Prof. Xhasim El-mutava

 
Relaksimi, gëzimi, hareja dhe lumturia është nevojë dhe kërkesë e çdo njeriu mbi faqen e tokës. Secili prej nesh kërkon faktorë të cilët e relaksojnë, e bëjnë të qeshë ose të buzëqeshë. Secili prej nesh kërkon dhe ka nevojë të shohë gjëra të reja dhe relaksuese. Secili prej nesh kërkon që nëpërmjet sportit, dëfrimit dhe argëtimeve të largojë lodhjen, mërzinë dhe stresin.
Vetë i dërguari i Zotit a.s, shihej gjithmonë i buzëqeshur dhe i gëzuar. Kjo ndodhte edhe kur shoqëria muslimane ndodhej përballë një krize dhe problemi serioz.

Po ne muslimanët e sotëm, a ndihemi të gëzuar? Si mund t'a shtojmë gëzimin në familjet dhe shoqëritë tona? Si gëzohemi dhe argëtohemi ne muslimanët dhe si argëtohen perëndimorët?

Sot, për tu argëtuar, dëfryer dhe për t'u relaksuar, janë ndërtuar qytete dhe është vënë në funksion të saj një industri e tërë. Në këto qytete, gjenden të gjithë mjetet e dëfrimit dhe për të gjithëgrupmoshat, që nga fëmijët e vegjël deri tek të moshuarit. Ekzistojnë komplekse dhe shërbime nga më të ndryshmet, për t'i bërë njerëzit të qeshin dhe të gëzojnë. Këto vende vizitohen dhe frekuentohen gjatë gjithë vitit. Turizmit i kushtohet një rëndësi të madhe, pasi të ardhurat prej tij janë të konsiderueshme. Sot ekzistojnë vende për turizëm ekonomik, historik, kulturor dhe edukativ.

Kështu, shohim që në perëndim i kushtohet rëndësi argëtimit, relaksimit dhe dëfrimit.

Thotë Profeti a.s:"I relaksoni shpirtërat tuaj kohë pas kohe!"

Për t'i kthyer buzëqeshjen dhe për t'u relaksuar, njeriut i mjaftojnë edhe gjërat më të thjeshta. Njeriu qetësohet dhe relaksohet edhe me cicërimat e bukura të zogjve dhe pamjet e bukura në natyrë. 

Një fjalë e urtë thotë:"Tre gjëra e largojnë hidhërimin: Gjelbërimi, uji dhe fytyra e hijshme."

Sot janë ngritur institucione dhe kompani të cilat janë specializuar në fushën e dëfrimit, relaksimit dhe argëtimit.

Thotë Profeti a.s:"Çdo njeri që e gëzon një tjetër, ai ka fituar kënaqësinë e vetë Zotit të madhëruar."

Të gjithë ne, kemi si synim që të arrijmë dhe të fitojmë kënaqësinë e Allahut të madhëruar. Vetë sahabet dhe muslimanët e parë, sakrifikuan gjithçka, jetën dhe pasuritë, për këtë objektiv. Atyre u bëhej qejfi dhe gëzoheshin pa masë kur e fitonin kënaqësinë e Zotit dhe kur kjo shpallej në Kuran.

Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:" Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt." (Fet'h 18)

Padyshim që një ajet i tillë i gëzoi të gjithë sahabet dhe vetë Profetin a.s.

Buzëqeshja, gëzimi dhe hareja, sot janë kthyer në produkte industriale.

Gjatë vizitës time të fundit në Malaizi, u takova me një mikun tim të vjetër. Gjatë bisedës, ai më tregoi mbi një shokun e tij kinez, i cili e pëlqente islamin, dëshironte të bëhej musliman, por kishte një problem që nuk e zgjidhte dot. E gjithë jeta e tij ishte e mbushur me argëtim, dëfrim, gëzim dhe hare. Sipas tij, duke qenë se islami urdhëron për t'u falur pesë herë në ditë, kjo do e kufizonte shumë dhe i dukej e papërballueshme një jetë e tillë. Ky ishte shkaku që e pengonte të pranojë islamin.

