Për përforcimin e dashamirësisë dhe të domethënies së vëllazërisë, islami ka parimet e veta praktike… Të vëllazëruarit për hir të All-llahut xhel-leshanuhu që i praktikojnë ato, gjithnjë e më tepër do ta shtojnë vëllazërinë…

Vëllezër të besimit!

Në vijim mund të shihni metodat e përforcimit të domethënies së vëllazërisë:

a) Ai që e do vëllanë, këtë edhe duhet t’ia shprehë atij

Lidhur me këtë, Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Kur dikush e do vëllanë e vet, le t’i tregojë atij se me të vërtetë e do.” (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Transmetohet gjithashtu me sened të vërtetë prej Enesit (Zoti qoftë i kënaqur me të) se në kohën kur dikush ishte i pranishëm te Muhammedi alejhisselam, ndërkohë kalon një njeri. Personi që ishte i pranishëm i tha Pejgamberit: O i dërguar i All-llahut, unë e dua atë që kaloi.
Pejgamberi alejhisselam i tha: A i ke treguar atij për këtë? Ai u përgjigj: Jo. Muhammedi alejhisselam atëherë i tha: T’i tregosh. Bashkëbiseduesi i pranishëm menjëherë filloi të vraponte pas tij dhe, kur e arriti, i tha: Me të vërtetë unë të dua për hir të All-llahut. Njeriu iu përgjigj: Të dashtë All-llahu që ta bëri të mundshme të më duash mua! (Transmeton Ebu Davudi).

b) Kur vëllai ndahet pasi është takuar me vëllanë e vet, të kërkojë prej tij që ti bëjë lutje (dua)

Transmetohet nga Omer bin Hatabi (Zoti qoftë i kënaqur me të) ku thuhet: „Kur kërkova leje për t’u larguar nga Muhammedi alejhisselam pas Umres, Pejgamberi më lejoi duke më thënë:’Mos harro të na urosh në lutjet tua, o vëllaçko!’“
Omeri thotë: „Pejgamberi më tha një fjalë që më gëzon se jetoj në këtë botë.” Ndërkaq, në një transmetim tjetër thuhet se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „O vëllaçko, na përmend edhe neve në lutjen tënde.’’ (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Transmetohet se Pejgamberi alejhisselam ka thënë: „Çdo rob (adhurues) mysiman që lutet për vëllanë e vet (fshehurazi), një melaqe gjatë kësaj lutje i thotë atij: Ashtu t’u ktheftë edhe ty!”(Transmeton Muslimi).

c) Kur vëllai e takon të vëllanë, le t’i buzëqeshë atij

Ebu Dherri (Zoti qoftë i kënaqur me të) thotë se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Mos e përbuz asnjë të mirë, edhe kur kjo është një buzëqeshje për të vëllanë.“ (Transmeton Muslimi)

ç) Kur vëllai takohet me të vëllanë le të nxitojë të toket me të


Transmetohet nga El-Berrau (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Kur dy besimtarë takohen dhe token me njëri-tjetrin, të dyve u falen gabimet (e vogla) ende pa u ndarë.“ (Transmeton Ebu Davudi)

d) Kohë pas kohe t’i shtojë vizitat te vëllai i vet

Transmetohet nga Maliku (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „All-llahu i Lartmadhëruar thotë: Dashuria Ime është e obligueshme për ata që duhen për hirin Tim, për ata që ulen (të bisedojnë) dhe për ata që japin (sadaka) për hirin Tim.“ (Transmeton Maliku në „El-Muvetta“)

