Bismilahi rrahmani rrahim

Nuk jam ndonjë kritik letrar, nuk dua që dikë ta lëndoj me këtë shkrim, nuk kam për qëllim shfaqjen e aftësive të mia, sepse jam i vetëdijshëm se aftësitë e mia janë të kufizuara.
Nuk kërkojë vlerësimin e artikullit tim, nuk pres ndonjë shpërblim nga ky shkrim.
Kërkojë të më ndihmoni në gjetjen e një vazhdimësie të përhershme të shkrimeve tona të cilat shfaqen nëpër gazetat e ndryshme apo në faqet e këtij vebsajti mjaftë të qëlluar.
Kur lexoj ndonjë artikull më duket se e kam gjet veten time aty ku përshkruhet një ngjarje, ku jipet ndonjë ide ose mendim personal i autorit. Por, në të shumtën e rasteve, nuk mundem që ta përfundoj leximin e ndonjë artikulli për iks shkaqe.
Si që thash edhe më parë, nuk dua të ndalem t'i korrigjoj këto gabime apo lëshime në artikujt e përditshëm të autorëve të ndryshëm, këtë gjë nuk do ta bëj sepse nuk jam i atij niveli.
Do të mundohem që në fjalë të shkurtëra ta paraqes mendimin tim personal, se si është e mundur që artikujt tanë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te lexuesit, duke e analizuar këtë gjë në aspektin islam. 
Kushtet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me karakterin e autorit të artikullit:

1.Qëllimi:
Më ka lindur ideja që disa mendime, të cilat më sillen vërdallë në mendje, t'i hedhi në një faqe publike për t'ua paraqitur lexuesve të nderuar.
Para se të filloj shtypjen e germave apo kapjen e lapsit në dorë, patjetër duhet të ndalem dhe t'i bëj pyetje vetes sime, se cili është qëllimi im me këtë punë modeste?! Përfitimi material, të bëhem i njohur para lexuesve, të tregoj shkathtësinë time në shoshitjen e analizave të ndryshme…?! 
Mesiguri do ta gjesh përgjigjen në veten tënde, por duhet patjetër të jesh i sinqertë në këtë momentë, nëse dëshiron ta plotësosh kushtin e parë për një shkrim të suksesshëm.
Muhammedi a.s. ka thënë: "Me të vërtetë, punët shpërblehen sipas qëllimit…" Duke marrë parasysh se unë si musliman e kam të patjetërsueshme që ta ndërtoj qëllimin për punën që dua ta bëj. Pra, duhet që qëllimi im të jetë vetëm për ta fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh) dhe asgjë më tepër.Pa kurrfar dyshimi, ky është një ndër kushtet primare për një shkrim të bukur.
Transmetohet se Imam Buhariu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka treguar se nuk e ka regjistruar asnjë hadith në librin e tij "Sahihul Buhari", pa i falur dy reqate namaz, duke kërkuar nga Allahu xh.sh. që të jetë i kënaqur me punën e tij. Me të vërtet, libri i imam Buhariut mbetet përgjithnjë si një ndër librat më autentik pas Kuranit famëlartë, duke e pasur parasysh se autori në fjalë, qëllimin e tij në këtë punë e kishte bërë vetëmse për hirë të Allahut xh.sh dhe jo për gjë tjetër.
Prandaj, si parakusht i të gjitha kushteve mbetet që shkrimi apo artikulli që do ta shkruajmë të jetë për Allahun e Lartmadhërishëm.

2.Sinqeriteti:
Gjatë shoshitjes së temës në fjalë, duhet që të jem i sinqertë në çdo gjë që paraqitet para lexuesit. Shkrimi im ka të bëjë në mënyrë direkte me temën në fjalë dhe jo me faktorët e jashtëm që më kanë nxitur në marrjen e iniciativës për shkruarjen e këtyre rreshtave. Aspak nuk duhet që autori të jetë i ndikuar nga rrethanat e jashtme, e sidomos kur ato kanë efekte negative si p.sh: Fyerjet, ngacmimet indirekte, provokimet, thashethënat, njollosjet, etj.
Ky kusht na mundësonë që të jemi në lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, edhe pse prania jote fizike është larg tij. Sinqeriteti si kusht i dytë, përforcohet edhe më tepër kur e kemi parasysh kushtin e parë, qëllimin.

