(Dhe kapuni që të gjithë për litarin (fenë e Kur'anin) e All- llahut e mos u përçani)
 
 
 
Muslimanë të botës!
 
Ju jeni  njerëzit më të pasur në botë, me të gjitha pasuritë që Zoti ka vendosur në vendet tuaja.
 
Ju jeni njerëzit më të fortë, me gjithë shenjat e bashkimit dhe vëllazërimit që keni ndërmjet vete.
 
Ju jeni njerëzit më krenarë, me gjithë vlerat e moralit të shëndoshë njerëzor, bazat e civilizimit  të pashembullt dhe besimit të forte, përpara të cilit shkenca po gjunjëzohet.
 
Pa dyshim se këto tri veçori ju bëjnë kandidatë për të kryesuar qendrën e udhëheqjes në rangun e familjes botërore, në qoftë se ju punoni të bazuar në to dhe përfitoni prej tyre.
 
Mirëpo ju vendosët që të largoheni nga këto tri veçori, atëherë kur morët vendimin për t'u ndarë e përçarë me njëri- tjetrin, në vend të afrimit të urreheni, në vend të dashurisë të justifikonit shkaqet e ndarjes, në vend që të punonit me të gjitha ato mundësi që keni përpara për tolerancë e solidaritet.
 
Nëpërmjet hungërimave tuaja, që ngrihen përherë e më shumë nga përçarjet që keni ndërmjet jush, bota harroi rolin e çuditshëm të Islamit në bashkimin e fiseve kundërshtare, afrimin e zemrave të larguara nga njëra- tjetra…
 
Ndërsa sot realiteti juaj dëshmon për largimin tuaj nga vëllazërimi, duke copëtuar gjymtyrët e njëri- tjetrit përditë e më shumë, ndërkohë që ju, një ditë prej ditësh ishit si një trup i vetëm.
 
Çmimi me të cilin shitët pasuritë tuaja të dukshme e të padukshme, ishte shumë i lirë për t'u larguar nga qendra juaj e civilizimit dhe nga burimi i forcës tuaj, për të cilën ju dëshmuan shekujt e kaluar. Nuk e di, pse sot rënkoni?
 
A rënkoni pse u penduat nga veprimi juaj, duke shitur me çmim të lirë? Apo rënkoni nga ngarkesat e rënda, që po ju marrin shpirtin duke ju shtrënguar në fyt?
 
Me çfarë logjike punoni, o muslimanë?
 
Nëse vazhdoni të punoni me logjikën e Islamit tuaj, për të cilën dhatë edhe besën, atëherë dijeni se Islami juaj vazhdon t'ju thërrasë, duke ju thënë: {Dhe kapuni që të gjithë për litarin (fenë e Kur'anin) e All- llahut e mos u përçani…}. ( Ali Imran, 103.)
 
Ndërkohë që ndjek me paralajmërimin e tij, duke ju thënë: {E mos u përçani në mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë…}. (El-Enfal, 46.)
 
Por nëse ju punoni me logjikën e interesave, atëherë dijeni se asnjeri, madje as edhe një i marrë, nuk është i paditur në faktin se interesat tuaja janë të lidhura ngusht me bashkimin dhe tolerancën tuaj.
 
E nëse do të punoni me logjikën e atdhetarizmave, ta gëzoni atëherë shtimin e përçarjes dhe zvogëlimit dhe ta dini mirë se logjika e atdhetarizmave ka qenë dhe vazhdon të jetë arma, me të cilën Britania çau bashkimin tuaj dhe prishi bukurinë e kalifatit tuaj drejtues.
 
O muslimanë të botës!
 
Ta dini se nuk ka ilaç më të përshtatshëm për sëmundjet tuaja, nga të cilat rënkoni e bërtitni, nga të cilat vuani varfërinë e skamjen, ndonëse ju jeni pasanikët më të mëdhenj të botës, se sa kthimi juaj nga bashkimi dhe vëllazëria juaj e mëparshme.
 
Mirëpo ju, nuk do të mund të ktheheni aty, vetëm nëse ju tërheq një vijë e përbashkët, që s'është për ju vetëm se sinqeriteti dhe vërtetësia e të anëtarësuarit në Islamin tuaj.
 
E në qoftë se do të jetë e vështirë për ju të ecurit në këtë vijë të drejtë dhe do të mjaftoheni vetëm më thirrjet dhe emblemat e ndryshme, rreth sinqeritetit në marrëdhëniet me All- llahun, ju do të ndesheni me doza edhe më të rënda të ndarjes dhe përçarjes ndërmjet jush.
 
Ndërkohë që globalizmi perëndimor do t'ju ketë përpirë, ndërsa "sistemi i ri botëror i tregtisë", pasi t'ju ketë paralizuar, do t'ju tërheqë pas vetes, duke ju bërë një copë të vogël e një telekomande, që sillet në orbitën e interesave perëndimore.
 
Pastaj do të keni mundësi të dëgjoni fjalën e kohës, që përkthen për ju shprehjen e artë të Hz. Omerit (r.a): "Ne jemi një popull, që na ka lartësuar All- llahu me Islam dhe sado që ta kërkojmë lartësinë me atë që s'na ka lartësuar All- llahu me të, Do të na përulë".
 
 
 
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip
 
Muhamed Sytari