("Zoti dërgon në këtë ymmet, në krye të çdo 100 viteve, dikë që rinovon fenë”) 


Falënderimi i takon Allahut që me mirësinë e Tij plotësohen të mirat, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi zotërinë tonë Muhammedin (a.), familjen dhe mbi gjithë shokët e tij.


Transmeton Ebu Davud, Bejhakiu dhe Hakimi në “Mustedrekun” e tij nga hadithi i Ebu Hurejres se Pejgamberi (a.s) ka thënë :"Zoti dërgon në këtë ymmet, në krye të çdo 100 viteve, dikë që rinovon fenë ”.

Transmeton Malik në librin e tij “Muvet’ta” dhe Muslimi në “Sahihin” e tij, nga hadithi i Ebu Hurejres se Pejgamberi salall-llahu alejhi ve sel-lem përshëndeti me selam banorët e Bekias, pastaj tha: “Sa do të dëshiroja sikur të shikoja vëllezërit tanë, deri që tha : “vall-llahi do të largohen nga Hevdi im disa njerëz, ashtu siç largohet deveja e humbur dhe them: ejani, he pra ejani; më thuhet : ti nuk e din se sa kanë bërë ndryshime pas teje. Atëherë them : larg qofshin, larg qofshin, larg qofshin…”.

D.m.th. rinovimi i fesë është i përligjur dhe i obliguar, madje kjo është një prej vlerave me të cilat Zoti (azze ve xhel-le) pajis me të dijetarët e devotshëm, pasi kanë përfunduar të gjitha mesazhet hyjnore me dërgimin e të fundit të resulëve dhe enbijave, Muhammedit alejhi es-selatu ves-selamu…ndërsa ndryshimi është humbje e amanetit, tradhti e besës dhe shpifje ndaj Zotit azze ve xhel-le. Për këtë ai (ndryshimi) është i ndaluar dhe bëhet shkaktar për t’u larguar nga mëshira e Zotit.

Por cili është dallimi në mes këtyre të dyjave ?.. Cili është dallimi mes rinovimit të fesë dhe ndryshimit të saj?

Kuptimi i rinovimit del qartë në qoftë se do të ndalonim pak te prejardhja dhe kuptimi i fjalës “din” (fe). Dihet mirë se fjala “din” (fe) rrjedh nga “dejnune” (fetarizëm), d.m.th nënshtrim i plotë për Adhuruesin e Vërtetë, e ai është Allahu azze ve xhel-le. Ne këtu kemi parasysh me fjalën “din” (fe), fenë e vërtetë e cila është Islami. Kështu që “din” dhe “dejnune” janë cilësi për njeriun, dhe rinovimi është epror mbi të d.m.th mbi vetë fenë, jo mbi parimet dhe ligjet e saj. Ai simbolizon punën e atij që Zoti dërgon për rinovimin e fesë, pra në nxitjen e njerëzve për të rinovuar besën e tyre me Zotin dhe në kthimin e duhur, në udhëzimin dhe dispozitat e Tij, pas një largimi të gjatë… në rimëkëmbjen dhe fortifikimin e shtyllave të dobësuara, në mbylljen e vrimave të hapura në mentalitetet dhe nxjerrja e ligjeve te reja nga ngjarjet, interesat dhe traditat duke u bazuar në gjeneralitetin e ligjeve fikhore, mbi parimet themelore të fesë dhe rregullat e komentimeve të teksteve kuranore, pa neglizhuar aspak me to dhe pa rënë në kurthet e dëshirave, epsheve dhe interesave të kësaj bote.

Kjo gjë bën të qartë shkakun e mbizotërimit të rinovimit në tekstin e hadithit, mbi fenë (dinin) e cila është fetarizmi (dejnune), siç e pamë, dhe jo mbi thelbin e fesë e cila përfshin parimet dhe ligjet e saj, siç e transmetojnë disa njerëz. Ky është gabim në secilën prej kuptimeve dhe transmetimeve së bashku… Gabim në transmetim, sepse të gjitha këto transmetime kanë ardhur me fjalët “dikend që rinovon fenë për këtë ummet” dhe kjo është gabim në transmetim, sepse rinovimi i çështjes së fesë nuk ka të bëjë me rinovimin e ligjeve dhe parimeve të saj. Ajo mbetet e re pa marrë parasysh se sa kohë ka kaluar, pra nuk ka kuptim rinovimi i tyre përveçse me ndryshimin të cilin e ëndërrojnë propaganduesit e “të resë”, për të cilin ka ndaluar dhe paralajmëruar i Dërguari i Zotit salall-llahu alejhi ve sel-lem.

Por duhet ta dimë mirë se ky rinovim, që Zoti ia ka besuar një grupi të devotshëm prej dijetarëve të këtij ummeti, nuk mund të jetë i saktë në një rrugë të drejtë që kënaq Zotin azze ve xhel-le dhe vërtetim i rinovimit që Pejgamberi salall-llahu alejhi ve sel-lem ka pasur qëllim, përveçse po të jenë luftëtarët e këtij rinovimi në një devocion të lartë në nxitjet dhe nismat e tyre, të cilët nuk i kushtojnë aspak rëndësi dynjasë së njerëzve para qëllimit të shenjtë, i cili simbolizohet vetëm me arritjen e kënaqësisë së Zotit. Nuk i pengojnë epshet e dëshirat në drejtimin e tyre nga Ai, sado që këto të jenë të shumta, vërshuese e të përhapura këtu e atje … ngrihen për realizimin e detyrës së tyre të shenjtë, me gjuhën e gjendjes së secilit prej tyre, duke thirrur Zotin : “Dhe nxitova tek Ty, o Zot që të kënaqesh”.

Në qoftë se Zoti do ta nderojë këtë ummet me një grup të tillë dijetarësh, atëherë do të jetë rinovimi i fesë, kështjella e cila do ta mbrojë nga lakmitë për ta dëmtuar dhe nga talljet me të dhe do të jenë vetë ata, ajo që ka pasë për qëllim dëshmia e të Dërguarit të Zotit (a.s), e sa e madhe është ajo dëshmi!

Ne dimë mirë atë që kanë përmendur komentuesit e hadithit për fjalën (men) “dikend” në thënien e tij (a.s) “dikend që rinovon fenë për këtë ummet”. Ajo nuk simbolizon një person të vetëm në të cilin janë mbledhur cilësitë e udhëheqjes dhe të rinovimit, ashtu siç kanë menduar disa, por ajo nënkupton të gjithë dijetarët të cilët Zoti i Lartë i zgjedh në çdo kohë, për të mbrojtur fenë e Tij, për të rinovuar kthimin tek Ai dhe sinqeritetin për Të.

Ky është shkurtimisht Rinovimi i cili është pjesë e detyrave të fesë dhe ligjeve të saj.

Tani kemi mundësi ta dimë se pas asaj që përmendin shumë studiues dhe shkrimtarë në këtë kohë si “rinovim”, në realitet nuk është gjë tjetër veçse ndryshimi për të cilin ka paralajmëruar i Dërguari i Zotit dhe e ka bërë të qartë në hadithin e saktë që përmenda në fillim të këtij shkrimi.

Pjesa më e madhe e propagandave të shqetësuara sot, në botën arabe dhe islame, janë për ndërrimin e fesë dhe jo për rinovimin e saj, ku këto propaganda mbulohen me fjalët rinovim apo të ngjashme me të…

