Prof.Dr.Muhammed Seid Ramadan El-Buti
Në këtë trajtesë do të diskutojmë rreth xhihadit luftarak (xhihadit përmes forcës apo luftës së armatosur). Ne e dimë më së miri se kur myslimanët u vendosën në Medine, Allahu i bëri përgjegjës për bekime (dhurata) dhe i urdhëroj ato të bënin ç’është e mundur për ti mbrojtur dhe ruajtur ato. Këto dy bekime janë: (1) Një territor dhe banesë islame të cilën, duke përdorur termat bashkëkohorë ne mund ta quajmë shtëpia e parë islame e dhuruar prej Zotit. (2) Një shoqëri islame, apo shtetin islam, i cili përbëhej nga sistemi qeverisës dhe nga njerëzit (myslimanë dhe të tjerë) të cilët jetonin nën këtë sistem.
Këto dy bekime të dhuruara nga Allahu janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, njëri nuk mund të ekzistoj pa praninë e tjetrit. Nuk mund të ekzistoj asnjë "shtëpi islame" (daru selam) pa ekzistencën e një shoqërie myslimane, e po ashtu as shoqëria islame nuk mund të strukturohet nëse paraprakisht nuk është rënë dakord për një tokë të mbrojtur dhe të sigurt e cila mund të quhet banesë apo shtëpi.
Është aksiomatik fakti se përgjegjësia për të ruajtur dhe mbrojtur këto dy zotërime nuk mund të përmbushet përmes xhihadit paqësor (xhihadit përmes "fjalës" ose davetit). Kjo është një detyrë e cila mund të përmbushet vetëm duke zmbrapsur apo zbythur agresorët, dhe duke penguar çdo rrezik që mund të vij prej tyre. Është kjo arsyeja pas legjitimimit të xhihadit luftarak në sheriatin islam. Një përligje kjo e cila ka ardhur kryesisht si pasojë e hixhretit (emigrimit) të myslimanëve nga Meka për në Medine dhe vendosjes së tyre të përhershme në të. Pavarësisht nga ky fakt, kanë ekzistuar debate të shumta ndërmjet imamëve dhe fakihëve (juristëve) të ligjit islam rreth shkakut përcaktues që lejon xhihadin luftarak. A është paganizmi i armiqve (duke mos marrë parasysh a janë armiqësor ndaj myslimanëve apo jo), apo është armiqësia e tyre aktive kundër myslimanëve faktori përcaktues për shpalljen e xhihadit? Në vijim do të paraqesim një përmbledhje të argumenteve të secilës palë, e më pas do të japim verdiktin tonë në përputhje me tekstet dhe normat e sheriatit me të cilat duhet të pajtohet çdo mysliman.
A është qëllimi i xhihadit mënjanimi i luftës dhe armiqësisë apo shkatërrimi i mosbesimit?
Dijetarët mysliman janë ndarë në dy grupe rreth kësaj çështjeje. Sipas shumicës së dijetarëve mysliman, duke përfshirë këtu hanefit, malikit dhe hanbelit [1], shkaku kryesor për shpalljen e xhihadit luftarak është mënjanimi i sulmit të armiqve, ndërsa nga krahu tjetër, Imam Shafiu pohonte në mënyrë të qartë se shkak për lejimin e xhihadit luftarak është ateizmi apo mosbesimi i një populli. Në mbështetje të Imam Shafiut [2] është shprehur edhe Ibn Hazmi [3].
Mendimet e grupit të parë (mendimi i shumicës). Ky mendim mbështetet në shumë versete të qarta kuranore të cilat ilustrojnë se xhihadi luftarak kundër një armiku është i justifikueshëm vetëm në rastin e mënjanimit të sulmit armik. Po ashtu dijetarët e grupit të parë mbështeten në disa hadithe profetike të cilat i ndalojnë myslimanët që të kryejnë luftë kundër njerëzve paqësor, të cilët nuk kanë shkaktuar dëme e as nuk kanë kryer sulme kundër myslimanëve. Argumentet e tyre të nxjerra nga Kurani janë si më poshtë
“Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin”.
“Vallë, a nuk do të luftoni kundër atyre që e kanë shkelur besëlidhjen, janë përpjekur ta dëbojnë të Dërguarin dhe kanë filluar të parët t’ju sulmojnë?!”
“Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që I bën miq ata, është punëmbrapshtë (zullumqarë)”.