Në fakt, ky kinez e kishte kuptuar gabim islamin, i cili ashtu siç i kushton rëndësi punës dhe riteve fetare, i kushton rëndësi dhe argëtimit dhe dëfrimit. 

Islami nuk e obligon individin të punojë për njëzet e katër orë pa pushim dhe që gjatë gjithë kohës të qëndrojë i ngrysur dhe i zymtë. Profeti a.s urdhëron:" I relaksoni shpirtërat tuaj kohë pas kohe!"

Vetë ai, shihej gjatë gjithë kohës i buzëqeshur dhe buzagaz. 

Në fakt, vetë ritet fetare, janë mundësi relaksimi dhe çlodhjeje. Njeriu është krijuar nga balta dhe shpirti. Vetë shpirti e gjen qetësinë dhe relaksohet kur lidhet me Krijuesin e tij suprem. Ndërkohë që balta, qetësohet dhe relaksohet kur kontakton me prodhimet e tokës dhe kënaqësitë e kësaj bote.

Kështu, njeriu në islam gjen dhe i garantohen të gjithë llojet e relaksit, atij shpirtëror dhe fizik.

Nëse do të donim t'a përshkruanim islamin me njërën nga ngjyrat e njohura, vallë çfarë ngjyre do i jepje ti o vëlla dhe o motër? Të bardhë, jeshile apo blu?

Jam i sigurtë se askush prej nesh, nuk do i jepte islamit ngjyrën e zezë, të frikshme dhe të zymtë. 

Një e krishterë, kur përqafoi islamin, tha:”Për Zotin. Jeta që kam jetuar deri tani i ngjan qymyrit të zi, ndërkohë që jeta e re në islam, i ngjan diamantit dhe kristalit të bardhë.”

Një kinez tjetër, u konvertua në musliman për shkak të një vajze muslimane të cilën e kishte dashur dhe për t’u martuar, pranoi islamin. Fillimisht, konvertimi në musliman ishte për një leverdi dhe interes personal. Kur u takova me të në Malajzi më tha:”Unë hyra në islam për shkak të dashurisë që ndjeja për bashkëshorten time, por pasi u prezantova rrënjësisht me islamin. Prandaj unë e falenderoj Zotin që më ka udhëzuar në këtë fe, e cila është feja më e pranueshme për natyrën njerëzore.”

Çdo shoqëri dhe komb, ka metodat dhe mënyrën e tij për të shprehur gëzimin dhe harenë. Edhe ne muslimanët, kemi festat dhe metodat tona. Ne kemi dy festa vjetore, dy bajramet, dhe po kështu, kemi çdo javë një ditë feste, ditën e xhuma.

Festa e fitër bajramit, vjen pas një muaji agjërim dhe adhurimi, gjë e cila padyshim i ka lodhur muslimanët. Kështu, vjen festa e fitër bajramit, me qëllim që të çlodhen dhe gëzojnë. Po ashtu dhe kurban bajrami, i cili vjen si kurorëzim i ritit të Haxhit, i cili dhe ai është i lodhshëm. Kurban bajrami vjen për t’u relaksuar dhe çlodhur, pas atyre ditëve ku ne kemi përkujtuar Zotin dhe kemi ringjallur traditën e profetit Ibrahim.

Kurse festa javore, është ajo e ditës së xhuma. Gjatë orës që falet e xhumaja, të gjithë muslimanët duhet të jenë shkëputur nga punët dhe angazhimet e tyre të përditshme dhe të jenë grumbulluar në xhami. Ato çaste, janë çaste relaksi dhe pushimi të detyrueshëm. Me të përfunduar namazi i xhumasë, të gjithë janë të lirë të shpërndahen dhe t’u kthehen angazhimeve të tyre.

Ditën e xhuma, pëlqehet që të lexohet sureja Kehf, e cila përmban disa histori të ndryshme. Historia e parë e kësaj sureje, flet për një grup të rinjsh të cilët jetonin në një shoqëri të degjeneruar, të korruptuar dhe pagane. Ata morrën një vendim të vështirë, duke u izoluar prej një shoqërie të tillë. Një vendim të tillë, ata e morrën pasi ishin besimtarë të përkushtuar. Kështu, ata nuk u morrën me rregullimin e gjendjes në shoqëri, por preferuan të pushonin dhe relaksoheshin. Ata ishin të pajisur me besim dhe ishin të përkushtuar, por nuk kishin vepra dhe dëshirë për të punuar.