3.Përpjekja:
Edhe pse është rradhitur ky kusht si pikë e tretë, ai ka rëndësinë e vet thuajse sa dy kushtet e para. Përpjekja është nxitje e brendëshme e vet autorit, e cila i bën presion intelektit të tij, mendon për të arritur në finalizimin e shtjellimit të temës në fjalë dhe për të sakrifikuar potencialin e tij fizik dhe psiqik në dhënien e mundësisë për lexuesin që të arrijë në kuptimin e vërtëtë të artikullit dhe esencës së tij. Nëse me të vërtet arrihet që kjo pikë të përvetësohet mirë, atëherë shkrimi ynë do ta arrijë suksesin e duhur.

4.Mbështetja në Allahun xh.sh:
Autori nuk duhet të harrojë se suksesi i takon vetëm Allahut xh.sh. dhe se punën që është duke e kryer është si rezultat i dhuntisë së Allahut xh.sh. ndaj robit të tij. Ekzistojnë pengesa të shumta që të ndalojnë në arritjen e qëllimit tend, prandaj për këtë arsye mbështetja në Allahun xh.sh. është e domosdoshme që të tejkalohen këto pengesa. Kur autori fillon t’i flas vetes së tij për suksesin dhe lëvdatat që do t’i ketë, atëherë do të fillojë puna e tij ta humb pamjen e saj të vërtetë.
Transmetohet nga nxënësit e Imam Neveviut, se ashtu si ishte duke shkruar, ndalej dhe thoshte: ESTAGFIRULLAH EL-ADHIM. (Kërkoj falje te Allahu i lartmadhërishëm). Kur e pyetëm, se pse vepron ashtu kur je duke punuar punë të cilat i do Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij? Imam Neveviu përgjigjet: “Më vjen djalli dhe më thotë: “Vetëm vazhdo o Nevevi sepse njerëzit kanë për të të lëvduar, do të bëhesh shumë i njohur”. Dhe për këtë arsye po kërkoj mbështetjen në Allahun xh.sh. duke i kërkuar Atij falje për këto nxitje të djallit.
Suksesi në artikullin e shkruar, do të jetë i plotë nëse merret parasysh ky kushtë shumë i rëndësishëm.

5.Pastërtia fizike:
Ky kushtë do të jetë ndër pikat e fundit të këtyre kushteve që kanë të bëjnë direk me autorin. E quajta pastërti fizike për të pasur mundësi që të kuptohet më lehtë ky kusht, edhe pse ka mundësi të quhet si pastërti shpirtërore, sepse në Islam abdesi konsiderohet si pjesë e pandashme e adhurimeve të shumta. Me pastërti fizike nënkuptojmë marrjen e abdesit para se të fillojmë t’i hudhim idetë dhe mendimet tona në fletat e bardha të fletores apo të mikrosoft vordit.
Muhammedi a.s. ka thënë se abdesi është arma e besimtarit, gjithashtu transmetohet nga shokët e tij se kurrë nuk e ka përmendur Allahun xh.sh. pa pasur abdes.
Ky kushtë, veç më e plotëson efektin e shkrimit tonë ndaj lexuesit, e nëse nuk plotësohet atëherë nuk ndikon në humbjen e efektit të artikullit apo shkrimit, nëse plotësohen kushtet e lartëpërmendura. Duke e ditur se ky kusht ndihmon në forcimin e mendimit, analizës dhe shtjellimit të një teme dhe i jep një pamje edhe më të bukur shkrimit tonë, atëherë pse të mos plotësohet. Abdesi e freskon mendjen dhe trurin.

Në pika të shkurta, këto ishin disa kushte, t’i quajmë të brendshme apo shpirtërore, që kanë të bëjnë direk me brendësinë e autorit.
Egzistojnë edhe disa kushte tjera që janë të lidhura ngusht me faktorët e jashtëm të artikullit që duam ta shkruajmë.

