Me ty o i dërguar i Allahut - emocionuese nga Habib Ali el-Xhifri

Loading the player...
1,164
7 years ago

O Zot, t'jemi me të (Pejgamberin salallahu alejhi ue selem), kur do ta bartë atë flamur!

E kur t'më thërret thirrësi me urdhër Tëndin dhe e thërret çdonjërin prej nesh me emrin e tij që të paraqitet para Allahut.

Dhe qëndron çdonjëri prej nesh i vetmuar para Teje dhe i flet çdonjërit prej nesh duke i thënë: "Robi Im, a të kujtohet filan nata në filan ditën, kur i mbylle dyert duke u fshehur nga njerëzit dhe nuk u turpërove që Unë të shoh?!!

Më ballafaqove me gjynahe.

Pse e bëre shikimin Tim në ty, më të parëndësishmin?

Pasha Fuqinë dhe Madhërinë Tënde, nuk e konsideroj Shikimin Tënd në mua më të parëndësishmin! Si të jetë kështu, kur Ti je Zoti i botërave?! Si kështu, kur Ti je Zoti dhe Krijuesi im?!

(Por) më mundi nefsi. Më mundi pasioni.

Por Shikimi Yt në mua, s'është më i parëndësishmi për mua.

O Zot, nëse gjendem në këtë pozitë, po ashtu edhe të tjerët gjenden në këtë pozitë, të lutem që të jetë pozita e jonë si ajo e të dashurve para Zotit të zotërinjve, Bujarit, Dorëdhënësit që të jetë përgjigjja: "A nuk më ke falur kur isha në dynja?!"

Që prej kësaj nate, o Zot, zgjidhe nyjen e këtij udhëtimi! Dhe thua: "Po, të kam falur." E atëherë kur më shkon mendja se çështja ime është shpalosur para njerëzve, Ti më thua: "Robi Im, t'i mbulova (gjynahet) në dynja dhe po t'i falë edhe në ahiret. T'i fshiva nga fletushka e gjynaheve dhe t'i zëvendësova me vepra të mira. I bëra shkronjësit e tyre që t'i harrojnë këto gjynahe. Poashtu bëra që të harrohet vendi në tokë, prej të cilit janë ngritur gjynahet e tua si dhe në qiell. Dhe më pas thërret thirrësi: "Është bërë i lumtur filani i biri filanes me një lumturi, pas së cilës s'ka humbje e as dëshpërim."

O Zot, na e mundëso t'i dëgjojmë këto fjalë! Mos na bëj nga të dëshpëruarit! O Zot, kur të qëndrojmë tek ura e Siratit, le të jemi me Zotëriun tonë Muhamedin (alejhiselam.), o Zot! Atëherë kur ta kalojë (Siratin) më shpejtë se vetëtima.

E nëse jemi tek Haudi. Allah, Allah, Allah!

Dhe i Dashuri im salallahu alejhi ue selem, në krye të Haudit, duke dhënë për të pirë (nga Haudi) më i bardhë se qumështi, më i ëmbël se mjalti dhe më i këndshëm se misku.

Ka prej atyre që e shuajnë etjen me freskinë dhe pastërtinë e ujit. Ndërkohë që ka prej atyre që e shuajnë etjen me freskinë e dorës (së Pejgamberit), e cila iu jep për të pirë.

O Zot, të lutemi për freskinë e dorës që jep ujë (atë Ditë)!

Dhe kur qëndron para dyerve të Xhennetit, i lëviz dorezat trokitëse, e i thuhet se kush është dhe thotë që "Muhamedi!". E thonë se jemi urdhëruar që mos t'ia hapim askujt para teje, dhe i hapen. O Zot, veprat tona nuk na bëjnë meritorë për këtë, por ke hedhur dashurinë në zemrat tona. Zemër që përmban dashuri për atë që gjendet aty, e që ai është i Dashuri im, salallahu alejhi ue selem. Ka thënë që personi do të jetë me atë që e don. O Zot, bëj që kjo dashuri (që kemi për të), të rezultojë të jemi me të vërtetë me të, që t'na mundësohet të hyjmë me të në Xhennet dhe të jetojmë afër tij! E të vëzhgojmë, bashkë me të, dritën e zotërinjve tanë nga të dashurit Tu pejgamberë. Ta takojmë babain tonë, Ademin, zotëriun tonë, Nuhun, zotëriun tonë Ibrahimin, zotëriun tonë Musain, zotëriun tonë Isain - alejhimu selam! T'i takojmë të dashurit Tu në atë botë!

E në sheshin e të shikuarit në Fytyrën Tënde fisnike, Allah, Allah, Allah! Kënaqësia më e madhe e Xhennetit! O Zot, nëse ka shkallëzim për njerëzit në gradët e kënaqësisë në të shikuarit e Dritës Sate, të lutem për një gjë, për të cilën nuk jam meritor, mirëpo Bujaria Jote i përket kësaj. Të ma mundësosh të shikoj në madhështinë e dritës së Fytyrës Sate me shikimin e zotëriut tonë Muhamed (alejhiselam)!

Zoti ynë, kjo është kërkesa jonë, teksa Ti je Zot. Na e mundëso këtë, edhe pse nuk jemi meritorë për këtë, pa sprovë paraprake e as dëm!

Na bëj prej robërve, që i ngjallë dhe i bën të vdesin duke qenë shëndoshë dhe të mbrojtur nga çdo e keqe, o i Gjallë, o Mbikëqyrës, o Bujar ndër dorëdhënësit!

Bëji fjalët tona të fundit "La ilahe ilAllah Muhamed resulullah", salallahu alejhi ue alihi ue selem! Haptas dhe fshehtas dhe dërgoji, o Zoti ynë, përshëndetjet zotëriut tonë, Muhamedit, familjes dhe shokëve të tij dhe lutja jonë e fundit "Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave".