Mbi dhikrin 
Ibn Atallah el Iskenderi 

Fragment i shkëputur nga vepra “Miftah el felah” (Çelësi i suksesit) 

Dhikri është një zjarr që nuk qëndron apo përhapet. Kështu, nëse ai hyn në një shtëpi duke thënë, “unë dhe askush tjetër veç meje”, që është një prej kuptimeve të “la ilahe il-lall’llah” (nuk ka tjetër zot veç Allahut), dhe nëse ka dru zjarri në shtëpi, ai digjet e ndizet. Në pastë errësirë në shtëpi, ai bëhet dritë. Në pastë dritë në shtëpi, ai bëhet “dritë mbi dritë”.


Dhikri dëbon prej trupit lëndët e papastra të prodhuara prej teprimit në të ngrënë apo prej konsumimit të ushqimeve të palejuara. Për sa i përket ushqimit që është i lejuar, ai nuk e djeg atë. Kështu, përbërësit e dëmshëm digjen dhe përbërësit e mirë mbeten.


Dhikri dëgjohet në çdo anë, sikur t’i fryhej një borie. Nëse dhikri ndodh së pari në kokë, tingulli i borisë dhe çaparet ndihen aty. Dhikri është një sulltan; kur zbret në një vend, zbarkon me boritë dhe çaparet e tij, për arsye se dhikri i kundërvihet gjithçkaje tjetër veç të vërtetës. Nëse zbret në një vend, ai e angazhon vetveten me të mohuarit e të kundërtës së të vërtetës, sikurse shohim në bashkimin e ujit dhe të zjarrit. Pas këtyre tingujve, tinguj të ndryshëm dëgjohen: si gurgullima e ujit, vërshëllima e erës dhe fëshfërima e gjetheve që lëkunden në pemë prej erës. 


Kjo ndodh, për arsye se njeriu është një ndërthurje e çdo lënde fisnike e të ulët bashkë: pluhur, ujë, zjarr, ajër e tokë dhe tokë e qiell e çka mes tyre: këto tinguj çlirohen prej çdo burimi e elementi të këtyre lëndëve. Kushdo që i ka dëgjuar këto tinguj në dhikër lëvdon Allahun dhe e madhëron Atë me gjithë gjuhën e vet. Ky është rrjedhim i dhikrit me gjuhë me forcën e absorbimit të plotë. Ndoshta adhuruesi do të arrijë gjendjen kur, nëse ai bije në heshtje prej dhikrit, zemra do të trazohet në frymëmarrjen e tij, sikurse lëvizja e foshnjës në mitër, duke kërkuar dhikër.


Disa thonë se zemra e tij është si Isa, biri i Merjemes, paqja qoftë mbi të, dhe dhikri është qumështi i tij. Kur ai rritet e bëhet i fuqishëm, përmallja për të Vërtetën, në mënyrë të dëgjueshme, shpërthen prej tij dhe sëmbon prej mallit që kërkon dhikrin dhe Një e të Vetmin që thirret në adhurim. Dhikri i zemrës është si gumëzhima e bletës, as zhurmë shqetësuese dhe e lartë, as tingull i ulët e i fshehur. Kur i Vetmi që thirret në adhurim vihet në zotërim të zemrës dhe dhikri shuhet e zhduket, adhuruesi nuk i kushton vëmendje as dhikrit, as zemrës. Nëse gjatë kësaj, ai e konstaton dhikrin apo zemrën, kjo është një perde që të largon vëmendjen.


Kjo gjendje është asgjësim (fena’) – dhe qëndron në atë që njeriu asgjësohet në marrëdhënie me veten (nefs) e nuk ndien asgjë në gjymtyrët e tij, as sendet jashtë vetes apo sendet brenda vetes. Nëse, gjatë kësaj, atij i ndodh që të asgjësohet krejtësisht në raport me vetveten, kjo është, pastaj, një e metë e turbullirë. Përkryerja është që ai të asgjësohet ndaj vetvetes dhe ndaj asgjësimit dhe asgjësimi i asgjësimit është qëllimi i asgjësimit. Asgjësimi është më e hershmja e Rrugës (Tarik), pasi ajo është udhëtim drejt Allahut të Gjithëfuqishëm, e ma pas pason udhëzimi. Me udhëzim kuptoj udhëzimin e Allahut sikurse tha Profeti Ibrahim (a.s.): “Po shkoj te Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë.” (37:99) 


  Kjo përthithje është rrallë e qëndrueshme dhe rrallë herë vazhdon. Nëse lutësi vazhdon, ajo kthehet në një zakon të fiksuar dhe një gjendje e përhershme, me të cilën ai mund të ngjitet në botën qiellore. Pastaj, Qenia më e pastër e vërtetë lind dhe ai vuloset me natyrë të botës së padukshme (melekut) dhe shenjtëria e Hyjnisë (lahut) shfaqet tek ai. Gjëja e parë që i shfaqet atij prej asaj bote janë esencat e engjëve dhe të shpirtrave të Profetëve e të shenjtorëve në forma të bukura, përmes të cilave disa prej realiteteve vërshojnë tek ai. Ai është fillimi. Kjo vazhdon derisa grada e tij të jetë më e lartë sesa format e takuara dhe ai takon të Vërtetën në gjithçka me qartësi.


  Ky është fryti i zemrës së dhikrit. Fillimi i tij është vetëm dhikri i gjuhës; dhe pastaj nxitet dhikri i zemrës. Pastaj dhikri bëhet i natyrshëm; dhe pastaj i Vetmi që adhurohet e pushton plotësisht dhe adhuruesi zhduket. Kjo është e fshehta e brendshme e fjalëve të Profetit, që Allahu e bekoftë e i dhuroftë paqe: “Kushdo që dëshiron të banojë në Kopshtin e Parajsës duhet ta lusë shumë Allahun” dhe e fshehta e fjalëve të tij “dhikri i fshehtë është shatëdhjetë herë më i pëlqyeshëm ndaj dhikrit që dëgjohet prej dëgjuesve.” Shenja e dhikrit që lëviz për në vetëdijen e brendshme (sirr) është mungesa e adhuruesit prej dhikrit dhe të Vetmit që adhurohet dhe dhikri i ndërgjegjes së brendshme është etje e papërmbajtshme dhe mbytje në të.


Mes shenjave të tij është se kur pushoni së bëri dhikër, ai nuk ju lë ju dhe epërsia e dhikrit brenda jush ju trazon nga mungesa në prani.


Mes shenjave të tij është se dhikri ushtron trysni ndaj kokave e gjymtyrëve tuaja dhe kështu, ato duken sikur të ishin të lidhura me zinxhirë e vargonj. Mes shenjave të tij është se zjarret e tij nuk qetësohen dhe drita e tij nuk largohet. Përkundrazi, ju e shihni kurdoherë dritën e tij duke u ngritur e ulur ndërsa zjarret rreth tij janë të pastra, në flakë e digjen ndritshëm. Kur dhikri mbërrin vetëdijen e brendshme kur adhuruesi bije në heshtje prej dhikrit, është sikur atij t’i ketë ngecur gjuha pa nevojë apo sikur e gjithë fytyra e tij të ishte një gjuhë që adhuron, duke lëshuar dritë.


Çështje e mprehtë: dije se çdo dhikër që ndien zemra jote dëgjohet prej dëgjuesve, nëse vetëdija e tyre përputhet me vetëdijen tënde. Ka një të fshetë në këtë: kur dhikri yt zhduket prej vetëdijes tënde pasi ti ke shkuar tek Ai që adhurohet, dhikri yt zhduket gjithashtu prej vetëdijes së dëgjuesve.


Çështje e mprehtë: dhikri i këtyre të fundit është pa praninë e dhikrit të gjuhës. Dhikri i pranisë në zemër është dhikri i zemrës; dhe dhikri i mungesës prej pranisë me Atë që adhurohet është dhikri i vetëdijes së brendshme (sirr), dhe është dhikër i fshehtë.

E diel, 26 Prill 2009 19:25