dh) Ta përshëndetë dhe ta gëzojë kurdo që të ketë rast

Transmetohet nga Enes bin Maliku (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Ai që takon të vëllanë (mysliman) me atë që e dëshiron, me qëllim që kështu ta gëzojë vëllanë e tij, atë All-llahu do ta gëzojë Ditën e gjykimit.“ (Transmeton Tabraniu në librin „Es-Sagir“)
Më së miri është që gjatë përgëzimit t’i përmbahen kodit të trashëguar nga të parët, si, bie fjala:
- Për lindjen e foshnjes t’i thotë: „Qoftë me fat! Qoftë i lavdëruar Ai që e fali! Gëzofsh respektin e tij! I posalinduri pastë rritë të mbarë!“ (Transmetohet nga hazreti Huseini, biri i Aliut)
- Për kthimin nga një udhëtim i gjatë: „Qoftë i lavdëruar Ai që ta mundësoi të udhëtosh e të kthehesh shëndosh e mirë dhe të takohemi përsëri!“ (Transmetohet nga të parët tanë selefus-salih)
- Pas kthimit nga xhihadi: „Qoftë i lavdëruar Ai që të mundësoi fitoren, që të lartësoi dhe të nderoi!“ (Transmeton Muslimi dhe Nesaiu nga Aishja - Zoti qoftë i kënaqur me të)
- Pas kthimit nga haxhillëku: „Qoftë i pranuar tek All-llahu haxhillëku yt! T’u falshin gabimet nga All-llahu dhe pasuria jote u bëftë e pashtershme!“ (Transmeton Ibn Es-Sennij nga biri i Omerit)
- Për martesë: „Qofshit të bekuar nga All-llahu! Ju dhashtë të mira dhe ju bashkoftë me të mira!“ (Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu nga Ebu Hurejra)
- Pas faljes së namazit të Bajramit: „Allahu e pranoftë prej nesh edhe prej jush!“ (Transmetohet nga Vathile bin Eska’a)
- Për falënderim: „Të bekoftë All-llahu ty, familjen dhe pasurinë tënde! All-llahu ta shpërbleftë me të mira!” (Transmeton Nesaiu dhe Ibn Maxheh)

e) T’i japë dhuratë vëllait kur e do nevoja

Transmeton Enesi (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Praktikoni dhuratat, sepse ato mbjellin dashuri dhe largojnë mëninë e pashfaqur!“ (Transmeton Dejlemiu, hadith merfu’).
Transmeton edhe Aishja (Zoti qoftë i kënaqur me të) se pejgamberi alejhisselam ka thënë: „Këmbeni dhurata mes jush, kështu do të duheni njëri me tjetrin“ (hadith merfu’)

ë) Të shfaqë interesim të madh për t’i kryer ndonjë punë vëllait

Ebu Hurejrah (Zoti qoftë i kënaqur me të) thotë se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Kush ia heq një nga brengat e kësaj bote besimtarit, atij All-llahu do t’ia largojë një nga brengat e Ditës së gjykimit. Kush i ndihmon atij që është në shtrëngim, All-llahu do t’ia bëjë të lehtë në këtë dhe në botën tjetër. Kush nuk ia përshpall ndonjë lëshim myslimanit, atë All-llahu do ta falë në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu do t’i ndihmojë robit të vet, derisa ai t’i ndihmojë vëllait të vet.“ (Transmeton Muslimi)

f) T’i përmbushe të gjitha detyrimet e vëllazërisë


Nga këto detyrime, po përmendim: Ta vizitojë kur është i sëmurë, të shkojë kur e fton ai, pas teshtitjes t’i thotë jerhamukall-llah (Mëshira e All-llahut qoftë mbi ju!), t’i ndihmojë kur i bëhen padrejtësi etj. Këto detyra inshaall-llah do t’i shpjegojmë më gjerësisht në temën vijuese.

Të dashur vëllezër besimtarë!


S’ka dyshim se kur myslimani i tregon vëllait musliman se e do, kur vëllai e di se vëllai lutet fshehurazi për të, kur vëllai e pret vëllanë me buzëqeshje dhe toket me të kur takohet, kur e përgëzon për diçka dhe i jep dhuratë në rast nevoje, kur e viziton kohë pas kohe dhe nuk e harron, si dhe kur myslimani tregon interesim për t’i kryer ndonjë punë vëllait të vet ashtu siç e shoqëron në vuajtje dhe dëshpërime, s’do mend se duke i zbatuar këto parime në mënyrë të përpiktë ndaj vëllait mysliman, lidhjet e dashurisë mes tyre shtohen përditë e më shumë dhe njëherit kështu forcohet e përjetësohet dhe vëllazëria islame.
Është e ditur se praktikimi i këtyre metodave është gjë e dëshirueshme (mendub) dhe e pëlqyeshme (mustehab). Ndërkaq, sa u përket të vëllazëruarve për hir të All-llahut xhel-leshanuhu, këto metoda janë të domosdoshme. Kjo gjë vërehet fare mirë edhe në atë që është thënë: „Të mirat që bëjnë njerëzit e rëndomtë merren si gabime në qoftë se këto i bëjnë më të dashurit e All-llahut“. „Ajo që kërkohet prej njerëzve të ngritur, nuk kërkohet edhe prej njerëzve të tjerë.“
  Është e vërtetë se kur të vëllazëruarit u përmbahen këtyre parimeve sipas fesë islame, atëherë këta bëhen shembull i mirë edhe për të tjerët duke udhëzuar njerëzit e tjerë me veprat e tyre që bëhen shembëlltyrë e sjelljes dhe e punës së gjithë masës.

Marrur nga libri:
"Vëllazëria Islame"

E hënë, 21 Dhjetor 2009 15:07