“…luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet”
Sipas dijetarëve të grupit të parë, këto versete urdhërojnë që myslimanët duhet ti trajtojnë jobesimtarët me ëmbëlsi dhe paanshmëri, veç në qofshin armiqësor dhe të dëshiruar për të shkatërruar myslimanët dhe fenë e tyre. Rrjedhimisht, motivi për nisjen e xhihadit është vetëmbrojtja. Këto versete i janë herë pas here profetit gjatë qëndrimit të tij në Medine, madje disa prej tyre janë zbritur vetëm disa muaj para se profeti të ndërronte jetë. Dijetarët e mendimit të parë e mbështesin idenë e tyre edhe në hadithet (thëniet profetike) në vijim:
Raportohet se "një grua u gjet e vrarë [nga ushtarët mysliman] në një nga betejat e profetit. Ai e refuzoi këtë veprim [të ushtarëve] duke thënë: "padyshim kjo grua nuk ka qenë luftëtare e ushtrisë armike". Atëherë profeti i dërgoi liderit mysliman Halid ibn Velid mesazhin e mëposhtëm: "Profeti të urdhëron të mos vrasësh asnjë grua e asnjë shërbëtor". [8]
Transmetohet nga Ebu Davudi, ky nga Enes ibn Malik se profeti i tha një prej liderëve të tij ushtarak: "Dërguar në emrin e Allahut. Asnjë plak, asnjë fëmijë e asnjë grua nuk duhet vrarë. Shmang mashtrimin, mbaje plaçkën e luftës të bashkuar, pajto vëllezërit e tu dhe bëj të mirën se Allahu i do ata që bëjnë mirë." [9]
Urdhëresat e kryera nga kalifi i parë [Ebu Bekri] drejtuar liderëve të ushtrisë së parë islame (pas vdekjes së profetit) ishin si më poshtë: "Mos gjymto [trupat apo fytyrat] armiqtë, shmang mashtrimin dhe koprracinë. Mos pre asnjë pemë e mos digj asnjë të mbjellë. Asnjë kafshë nuk duhet vrarë me përjashtim të atyre që përdoren për ngrënie. Asnjë murg nuk duhet vrarë e asnjë vend adhurimi nuk duhet shkatërruar. Duhen vrarë vetëm ata të cilët kanë ngritur armët kundër jush…" [10]
Synimi pas servirjes së këtyre të dhënave është që të tregohet mënyra se si profeti i ka ndaluar myslimanëve të luftojnë joluftatarët apo njerëzit të cilët nuk kanë startuar asnjë sulm kundër myslimanëve. Është një fakt i vërtetuar nga thënia e profetit, të cilën e cituam pak më lart, i cili kur pa gruan e vrarë tha: "Ajo nuk mund të konsiderohet si luftëtare [për këtë arsye nuk duhej të ishte vrarë]". Këto dhe shembuj të tjerë të ngjashëm janë disa prej ngjarjeve të cilat tregojnë mënyrën se si myslimanët e zhvillonin luftën [kital] e tyre, apo mënyrën e përvetësuar nga ata gjatë luftërave apo bastisjeve të ndryshme. Të gjitha këto ngjarje përmenden në librat e historisë dhe në librat Meghazi (Libra të luftërave dhe ekspeditave ushtarake të kryera nga profeti dhe shokët e tij).
Argumentet e palës së dytë: Në këtë grup përfshihen dijetarët Shafii (ndjekës të imam Shafiut) dhe dhahiri (ndjekës të imam Ibn Hazmit). Ato deklarojnë se shkaku thelbësor i xhihadit është dhënia fund e paganizmit. Për të vërtetuar mendimin e tyre ato janë mbështetur në tekstet religjioze të mëposhtme:
Sipas këndvështrimit të dijetarëve që mbështesin këtë mendim, qëllimi primar i xhihadit është dhënia shkatërrimi dhe dhënia fund e paganizmit dhe ateizmit. Në mbështetje të mendimit të tyre ato janë bazuar edhe në hadithet (thëniet profetike) të mëposhtme.
“…vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”.[11]
“Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur”.[12]
Transmetohet nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, këto nga Samrah ibn Xhundub, ky nga profeti (a.s.) se ai ka thënë: "Vritini shehët e paganëve, por jo fëmijët e tyre" [13]
Transmetohet nga Buhariu, ky nga Enes Ibn Maliku se në ditën e çlirimit të Mekës, një burrë shkoi tek profeti dhe i tha: "Ibn Khatal është kapur pas mbulesës së Qabes". Përgjigja e profetit ishte: "Vriteni atë" [14]
Siç e kemi thënë edhe më lart, ndjekësit e kësaj shkolle mendimi argumentojnë se dy ajetet kuranore konfirmojnë se objektivi i xhihadit është vrasja e jobesimtarëve. Ky objektiv nuk buron nga sulmi që jobesimtarët mund ti kenë bërë myslimanëve, por ai vjen thjesht si pasojë e mosbesimit të tyre. Ndjekësit e këtij grupi mendojnë se jobesimtarët duhen luftuar derisa të pendohen dhe të pranojnë Islamin, ashtu siç tregohet edhe në versetin kuranor, apo të paguajnë xhizjen siç tregohet në ajetin e dytë të përmendur më lart.
Nëse ky grup përballet me kundërshtinë ndërmjet verseteve të përmendura nga ata, nga njëra anë, dhe verseteve të përmendura nga grupi i parë, nga ana tjetër, ata përgjigjen duke thënë se dy versetet e përdorura nga ato janë versetet më të fundit që i janë shpallur profetit, në këtë mënyrë ato shfuqizojnë çdo verset tjetër që mund të ketë ardhur më parë. [15] Ata po ashtu besojnë se vetë profeti ka urdhëruar vrasjen e shehëve të paganëve, të Ibn Khitalit, etj. Duke e mbështetur gjykimin e tyre religjioz mbi këto tekste, ky grup deklaron se paganët duhen vrarë më shumë për shkak të paganizmit të tyre se sa për shkak të armiqësisë luftarake.
