore në kohën e sotme.
Këtë gjë e pranojnë edhe mendimtarët e filozofët e ndryshëm të botës.
Një shkencëtar i njohur dhe dekan i Fakultetit Juridik (në vitin 1927) të Univerzitetit të Vjenës, profesor Shpirli thotë: „Njerëzimi duhet të mburret që nga gjiri i vet nxori një njeri si Muhammedi alejhisselam, ngase ai edhe pse ishte analfabet para më se dhjetë shekujsh mundi të nxjerrë një legjislacion të cilin ne evropjanët do të ishim shumë të lumtur pot a arrinim kulmin e tij edhe pas dy mijë vjetësh.“
Historiani anglez me emrin Uills, në librin „Historia njerëzore“ thotë: „Evropa i ka borxh islamit sidomos sa u përket ligjeve administrative dhe tregtare.“
Gustav leboni përmend këto fjalë të profesor Liprit:
„Po të mos ishin shfaqur arabët në skenën e historisë, Rilindja Evropiane e kohës sonë do të ishte vonuar disa shekuj.“
Lane-Pole në librin e tij „Arabët në Spanjë“ thotë:
„Përderisa Evropa analfabete mbytej në padituri, në anën tjetër Andaluzia mbante flamurin e shkencës e të kulturës.“

ç) Forcimi i solidaritetit në shoqërinë islame:
Myslimani që e ndien se e ka vëlla një mysliman, ai kurrë nuk do ta shkelë, nuk do ta fyejë e nuk do ta lërë pa e ndihmuar atë.
Nuk është besimtarë i vërtetë ai mysliman që nuk ia dëshiron vëllait të vet atë që i dëshiron vetvetes.
Nuk është besimtar i vërtetë ai mysliman që vetë është i ngopur, kurse fqinji i tij është i uritur.
Nuk është besimtar i vërtetë ai mysliman që nuk e ndien veten si një trup me vëllezërit besimtarë si në gëzime, ashtu edhe në vuajtje. Vetëm atëherë kur myslimani shquhet me të gjitha këto veti e qëllime të sinqerta vëllazërore, mund të thuhet se ai me të gjithë qenien e tij mundohet të respektojë ndihmën e ndërsjellë, solidaritetin, dashamirësinë dhe vetëflijimin… ndaj çdo njeriu me të cilin e lidh vëllazëria dhe besimi islam. Kjo duhet të gjejë shprehje sidomos atëherë kur ata kanë nevojë për njëri-tjetrin në vuajtje dhe çaste të vështira jetësore, pra ata të ndajnë së bashku edhe të mirën edhe të keqen…
Po që se besimtarët veprojnë kësisoj duke i ndier këto si pjesë të shpirtit të tyre, s’ka dyshim se do të zhduket skamja në shoqëri dhe njerëzit do të lirohen nga motivet e krimeve dhe devijimeve të ndryshme, sepse është zhdukur edhe shkaku i tyre.
Historian a e bën me dije shpeshherë se në shoqëritë ku praktikohej sheriati, vëllazëria islame si dhe devotshmëria për hir të Zotit, nuk kishte skamje, mbretëronte dashamirësia, kurse ndihma e ndërsjellë dhe solidariteti e kishin fjalën kryesore. Me fjalë të tjera, shoqëritë e tilla ishin si një front i pathyeshëm përballë të gjithë armiqve të botës…
Këta ishin disa nga frytet që vjel ummeti islam kur atë e shquan vëllazëria islame e sinqertë dhe kur ajo udhëhiqet nga simboli i besimit islam.

Rini islame!
- Nën hijen e vëllazërisë islame do të mund të vilni frytet e bashkimit të pathyeshëm islam.
- Nën hijen e kësaj vëllazërie do të vilni frytet e përhapjes së islamit në mbarë botën.
- Nën hijen e vëllazërisë do te vilni frytet e shpërthimit të qytetërimit islam si prijës në mbarë botën.
- Nën këtë hije do të vilni frytet e forcimit të solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë në çdo vend ku valon flamuri LA ILAHE IL-LALL-LLAH MUHAMMEDUR-RASULULL-LLAH.

Vëllezër të besimit islam!
- Përforconi në shpirtin tuaj parimet thelbësore të vëllazërisë që me mundin tuaj të arrini bashkimin gjithëmysliman!
- Përhapni këtë fe të amshueshme të All-llahut në çdo vend të rruzullit tokësor!
- Ngrini lart minaren e ndriçuar me të mira të qytetërimit islam që të mund të sendërtoni shoqërinë e drejtë islame, parimet e solidaritetit, të dashamirësisë dhe të vetëflijimit!
Është nevojë e madhe e shoqërive islame për një vëllazëri të këtillë, për burrat që i shquan dashamirësia e ndërsjellë dhe për rininë besnike që ka në shpirt idealin e lartë për t’ia rikthyer islamit dhe gjithë myslimanëve pushtetin dhe famën që kanë pasur dikur. Për All-llahun kjo nuk është punë e vështirë.

Marrur nga libri:
"Vëllazëria Islame"
E martë, 23 Shkurt 2010 17:56