Historia e dytë, është e dy fermerëve, të cilët kishin mbjellë nga një fermë me fruta. Fermeri i parë, një ditë hyri në fermën e tij dhe mbeti i mrekulluar nga pemët gjithë fruta, gjelbërimi, rregulli dhe bukuria e fermës së tij. Të gjithë këtë, ai ia atriboi vetes së tij.

Ky person, kishte punuar dhe frut i punës së tij, ishte ferma që kishte ngritur, por atij i mungonte besimi.

Historia e tretë është është e Dhul Karnejnit i cili brodhi gjithë botën. Ai ishte punëtor dhe, njëkohësisht edhe besimtar dhe i përkushtuar. Për shkak se ishte besimtar i përkushtuar, kur ndërtoi digën për të penguar Jexhuxh Mexhuxhët, ai e ndërtoi atë në formën më të mirë. Me këtë, Dhul Karnejni kthehet në modelin më të mirë të besimtarit. 

Modeli ynë nuk mund të jenë ai grup të rinjsh të cilët u izoluan nga shoqëria duke u vendosur në një shpellë. Modeli ynë nuk mund të jetë edhe fermeri i cili mendonte se ishte vetëm puna dhe lodhja e tij, ajo që e kishin bërë fermën aq të bukur dhe hijerëndë.

Modeli ynë më i mirë, është kur bashkohet puna dhe besimi.

Faraoni, caktoi një ditë ku e gjithë popullata dhe ai vetë, do të shihnin triumfin kundrejt Musait a.s. Kjo ditë që u caktua, ishte dita e festës së egjyptianëve. Po përse donte t’a sfidojë Musanë pikërisht ditën e festës?

Ajo ditë quhej ndryshe dita e besës ndaj lumit Nil. I gjithë Egjypti asokokohe, mendonte se triumfi dhe fitoret u vinin prej lumit Nil. Kështu, për t’a nderuar këtë lum, kishin caktuar një ditë, ku gëzoheshin, dëfrenin dhe argëtoheshin.

Edhe pse ishte ditë feste, triumfi dhe gjithçka dukej e gëzuar dhe e lumtur, kjo ditë u shndërrua në ditë humbje për Faraonin. Kjo ndodhi para gjithë njerëzve dhe popullit të Egjyptit.

Për regjistrimin e këtij emisioni, kemi ardhur në Australi dhe pikërisht jemi ulur në një vend ku vizitohet nga shumë turistë. Duke më parë me veshjen tipike të vendeve arabe, shumë turistë më afroheshin dhe më pyesnin nga jam, çfarë po regjistrojmë etj... Unë u përgjigjesha i qetë dhe u tregoja se po regjistrojmë një emision mbi gëzimin dhe dëfrimin në islam. Por njëri prej tyre më befasoi me pyetjen:”Pse, edhe ju muslimanët dëfreni?”

Një pyetje e tillë, është tregues i nocionit dhe imazhit për muslimanët në perëndim.

Një i hebre, i tha Umer ibnul Hatabit:”Ju keni në Kuran një verset, - dhe i lexoi versetin” Sot e plotësova fenë tuaj, plotësova mirësinë Time ndaj jush dhe kam zgjedhur islamin si fenë tuaj” të cilin po ta kemi ne në librat tona, ditën kur është shpallur, do e kthenim në ditë feste.” 

Umeri ia ktheu duke qeshur:”Për Zotin ajo është ditë feste tek ne, pasi është shpallur ditën e xhuma dhe ditën e Arafatit.”

Një herë, Aisheja i kërkoi Profetit a.s të shohë abisinasit si kërcejnë dhe luajnë në xhami. Dhe Profeti a.s e lejoi dhe nuk e privoi nga ky gëzim.

Sot muslimanët përballen me shumë sfida dhe probleme si në Irak, Palestinë dhe vende të tjera. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos gëzojmë dhe të mos dëfrehemi.