Vlerësim i këndvështrimeve të lartpërmendura
Siç e vumë re edhe më parë, argumentet bazë të ofruara nga Imam Shafiu janë dy versetet kuranor (verseti 5 dhe 29 i sures nr. 9) dhe dy thëniet profetike. Në të vëretetë, nëse do ta shohim versetin nr. 5 të shkëputur nga konteksti i tij atëherë do të ishim të mendimit se ai mbështet këndvështrimin sipas së cilit myslimanët duhet ti luftojnë paganët për shkak të paganizmit të tyre, por është e domosdoshme që ky verset të shihet i bashkangjitur edhe me versetet e tjera që vijojnë pas tij. Pasi ta kemi shqyrtuar këtë verset nën dritën e tre versetet (9:6-8) të cilat e shoqërojnë atë do të kuptojmë se ideja e luftimit të paganëve thjesht për shkak të paganizmit të tyre nuk mbështetet nga këto versete. Më poshtë do të sjellim versetin nr. 5 në tërësinë e tij.
“Kur të kalojnë muajt e shenjtë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë” [17]
Leximi i këtij verseti i shkëputur nga versetet fqinje dërgon ujë në mullirin e opinionit të shafiive dhe dhahirive sipas së cilëve paganët duhen vrarë kudo që të jenë, e kjo në kohë të caktuar. Megjithëkëtë, në mënyrë që të krijojmë një opinion dhe gjykim sa më të saktë në lidhje me këtë verset duhet të përmendim edhe versetet e mëposhtme.
“Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt. Kështu duhet, sepse ata janë njerëz që nuk dinë. Si mund të kenë idhujtarët besëlidhje me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, me përjashtim të atyre me të cilët keni lidhur ju marrëveshje te Xhamia e Shenjtë?! Sa kohë që ata t’i përmbahen marrëveshjes - përmbajuni edhe ju, sepse Allahu i do ata që i frikësohen (Atij). Si (mund t’u besoni) kur, nëse ju mundin, ata nuk e respektojnë as farefisninë, as marrëveshjen? Ata ju kënaqin me fjalë, ndërsa zemrat e tyre ju kundërshtojnë; shumica e tyre janë të ligj”. [18]
Duke e marrë versetin nr. 5 nën dritën e verseteve të lartpërmendura arrijmë në një kuptim jo vetëm të ndryshëm, por edhe krejtësisht kontradiktor me opinionin e mbështetur nga Shafiitët dhe dhahirinjtë. Verseti i shqyrtuar nën dritën e kontekstit të tij e kundërshton mendimin e Shafiive dhe dhahirive së paku në tre aspekte.
Së pari. Allahu i urdhëron myslimanët që ti ofrojnë mbrojtje paganëve, për sa kohë ato janë midis myslimanëve, në mënyrë “që të dëgjojnë fjalën e Allahut” përmes së cilës, shpresohet, se ato do të kthehen në besim. Nëse e pranojnë këtë “fjalë”, atëherë ato bëhen vëllezër mysliman e gjithçka zgjidhet. Por nëse këmbëngulin në devijimin e tyre, atëherë ato duhen shoqëruar në mënyrë të sigurt deri në një vend ku mund të ndjehen të sigurt. Kështu që, nëse paganizmi do të kishte qenë shkaku i xhihadit (d.m.th. paganët duhen vrarë), ne nuk do të kishim qenë të urdhëruar prej Allahut që ti shoqëronim dhe ti trajtonim me butësi ato. Sipas mbështetësve të mendimit të dytë (Shafiit, etj.), paganizmi i këtyre njerëzve ishte një “ndëshkim i përligjur”, përhershmërisht i vlefshëm kundër tyre. Ata janë të mendimit se edhe nëse paganëve do ti jepej mundësia për të dëgjuar fjalën e Allahut, e të bëheshin mysliman, nuk ka asnjë arsye përse i duhet garantuar atyre mbrojtje për sa kohë ato mund të kthehen aty ku kishin nisur, d.m.th. në blasfemi dhe paganizëm. Po përse, atëherë, kjo urdhëresë hyjnore na kërkon që ti garantojmë atyre mbrojtje? Arsyeja është thjesht moszhvillimi, nga ana e tyre, e luftës kundër myslimanëve, dhe nënshtrueshmëria dhe dëshira e tyre për të jetuar në paqe midis nesh. Përsa kohë ato qëndrojnë në këtë gjendje, urdhërimi hyjnor na detyron ti trajtojmë ato paqësisht pavarësisht nga refuzimi i tyre për të dëgjuar Fjalën e Allahut, pavarësisht nga këmbëngulja e tyre për të qëndruar jobesimtarë dhe ateistë. Është pikërisht në bazë të këtij interpretimi që shumica e dijetarëve mysliman kanë pohuar se shkaku i xhihadit është vetëmbrojtja, d.m.th. vetëm pasi të jenë armiqtë ata të cilët sulmojnë të parët.
