Kemi thënë dhe vazhdojmë të themi se demokracia është liria e popujve në zgjedhjen e udhëheqësve. 


Do të kisha dëshirë që kjo fjalë të mbërrinte në veshët e prodhuesve të zotërimit në botë. 

Atyre që me sukses mundësuan përuljen e ligjit botëror përpara mbizotërimit të propagandës së tyre. 

Atyre që me sukses arritën të ndiznin zjarret e armiqësisë në mes të vëllezërve e komshive, për të arritur tek të mirat e tyre. 

Atyre që patën sukses në paralizimin e veprimtarisë së tregtarëve me tregti të përkufizuar, me qëllim sjelljen e botës në një treg dobiprurës për shoqëritë e tyre...

Mirëpo, ata nuk patën sukses në argumentimin e tyre përpara botës, se ata jetojnë të lumtur si krejt bota, me kuptimet e njerzillëkut që i dallon nga kafshët dhe egërsirat. Patën sukses në pretendimet e gjërave, mirëpo ishin të paaftë që të urdhëronin këto argumente për të folur rreth sinqeritetit të pretendimeve të tyre... 

Patën sukses në pretendimin se janë engjëj që ecin mbi tokë, mirëpo nuk arritën të largonin nga vetja shenjat e djajve të tërbuar nga punët dhe planet e tyre mashtruese dhe të padrejta. 

Do të kisha dëshirë që atyre që tallen dhe lozin me botën përreth, duke e bërë atë si një top futbolli që ia pasojnë njëri-tjetrit, t'u bie në vesh fjala ime dhe t'u tërheqë vëmendjen sadopak dhe t'i thërrasë për meditim, pasi atëherë do u thoja: Kur do ta merrni vesh se ju nuk jeni forca më e madhe në botën rreth së cilës jetoni? Dhe të dini, nëse s'e keni marrë vesh deri më tani, se ju jeni robër të përulur të Atij që nga forca e Tij shpërndan një atom të vogël, të cilin njeriu do ta përdorë për realizimin e urdhëresave të Tij, ngritjen e drejtësisë dhe ligjit të Tij? Kjo forcë që u është dhënë, do t'ju merret me të gjitha pamjet dhe llojet e saj, duke u zëvendësuar me zjarrin e pendimit, duke qarkulluar si oksigjeni në frymëmarrje dhe gjaku në damar! Ndërsa ata, të cilëve ju nuk u ngrini peshore, do ju pyesin një ditë për amanetin e fuqisë dhe dijes që Zoti (xh.sh) la në duart tuaja, për të forcuar me ta bazat e mëshirës dhe drejtësisë në tokë, por që fatkeqësisht ju i përdorët si armë për adulterinë, padrejtësinë dhe mashtrimin! 

Zoti (xh.sh) do t'ju pyesë për mirësitë që i caktoi në çdo skaj të tokës për të mirën e njerëzimit, në çdo kohë dhe vend, por që ju i ndaluat si pasuri personale, ndërkohë që të zotët e tyre i bëtë skllevër të përulur për realizimin e planeve tuaja, shërbëtorë të ëndrrave tuaja... Morët të drejtat dhe mbytët liritë nën perden e rreme të përkujdesjes për to dhe ruajtjes së tyre! Unë e di fare mirë se kjo logjikë është e çuditshme për veshët tuaj, pasi sot askush s'ju gjykon, madje talleni me atë që e bën këtë, me aq sa keni mundësi... 

Kjo prirje që keni për t'u tallur, mos iu ndaftë deri në fund, pasi kështu tallja do të jetë logjika juaj e vërtetë, por ta dini se këto prirje do t'ju shuhen në një ditë të shpejtë... Kjo botë është e shkurtër dhe ditët do të kalojnë e ju do të zgjoheni nga mashtrimi i ëndrrave tuaja, në të vërtetën e palëkundur! 

Do të vijë edhe për ju dita kur do të dilni përpara gjykatës së Zotit që mbikqyr çdo të dukshme e të fshehtë, në çdo çështje të jetës, atëherë vendimi do jetë i prerë- siç ju ka paralajmëruar në librin e Tij- skëterrë dhe vuajtje të përhershme e të pafund! 

Pastaj...O zullumqarë të botës në emër të dhembshurisë për të! 

O hajdutë të drejtave dhe pronësive në emër të mbrojtjes së tyre dhe kujdesjes për ta! 

O skllavërues të popujve në emër të globalizmit dhe tërheqjes drejt një sistemi të vetëm botëror! 

Vazhdoni në këtë rrugë në të cilën keni ecur deri tani! Por kujdes, se mos ju lë në baltë burrëria juaj dhe nuk mund të vazhdoni deri në fund... Keni kujdes nga pendimi që do t'ju shtrydhë zemrat dhe nga dënimi i papritur që do t'ju bëjë të harroni kënaqësinë e padrejtësive dhe që njëkohësisht do t'ju zgjojë nga dehja e të luajturit me mbretërinë e Zotit dhe tallja me robët e Tij! 

Ndërsa ju, o të përulur e të dobësuar nuk keni shërim dhe shpëtim tjetër vetëm, se të bashkoheni... 

Por, a do ta bëni ju këtë? 

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip

Muhamed Sytari