Gëzimi dhe hareje, e pajisin njeriun me energji të reja dhe forcë për t’i përballuar më mirë sfidat dhe vështirësitë. 

Thotë Profeti a.s:”Buzëqeshja jote para një vëllai, është sadaka.”

Kjo, pasi nëse do i buzëqeshësh do e nxisësh të të flasë dhe të komunikojë me ty. Madje, buzëqeshja është një mesazh shumë i fortë që ti je njeri i nderuar, zemërmirë, i dashur dhe me edukatë.

Feja jonë është fe e buzëqeshjes dhe mirësjelljes, gjë të cilën duhet t’ua bëjmë të ditur të gjithë botës. Përse të mos eksportojmë buzëqeshjen dhe paqen, në vend të shpërthimeve, shkatërrimit dhe terrorizmit? 

Ashtu siç ata janë të aftë të prodhojnë teknologji e cila i bën të gëzojnë dhe dëfrejnë dhe e eksportojnë edhe tek neve, ashtu edhe ne duhet të eksportojmë artin e gëzimit dhe buzëqeshjes.

Ditën e festës së bajramit, Profeti a.s i porosiste që të dalin të gjithë dhe të gëzojnë. Madje, ai i porosiste edhe gratë që nuk mund të falen në xhami atë ditë, që të marrin pjesë dhe të dalin në shesh.

Një australian që kërkonte të mësojmë më shumë mbi islamin, i kërkoi një shokut të tij musliman që t’i mësojë diçka. Muslimani, pasi i mësoi disa parime të përgjithshme, i tha:”Pas katër ditësh, është festa e bajramit, ku të gjithë muslimanët gëzojnë dhe dëfrehen. Atë ditë, i gjithë komuniteti musliman në Australi, do të jenë të grumbulluar në xhami. Është rast i mirë të mësosh traditat dhe shumë gjëra të tjera rreth islamit.”

Ditën e bajramit, australiani mbeti i mrekulluar dhe dëshmoi para të gjithëve se:”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij.”

Imami Ibnul Haxher (biri i gurit) ka marrë këtë nofkë, pasi kur mësonte qëndronte ulur mbi gurë, për shkak se nuk kishte gjë tjetër ku të ulej, pasi ishte shumë fukara.

Ai u angazhua për komentimin e haditheve të imam Buhariut dhe e përfundoi vetëm pas njëzet e pesë viteve. Ditën që e përfundoi këtë projekt madhështor, ai u gëzua shumë dhe shpenzoi nga xhepi i tij mbi pesëqind dinarë, duke shpërndarë dhurata dhe ëmbëlsira.

Vetë i dërguari i Zotit a.s, e festonte ditëlindjen e tij, duke agjëruar. Kështu, shohim që problemi nuk qëndronte tek festimi, por tek mënyra si e feston një ndodhi të caktuar. Problemi nuk qëndron tek gëzimi, por tek mënyra si e shprehim gëzimin.

Gëzimi duhet të jetë me gjëra që e kënaqin Zotin e madhëruar, dhe jo me gjëra që e zemërojnë. 

Ne si muslimanë duhet të përpiqemi që gëzimin, harenë dhe lumturinë t’a bëjmë karakteristikë të çdo familjeje muslimane. çdo individ musliman, çdo familje dhe çdo shoqëri muslimane kërkon të jetojë e lumtur si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.

Gëzimi dhe hareja nuk ka përse të jenë vetëm në këtë botë. Gëzimi dhe hareja më e madhe do të jenë në botën tjetër, sidomos ato çaste kur të takohemi dhe të shohim madhështinë e Allahut.

Pikërisht këtu qëndron dhe gëzimi i muslimanëve dhe i jomuslimanëve. Ata që nuk janë muslimanë, shpenzojnë dhe sakrifikojnë gjithçka, me qëllim që të shijojnë kënaqësitë e kësaj bote. Ndërkohë që muslimani ashtu siç kërkon të kënaqet dhe të gëzojë në këtë botë, kërkon edhe në botën tjetër.

Në fund, e lusim Zotin që të na i shtojë gëzimet dhe kënaqësitë si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën.

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

 
Burimi:
http://www.ikratv-alb.net/
E diel, 16 Maj 2010 18:21