Së dyti. Në ajetet e lartpërmendura, Allahu ka përjashtim duke thënë: “Si mund…me përjashtim të atyre me të cilët keni lidhur ju marrëveshje te Xhamia e Shenjtë?!” Sa kohë që ata t’i përmbahen marrëveshjes - përmbajuni edhe ju, sepse Allahu i do ata që i frikësohen (Atij). [19] Nëse paganizmi do të kishte qenë shkaku i nisjes së xhihadit kundër tyre, atëherë marrëveshja me ata të cilët jemi të urdhëruar ti luftojmë do të kishte qenë e pavlefshme. Nëse e marrim për të mirëqenë se “marrëveshja” është kryer para zbritjes së këtij verseti (9:5), atëherë na duhet ta marrim këtë verset si një e dhënë e cila e bën të detyrueshëm fundin e kësaj “marrëveshjeje”. Si shafiitë ashtu edhe dhahiritë kanë pohuar se ky verset i ka abroguar të gjitha ato versete të cilat na lejojnë të jemi të paqshëm me paganët, madje edhe atëherë kur ato nuk janë armiqësor ndaj nesh. Nëse do ti qëndrojmë besnik këtij parimi, atëherë do të na duhet të themi se edhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, para zbritjes së këtij verseti, midis myslimanëve dhe paganëve duhej të ishin të pavlera. Padyshim që pazashi 9:7 ka zbritur më pas se ai 9:5, e megjithëkëtë ai na haptazi që ti qëndrojmë besnik paganëve për sa kohë që ato janë të tillë me ne. Detyrimet e rrjedhura nga marrëveshja duhen përmbushur me kujdes të veçantë, gjithnjë duhet i duhet qëndruar besnik fjalës së dhënë. Marrëveshjet janë krijuar për t’iu përmbajtur atyre. Unë besoj se është pikërisht ky rregull të cilit duhet ta ndjekim e ti qëndrojmë besnik, e jo rregulli ‘abrogues’ i përmendur pak më parë.
Së treti, përjashtimi i përmendur në pasazhin 9:7, tregon qartësisht se fajësimi i paganëve in toto duhet përjashtuar si mundësi. Ky pasazh na tregon arsyen se përse janë denoncuar marrëveshjet me paganët tradhtarë. Kjo duket mëse qartë në fjalët paralajmërimin që Allahu jep në këtë pasazh kur thotë: “Si (mund t’u besoni) kur, nëse ju mundin, ata nuk e respektojnë as farefisninë, as marrëveshjen? Ata ju kënaqin me fjalë, ndërsa zemrat e tyre ju kundërshtojnë; shumica e tyre janë të ligj”. [20]. Në këtë pasazh Allahu (xh.sh.) na urdhëron që të mos bëjmë marrëveshje me armiqtë pagan të cilët thyejnë fjalën e dhënë dhe kanë ligësi në zemrat e tyre. Nëse këtyre paganëve do ti jepej mundësia të na mbizotëronin atëherë ata pa dyshim do të ishin tradhtarë dhe do të shfuqizonin marrëveshjet me myslimanët. Ata mund të thonë fjalë të drejta, por zemrat e tyre janë plot ligësi.
Duke u nisur nga ajo që kemi thënë derimëtani, arrimë në përfundimin se Allahu (xh.sh.) na ka urdhëruar të bëjmë marrëveshje me paganët dhe të jemi tolerant dhe besnik ndaj atyre të cilët i qëndrojnë besnik fjalës së tyre. Nëse objektivi i xhihadit do të kishte qenë luftimi i paganëve në tërësi, atëherë nuk do të kishte pasur asnjë nevojë për të vendosur marrëveshje me ta. Rrjedhimisht, nuk do të kishte pasur asnjë dallim midis paganëve të cilët janë besnik dhe paqësor dhe atyre tradhëtarë dhe kërcënues. Këto janë tre shembuj, të cilat vijnë pas të ashtuquajturit ajet të shpatës të cilin shaifiitët dhe dhahiritët e kanë kuptuar si “abrogues” dhe detyrues obligues për luftimin e paganëve kudo që janë, dhe kjo thjesht për arsyen se ata nuk kanë pranuar Islamin. Tre pikat e diskutuara më lart bëjnë të qartë se myslimanët duhet të luftojnë vetëm me ata që i sulmojnë të parët. Derimëtani unë nuk kam gjetur asnjë të dhënë që të kundërshtojë pohimin e sapobërë.
Ndërsa në lidhje me interpretimin e bërë nga shafiitë rreth ajetit: “Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur” [21], duhen marrë parasysh këto vërejtje:
1. Ajo që kuptojmë nga ky verset është se njerëzit e librit (të krishterët dhe hebrenjtë) duhen luftuar derisa të pranojnë Islamin ose të paguajnë xhizjen (taksën). Kjo do të thotë se ato duhet të zgjedhin midis pranimit të Islamit (dhe në këtë mënyrë janë të shlirët nga xhizja) dhe pagimit të xhizjes (duke mbajtur në këtë mënyrë fenë që kishin). Kjo do të thotë se pagimi i xhizjes është një alternativë nëse refuzohet pranimi i Islamit. Ky gjykimi bie në mënyrë të qartë në kundërshtim me opinionin e këtij grupi, sipas së cilit paganët duhen luftuar thjesht për shkak të paganizmit të tyre. Atëherë lind pyetja: Përse duhet paguar xhizja? Përgjigjja është e thjeshtë: Myslimanët nuk duhet të luftojnë derisa nuk janë provokuar nga armiku. Nëse armiku sulmon atëherë myslimanët duhet ta luftojnë atë derisa ai të pranojë të japë xhizjen. Në këtë mënyrë arrihet vendosja e paqes.