Kushtet që kanë të bëjnë me faktorët e jashtëm të artikullit, e që duhet të plotësohen nga autori:

1.Njohja e detaleve të temës:
Nëse duam të jemi në rrjedha të tematikës së shkruar në faqet e bardha, duhet të jemi të informuar mirë rreth temës për të cilën bisedojmë. Si parakusht i këtij kushti paraqitet para autorit studimi i temës apo i thelbit të artikullit. Me këtë dua të them se autori nuk guxon ta shkruajë artikullin duke u mbështetur në dëgjimin e disa ligjeratave apo leximin e disa broshurave rreth një teme, të cilat kanë një peshë shumë të madhe para personave adekuatë që mirren me lëminë gjegjëse. Kjo është arsyeja kryesore që na bën të hasim vështërsi në kuptimin e artikullit dhe në shumë raste të keqkuptimit të tij, për shkak të mosnjohjes së natyrës së vërtetë të temës nga ana e autorit, e mos të flasim rreth komentit që bëhet nga ana e lexuesve.
Kur them se duhet bërë studimi i temës, nuk e kam për qëllim kryerjen e fakultetit, por çështjen që dëshiron ta paraqesësh para lexuesit të jetë mirë e detalizuar dhe e shkoqitur, e pse jo edhe konsultimi me personat përgjegjës të temës në fjalë.
Paraqitja para opinionit me ide ose mendime të reja duke u mbështetur në : "e kam dëgjuar", është plotësisht e gabuar, sepse nuk është aspak bindëse pohimi se nuk ka tjetër shtjellim përveç këtij, për të cilin pretendon autori.
Ky kusht i përfshin të gjitha natyrat e çfarë do lloji qoftë ajo.

2.Elaborimi i drejtë: 
Përpilimi i metodës dhe mënyrës së shkrimit të artikullit, hedhja e ideve dhe mendimeve të njëpasnjëshme dhe të rënditura sipas nevojës, mbajtja e balansit në mes asaj që shkruhet më herët dhe asaj që pason, shtjellimi i temës në pika esenciale dhe të qarta, duke mos u zgjeruar shumë, dhe në të njejtën kohë duke mos e humbë thelbin kryesor të shkrimit dhe mosdalja nga tema në temë pa pasur nevojë, paraqesin kuptimin e vërtetë të kushtit në fjalë, ELABORIMIT.

3.Burimet e ideve:
Me siguri, idetë e autorit dhe mendimet e tij nuk janë pjellë e mendjes së tij. Patjetër duhet të dihet burimi i këtyre ideve. Nuk është e kushtëzuar që brenda në artikull të tregohen këto burime, por është shumë e lehtë për lexuesin që ta kuptojë shkrimin, nëse burimet e këtyre mendimeve janë të bazuara. Në të kundërtën, lexuesi do të ballafaqohet me shumë kundërthënie dhe nuk do të arrijë ta kuptojë artikullin. Poashtu, te ai formohen ide që janë në kundërshtim të plotë me atë që thuhet në artikull.

4.Njohja e terminologjisë: 
Secila shkencë ka terminologjin e vet me të cilën njihet në mesin e lexuesve. Artikulli nuk e arrin suksesin e tij nëse autori flet rreth një teme, por nuk e njeh terminologjinë e asaj lëmie. Fjalët dhe mendimet e tij mbeten të gjymta, keqkuptohen dhe i jepet kahje tjetër qëllimit të shkrimit.
Njohja e terminologjis së një shkence, është kusht brenda kushteve për të folur rreth asaj teme. Unë them diçka, por në të njejtën kohë kuptohet diçka tjetër nga njohësit e kësaj shkence. Prandaj kërkohet përgatitje adekuate për ta filluar shkrimin apo për ta shtjelluar një çështje delikate.