2. Ky ajet urdhëron kital-in “luftën” dhe katl-in (vrasjen). Me parë, në kapitullin tre, kemi shpjeguar dallimin e madh midis këtyre dy shprehjeve. Veçanërisht kur morëm në analizë hadithin “unë jam urdhëruar të luftojë kundër njerëzve derisa të deklarojnë se nuk ka zot tjetër përveç Zotit [22] Nëse unë them “vrava dikë”, kjo do të thotë se isha unë ai që veprova i pari, por nëse unë them “e luftova atë” kjo do të thotë se unë i rezistova një veprimi të ngjashëm të kryer nga ai, apo se “duke ditur se ai do të më luftonte unë i dhashë goditjen e parë në mënyrë që të mos më godiste ai i pari”. Ehli kitabët (hebrenjtë dhe të krishterët) apo të tjerë përveç tyre mund të jenë duke përgatitur luftë kundër myslimanëve. Atëherë çfarë duhet të bëjnë myslimanët? Ata duhet, padyshim, ta kundërshtojnë këtë sulm dhe ti kundërvihen planit të armikut. Paqja dhe siguria nuk do të mbizotërojnë midis myslimanëve dhe kundërshtarëve të tyre vetëm nëse ato bien dakord për një sistem i cili mund të quhet si mbrojtës si për myslimanët ashtu edhe për jomyslimanët të cilët jetojnë në shoqërinë islame. Diskutimin rreth shprehjes “derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur” do ta shtymë për më vonë, për në kapitullin e gjashtë të librit tonë ku do të flasim për dhimmi-të (subjekte të lira jomyslimane që jetojnë në shtetin islam) dhe rregullat e zbritura për to.
Tani ka ardhur koha të marrim në shqyrtim hadhithet e ndryshme mbi të cilat shafiitë dhe dhahiritë janë mbështetur për të pohuar se xhihadi duhet zhvilluar kundër paganëve thjesht për faktin se ato janë pagan. Këto hadithe janë si mëposhtë:
1. Hadithi i transmetuar nga Ibn Umeri, përmendur në kapitullin 1 dhe i diskutuar në detaje në kapitullin nr. 3 “unë jam urdhëruar të luftojë kundër njerëzve derisa të deklarojnë se nuk ka zot tjetër përveç Zotit”. [*][Ndonëse ky hadith mund të duket problematik unë do të sqaroj, me lejen e Allahut (xh.sh), se problem nuk qëndron tek teksti por tek mendjet e shkollarëve të cilët merren imtësisht me temën e xhihadit. Ky problem shfaqet sa herë që studiuesi nuk arrin të bëj dallimin ndërmjet shprehjes ukatil (luftoj) dhe shprehjes ektul (vras). Çdo lexues i ndërgjegjshëm i gjuhës arabe mund ta shquaj dallimin në fjalë. Nëse teksti i këtij hadithi do të kishte qenë “unë jam urdhëruar të vras” në vend të “unë jam urdhëruar të luftoj” atëherë kjo do të kishte përbërë me të vërtet një problem serioz, sepse ai do të kishte shkuar ndesh me të gjitha versetet dhe thëniet të cilat ndalojnë kthimin me dhunë të njerëzve në fe. Termi “luftoj”, i përdorur nga profeti në këtë hadith (siç pohon edhe konsensusi i transmetuesve të hadithit), nuk bie në kundështim me asnjë nga argumentet dhe tekstet që konfirmojnë urdhërimin e Allahut (xh.sh.) për të predikuar Islamin përmes mjeteve paqësore. Kjo është kështu sepse termi “luftoj” tregon pjesëmarrje, ai nënkupton rezistencë nga të dyja palët. Kjo fjalë nënkupton ti rezistosh një personi i cili ka nisur një agresion me qëllimin për të vrarë. Limitet e luftimit përfshijnë një qëndrim ngushtësisht mbrojtës. Personi i cili lufton vetëm nëse sulmohet nga të tjerët quhet “luftëtar”, ndërsa filluesi i agresionit nuk mund asnjëherë ti mvishet ky emër, përkundrazi ai duhet quajtur ‘vrasës’ për shkak të synimit të tij për të vrarë, ose si pasojë e kryerjes së ndonjë sulmi apo pushtimi konkret. Kështu që, termi ‘luftim’ do të thotë pjesëmarrje (në luftim), ai tregon vetëmbrojtje në rast sulmi. Kur dikush thotë: “Unë do ti luftoj ato për nderin dhe tokën time”, kjo do të thotë se ai person është i detyruar ti kundërpërgjigjet një sulmi të kryer nga dikush tjetër. Nëse sulmi nuk prek dinjitetin apo pronën e dikujt tjetër, atëherë nuk ka asnjë arsye për të nisur ndonjë kundërsulm. Prandaj, sulmi kryhet vetëm si kundërpërgjigje ndaj një sulmi tjetër, ai që vepron të kundërtën e kësaj mund të quhet “sulmues” apo “vrasës”, por jo “luftëtar”. Duke pasur parasysh këtë që sapo përmendëm, kuptimi i vërtetë i këtij hadithi të diskutueshëm është ky: Jam urdhëruar prej Allahut (xh.sh.) të përmbush detyrën e thërritjes (paqësore) të njerëzve për të besuar në njëshmërinë e Tij dhe të mbrohem kundër çdo sulmi të ndërmarrë kundër këtij