5.Elokuenca gjuhësore:
Artikulli të shkruhet bukur dhe rrjedhshëm në gjuhën e lexuesve, duke u mundësuar atyre ta kuptojnë më lehtë dhe më rrjedhshëm temën. Përmirsimet gjuhësore të korrigjohen para se të hidhen në fletat e bardha.
Njëkohësishtë, të mos komplikohet artikulli me fraza filozofike të panevojshme, të largohemi nga barbarizmat në gjuhën amtare dhe sa më tepër ta thjeshtësojmë kuptimin e artikullit, duke mos u larguar nga rregullat dhe ligjet e parapara të gjuhës amtare.
Të shumtë janë ata që thonë se shkrimi im është i stilit shumë të lartë, saqë shumica e lexuesve nuk e kuptojnë. Jam i sigurtë se po të ketë diçka që ka për tu kuptuar, do ta kishte kuptuar edhe lexuesi.

6.Korrektësia:
Korrektësia në shkrim konsiderohet ndër parimet më të larta morale të autorit. Këtu shihet intelegjenca dhe morali i autorit. Shpeshherë shohim se një autor flet bukur për një autor tjetër i cili mundet të jetë në kundërshtim të plotë me idetë dhe qëllimet e tij. Kjo është shkalla e vlersimit dhe provimi final i karakterit të autorit. Ndoshta ky kusht ka të bëjë më tepër me kushtet e grupit të pare, por e rradhitëm në këto kushte sepse faktorët e jashtëm do të mbeteshin pa vlerë po të mos mbështeteshin në këtë pikë shumë të rëndësishme. Duhet patjetër autori të jetë korrektë në shtjellimin e temës duke mos anuar me këmbngulje rreth tematikës në fjalë.
Muhammedi a.s. ka thënë: "Thuaje të vërtetën, qoftë edhe e idhët".

Rezyme
Këto ishin disa kushte të cilat duhet t’i plotësojë ai që dëshiron të shkruajë një shkrim. Kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë elemente tjera që duhet të hynë në vargun e kushteve për të qenë shkrimi sa më i mirë dhe efektivë.Aty hasim edhe shumë pika tjera që e bëjnë autorin të dallohet me shkrimet e tij dhe ta godas lexuesin në zemrën e tij duke ia mundësuar atij zgjerimin e horizontit të njohurive të reja, duke i ndihmuar atij që sa më shumë të gjendet afër leximit dhe duke i ndihmuar atij që leximi dhe konsultimi i literaturave të ndryshme të jetë pjesë e jetës së tij.
Artikujt e bukur dhe të rrjedhshëm e afrojnë lexuesin edhe më shumë afër sofrës së diturisë, e bëjnë atë që edhe ai të jetë pjesmarrës i shtjellimit të temave kyçe të shoqërisë, madje edhe më gjerë. Prandaj, është këshillë e dobishme për çdonjërin që të mos frikësohet nga penda, mos ta bindën veten se nuk mundet, por të mundohet, të studiojë dhe ngadalë të fillojë hedhjen e mendimeve të veta në këto faqe të bardha, duke iu përmbajtur kushteve dhe etikës gjuhsore.
Sa më tepër duhet të largohemi nga kuantiteti dhe të koncentrohemi në kualitet. Nuk është me rëndësi, se cili ka shkrur, por është me rëndësi se ç`ka ka shkruar. Nuk duhet të jetë qëllimi ynë përfitimi nga këto shkrime, por qëllimi final duhet të mbetet në ofrimin e mundësisë që shoqëria të përfitojë nga ne.
Këmbimi i ideve përmes shkrimeve jep mundësinë e përparimit ideor duke i dhënë të drejtë gjithkujtë për shprehjen e mendimit të tij.
Sa mirë dhe sa e dobishme do të ishte që secili t’i qaset lëmis së vet të cilën e ka studiuar!
Sa parimore do të ishte kur mjeku të fliste për mjeksi, bujku për bujqësi, teologu për teologji…!
Sa bukur do të lidheshin temat njëra me tjetrën, dhe në mënyrë automatike do të bindeshim se çdokush në shoqëri e ka vendin e vet të caktuar dhe çdonjëri për tjetrin do të kishte nevojë.
Shkrimet dhe artikujt do ta humbnin vlerën, pamjen reale dhe artin esencial, kur për një temë do të flisnin njerëz të kategorive dhe profileve që nuk kanë të bëjnë me artikullin në fjalë.
Liria është shprehje e bukur, megjithatë është e kufizuar.


Ismail Halimi 
07.05.2009