synimi, madje edhe nëse kjo do të kërkoj luftimin e agresorëve apo kundërshtarëve. Kjo thënie është e ngjashme me një tjetër pohim që profeti bëri gjatë marrëveshjes së Hudejbijes “…por nëse ato nuk e pranojnë armëpushimin, pasha Zotin në duart e të cilit është jeta ime, unë do ti luftoj ato për të mbrojtur kauzën time deri sa të vritem”. Këto fjalë profeti ja tha Badil ibn Varka ndërsa ky i fundit po i ftonte kurejshët për paqe dhe, njëkohësisht, po i paralajmëronte ata për luftën që i kishte stërmunduar. Fjalët e profetit “Unë do ti luftoj ato për të mbrojtur kauzën time” nënkuptojnë se ai, ndonëse dëshiron të bëj paqe me kundërshtarët e tij, do të reagoj ndaj ndonjë agresioni të mundshëm të tyre, nëse ato këmbëngulin në sulmin ndaj myslimanëve. Kuptimi i këtij hadithi është i njëjtë me atë të hadithit pararendës: “Unë jam urdhëruar (nga Allahu) të luftoj kundër njerëzve…”. Imam Bejhekiu transmeton prej imam Shafiut se ai ka thënë: “Fjala “luftoj” në asnjë mënyrë nuk rrjedh nga fjala “vras”. Dikush është i detyruar të luftoj (nëse sulmohet), por jo të vrasë pa asnjë arsye”. Drejt këtij kuptimi ka tërhequr vëmendjen edhe dijetari i mirënjohur Ibn Haxheri, ku në veprën e tij Fet’hul Bari tregon se : El-Karamani u pyet njëherë rreth statusit të atij i cili refuzon të paguaj zekatin. Pyetje ndaj së cilës ai ju përgjigj duke thënë: “Ai i cili refuzon të paguaj zekanit është po aq në gabim sa i cili nuk pranon të falet, sepse të dy kanë të njëjtin synim. Për këtë arsye ai duhet luftuar. Megjithëkëtë, dallimi ndërmjet këtyre dy lloje veprimesh është se, ndryshe nga rasti i atij që nuk pranon të falet, zekati duhet marrë me forcë nga ata të cilët refuzojnë ta japin. Nëse ata përmbahen nga të dhënit për bamirësi, atëherë duhen luftuar. Kështu ndodhi edhe me pasuesin e profetit, Ebu Bekrin, kur ai i luftoi të gjithë rebelët individë dhe fise të cilët refuzuan të paguajnë zekatin. Nuk asnjë transmetim që të tregoj se kalifi i parë [Ebu Bekri] të ketë vrarë ndokënd prej rebelëve të zënë robër.” Më pas, Ibn Haxheri shton: “Kështu që, marrja e këtij hadithi si një përligjje për të vrarë çdokënd i cili ndalon apo nuk kryen faljen (salat) duhet peshuar mirë, sepse ka një dallim ndërmjet termit “luftë” dhe termit “vrasje”.” Në librin e tij Sherh el-Umdah, shkollari i mirënjohur Ibn Dakik el- Id, refuzon fuqimisht mbështjen në këtë hadith për të justifikuar vrasjen e atyre të cilët reshtin së kryeri ritin e faljes. Ai e vërteton dallimin, e shpjeguar më parë, midis luftimin dhe vrasjes, sepse luftimi i përfshin të dyja palët. Kështu që mund të themi se marrja e këtij hadithi si pretekst për të vrarë të gjithë ata të cilët reshtin së faluri është krejtësisht e pasaktë, siç është shprehur edhe Ibn Haxheri, sepse për të ajo që i dërguari i Allahut ka shprehur në këtë hadith është luftimi dhe jo vrasja. Hadithe si këto janë të pazbatueshme si prova për të vrarë këdo të refuzon të përqafoj Islamin, duke pasur parasysh këtu se një mysliman i cili ndalon së faluri është më përgjegjës (se jomyslimanët) për veprimin e kryer dhe, rrjedhimisht, duhet të jetë më i prekshëm nga ndëshkimi. Padyshim që jomyslimanët nuk mund të akuzohet për asnjë nga këto gjëra. Rrjedhimisht, kjo thënie: “Unë jam urdhëruar (nga Allahu) të luftoj…” nuk duhet konsideruar si një pengesë në thirrjen (davetin) islam, e cila duhet zhvilluar brenda kufinjve të lirisë së zgjedhjes dhe aftësisë për të marrë vendime.] Mendoj se tashmë jemi të aftë të bëjmë dallimin midis termi “luftë” dhe termit “vrasje”. Po ashtu ekzistojnë edhe transmetime të ngjashme këtë të sapopërmendurin. Çuditërisht, vetë imam Shafiu në një rast ka tërhequr vëmendjen për këtë dallim duke thënë: “kital-I (luftimi) nuk duhet barazuar asnjëherë me katl-in (vrasjen). Neve na është lejuar të bëjmë kital, por jo katl. Më pas në mënyrë akoma më të çuditshme shohim që imam Shafiu citon hadithin e lartpërmendur për të mbështetur mendimin e tij se xhihadit duhet kryer për shkak të paganizmit të njerëzve. Padyshim që kjo është e gabuar. [23]
2. Hadithi i Samura ibn Xhundub “Vritini shehët e paganëve, por jo fëmijët e tyre”, nuk mund të jetë provë për tezën në fjalë. Ai nuk mund të citohet si referencë e cila mbështet mendimin e shafiive rreth natyrës së xhihadit islam. Fjala sheh, në gjuhën arabe, ka një shumëllojshmëri kuptimesh. Duket se shafiinjtë ka përzgjedhur kuptimin më të përafërt me të cilin ato janë përballur. Sipas këtij kuptimi kjo fjalë përshkruan një njeri në moshë më thyer (i paaftë, i pafuqishëm, i thinjur etj.), por fjala sheh përdoret edhe për të përshkruar një burrë i cili ka mbushur të pesëdhjetat, një burrë i nderuar dhe i respektuar pavarësisht nga fakti nëse është apo jo fizikisht i fuqishëm. Rrjedhimisht, shprehja “e thirra sheh”, do të thotë “e thirra me respekt” [24]. Fjala sheh, në këtë aspekt, nënkupton një burrë që ka mbërritur moshën e pjekurisë dhe të urtësisë dhe është bërë një burrë i respektuar, pavarësisht nga fakti nëse është apo jo fizikisht i fuqishëm. Një burrë me karakteristika të tilla nëse gjendet në radhët e armikut, gjatë gjendjes së luftës, është shpesh më i rrezikshëm se djemtë e rinj në kuptimin që ai është profesional, më dhelparak, dhe më i mprehtë në skicimin e planeve të luftës [25]. Shprehja “mos i vrisni fëmijët e tyre” e shpjegon më së miri kuptimin e sapothënë. Sa i përket njerëzve të cilët janë në moshë të thyer, invalid, të pavëmendshëm, apo vuajnë nga skleroza, ata nuk duhen përfshirë, sipas mendimit të shafiive, në hadithin e lartpërmendur. Për arsye se profeti i ka ndaluar myslimanët të vrasin apo të luftojnë kundër kësaj kategorie njerëzish. Ky ndalim shfaqet hapur në hadithin e përmendur më parë sipas së cilit: “asnjë i moshuar (sheh), fëmijë, apo grua nuk duhet vrarë…”. Nga ky hadith kuptojmë qartazi se profeti ka përkufizuar fjalën sheh si një burrë i thyer në moshë, i cili nuk duhet vrarë.
3. Ndërsa përsa i përket hadithi të transmetuar nga Enes ibn Malik i cili bën fjalë rreth atij njeriut i cili shkoi tek profeti (a.s.) dhe i tha: “Ibn Khatali është kapur në mbulesën e Qabes”, të cilit profeti i tha: “vriteni atë”, unë mendoj se ky është një rast i veçantë i cili nuk duhet marrë si një rregull për tu aplikuar ndaj të gjithë jobesimtarëve. Të dënosh dikë me vdekje në një qytet të caktuar nuk do të thotë domosdoshmërish se të gjithë njerëzit e atij qyteti janë fajtorë dhe duhen masakruar. Shafiitët dhe dhahiritët duken se kanë përgjithësuar një rast specifik i cili në vetvete përbën një përjashtim. Duke përdorur analogjinë mund të themi se ky rast është i ngjashëm me rastin e atij njeriu i cili ndërsa po kryente ritin e haxhit i cili ra nga kali, theu qafën dhe vdiq. Pas kësaj profeti tha: “lajeni atë me ujë të përzier me gjethe nga peme e lotusit dhe mbështilleni atë me ihramin (dy copa me të cilat mbështillet haxhiu gjata ritit të haxhit) e tij, dhe mos ja mbuloni kokën sepse Allahu do ta ngrejë atë Ditën e Ringjalljes duke shqiptuar telbijen. [26] Ky është një rast i veçantë i cili zbatohet vetëm ndaj këtij njeriu, ai nuk mund të merret si një rregull për të përfshirë të gjithë njerëzit të cilët vdesin, në një mënyrë apo tjetër, gjatë haxhit. Fjalët e profetit të thëna në këtë rast nuk kanë ardhur si pasoj e faktit se personi vdiq gjatë haxhit, por ndoshta për shkak të ndonjë lloj afërsie ndërmjet këtij njeriu dhe vet profetit, ose ndoshta profeti ka pasur dijeni për devotshmërinë e shumtë të këtij njeriu. Duke marrë parasysh të gjitha këto mundësi, ne nuk duhet ta gjykojmë një çështje si kjo si një rregull të përgjithshëm dhe për analogji as rasti i Ibn Khatal-it nuk duhet parë si rast universal. [27]. Kështu që çështje e Ibn Khatal-it mbetet individuale dhe nuk duhet marrë si pikëmbështetje [për temën në fjalë]. Ky rast është i ngjashëm me atë të gjashtë burrave të tjerë për të cilët profeti, në ditën kur pushtoi Mekën, dha të njëjtën sentencë. Nëse ky do të kishte qenë rregulli i përgjithshëm, profeti nuk do të kishte hezituar për të ekzekutuar të gjithë paganët mekas në ditën e çlirimit të saj, por natyrisht ai nuk e bëri një gjë të tillë. Shumë shembuj të ngjashëm me këtë kanë ndodhur, por përsa kohë ato janë të hapura ndaj probabilitetit ato nuk mund të merren si norma, apo të dhëna rreth xhihadit, siç kanë bërë shafiitë. Të gjitha dëshmitë e përdorura nga Shafiitë për të provuar se paganët duhen luftuar thjesht për paganizmin e tyre nuk janë të përshtatshme për temën në fjalë.
Si rrjedhojë, mund të themi se pas shqyrtimit të argumenteve të ofruara nga shumica e dijetarëve mysliman dhe duke menduar mbi to, arrijmë të kuptojmë se paganizmin duhet ta luftojmë vetëm përmes mjeteve të thirrjes (davetit), predikimit dhe dialogut. Xhihadi duhet filluar vetëm kur armiku shfaq shenja luftimi. Vështirë se gjendet në Kuran ndonjë verset, i zbritur për xhihadin, që të mos konfirmoj, qoftë në vetvete ose i marrë në kontekst, se xhihadi mund të ndërmerret vetëm nëse lufta provokohet nga armiqtë. Mendoj se nëse imam Shafiu do të kishte jetuar më gjatë ai, me shumë mundësi, do të kishte ndryshuar mendim dhe do të kishte ndjekur mendimin e shumicës së dijetarëve, ashtu siç bënë më pas dishepujt e tij.
Nëse kjo është kështu, atëherë mbetemi vetëm me mendimin e dhahirive të cilët janë kapriçoz në shumicën e interpretimeve të tyre të teksteve religjioze. Në këtë aspekt, dhahiritët nuk janë shumë të ndryshëm nga havarixhët (sekti i parë i shfaqur në islam), të cilët ndiqnin me kokëfortësi interpretime fisnore për islamin. Kështu që, çdo diskutim me këto dy sekte të lartpërmendura do të ishte krejt i pafrytshëm.
Referencat
[1] Këto shkolla juridike janë emërtuar në bazë të themeluesve të tyre, Ebu Hanife, Maliku dhe Ibn Hanbeli, më pas në rend kohor ka ardhur Imam Shafiu.
[2] Themeluesi i shkollës së pestë, por më pak të njohur, asaj dhahirije.
[3] Për detaje të mëtejshme rreth kësaj kundërshtie shih Bidajetul Muxhtehid nga Ibn Rushd-i (Averroes), vol. 1, f. 369-372; El-Sharbani në Mugni el Muhtaxh, vol. 4 etj.
[4] Kuran 2:190
[5] Kuran 9:13
[6] Kuran 60:8-9
[7] Kuran 9:36
[8] Ky hadith transmetohet nga Ibn Maxhe, Ebu Davudi dhe Ahmedi e këta nga Hanzalah el-Katib. Po ashtu tek Buhariu dhe Myslimi hasen shprehje të tjera profetike në të cilat ndalohet rreptësisht vrasja e grave dhe fëmijëve gjatë luftës.
[9] Citur në Sunenin e Ibn Davudit.
[10] Cituar në Tarikh et-Taberi (Historia e Taberiut), vol. 3, f. 226-227. Që prej tani e tutje kjo vepër do të citohet si Et-Taberi.
[11] Kuran 9:5
[12] Kuran 9:29
[13] Cituar tek Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
[14] Ibn Khatal ishte një prej 10 paganëve (gjashtë burra dhe katër gra) të cilët u dënuan me vdekje në mungesë të profetit. Hadithi citohet tek Buhariu dhe Muslimi.
[15] Shih Mugni el-Muhtaxh, vol. 4, f. 234
[16] Fjala ‘sheh’ në gjuhën arabe përmban një sërë kuptimesh. Mesa duket shkollarët e këtij grupi mendimi e kanë kuptuar gabimisht atë si “burrë i vjetër”, siç do ta tregojmë edhe në vijim.
[17] Kuran 9:5
[18] Kuran 9:6-8
[19] Shih kapitullin 9:7
[20] Kuran 9:8
[21] Kuran 9:29
[22] Shih kapitullin nr. 3
[*] Autori i veprës në një tjetër kapitull të librit të tij ka shtjelluar në mënyrë të imtësishme hadhithin në fjalë. Për këtë arsye ne menduam se do të ishte e duhur që ta përkthenim pasazhin në fjalë dhe ta ndërfutnim në këtë pjesë të tekstit. Në mënyrë që lexuesi të ketë një ide më të qartë për sa i përket hadithit në fjalë.
[23] Shih kapitullin nr. 3
[24] Lisan el Arab sv “sheikh”.
[25] Një shembulli i tillë është rasti i Malik ibn Aëf, për shkak të të qenurit të tij sheh (në moshë urtësie) ai u caktuar për të planifikuar luftën e Jeum Hunejn (Dita e Hunejnit) kundër myslimanëve. Cilësimi i tij si sheh ishte një përzierje mendimi, eksperience, shkathtësie dhe nuk lidhej me dobësinë apo naivitetin.
[26] Kjo ngjarje citohet tek Buhariu dhe Muslimi. Telbijeh do të thotë ti shprehësh Allahut me zë të lartë, gjatë ritit të haxhit, bindjen ndaj Tij.
[27] Shih veprën el-Mustafa nga Imam Gazaliu, vol. 2. f. 68-69; shih gjithashtu edhe Shahr Allama nga Shirazi, f. 149.
http://www.erasmusi.org/