Shtytësi kryesor i kësaj është një përzierje e faktorëve të ndryshëm, prej tyre : mërzitja nga “e vjetra”, sepse ajo është “e vjetër”, dëshira për t’u shmangur nga disiplina fetare e ligjeve të saj, duke u munduar të realizojnë atë që ëndërrojnë njerëzit prej epsheve e dëshirave dhe të vardallisen në llucën e asaj që rrjedh në shoqëritë amullore të perëndimit… Gjithashtu prej atyre është edhe gatishmëria për të qenë vartës të lidhjeve të fshehta të cilat kanë depërtuar nga jashtë prej vendeve që zhvillojnë luftë ideologjike drejt vendeve ku ndodhen agjentët e tyre të brendshëm. Kush prej jush ka pasur mundësi të lexojë dosjen e fshehtë të cilën e ka shkruar Wiljam Kliford e që e ka dërguar në departamentet e Perëndimit, sidomos ato amerikane, përgjegjëse mbi vëzhgimet e gjendjes së fesë Islame në këto vende, do të dijë shumë gjëra prej të cilave po përmendi në këtë nxitim[Wiljam Kliford : ka qenë përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në disa konferenca të organizatës arabe për mbrojtjen e shoqërisë kundër krimit, e dalur nga Konferenca arabe nga fundi i viteve 70-të. Kliford mori pjesë në të si vëzhgues. Pastaj dërgoi një dosje të fshehtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në departamentet e interesuara, duke folur për rrezikshmërinë e Islamit dhe për mundësitë e mëdha që ai të kthehet në gjendjen e tij vepruese. Deshi Zoti që kjo dosje të bie në dorën time, ku dhe kam shkruar një studim të mjaftueshëm rreth tij në librin tim “Në rrugën e kthimit për tek Islami”(ala tarikil-avdeti ilel-Islam).].

Ndërsa faktori i madh i përgjithshëm, prej të cilit rrjedhin të gjithë faktorët që përmenda, është faktori ideologjiko-besimor, i cili do të thotë që propaganduesit e kësaj thirrje e konceptojnë Islamin sikur ai është një bashkësi organizatash (sistemesh) të larta që i kanë krijuar trurët (mendjet) arabe në një kohë të errët, pastaj koha kaloi dhe ato kanë shpenzuar (konsumuar) çdo gjë që justifikonte sipas natyrës së asaj periudhe (kohe).

Një dialog serioz me këta tipa, duke ditur se gjendja është kjo që thamë, nuk nënkupton që t’i bind ata se Islami, i cili në mendjet e tyre ka këtë imazh dhe realitet, është i vlefshëm siç është ai në të vërtetë për çdo kohë, sepse është e pamundur të bindësh dikë se një sistem të cilin e ka shpikur një mendje njerëzore si ai, vlen të jetë rrobë e saktë dhe e përshtatshme për një varg të pafund brezash njerëzorë, pa asnjë ndryshim apo shndërrim.

Por dialogu i vërtetë qëndron në faktin që t’u tregohet atyre se Islami me parimet e tij të besimit dhe rregullat e tij morale është mesazhi me të cilin Zoti ka nderuar robërit e Tij në jetën e kësaj bote, duke e zgjedhur atë (Islamin) për ta, udhërrëfyes për njohjen e të vërtetave të gjithësisë, metodë (program) bashkëpunimi për jetën dhe t’u bëhet e qartë se vendimi të cilin e kemi marrë nga Kur’ani thotë : “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe”. (El-Maide : 3).

Në qoftë se do të arrijnë ta kuptojnë këtë gjë dhe do të ngulitet akidja e besimit realisht në mendjet e tyre, atëherë problematika e “ndërrimit” me emrin e “rinovimit” me gjithçka që rrjedh si rezultat i mashtrimit dhe çfarë nxirret nga qëllimet në të kundërtën e kuptimeve sipërfaqësore të motove e shprehjeve, treten e zhduken dhe do të takohemi të gjithë së bashku në një metodë të vetme, ku e jashtmja dhe e brendshmja janë njëlloj.

Por në qoftë se do të humbasë ky kuptim nga ata, në frymën e dëshirave, epsheve dhe nacionalizmave, atëherë do të mbesin sakrificat e tyre të hapura e të vazhdueshme në tretjen e të vërtetave të Islamit dhe në ekzekutimin e ligjeve (dispozitave) të tij, që të shndërrohet rryma e tij vepruese në vese e humbje!… Kjo është ajo që ka qenë dhe mbetet duke ëndërruar Wiljam Kliford në dosjen e tij që përmenda dhe e cila mbështetet tek agjentët e tij të besueshëm dhe nga efektivi i tij i afërt, të cilët lëvizin mes nesh sipas planeve të tyre nën mbulesën e xhelozisë së rinovimit të Islamit dhe përparimit të tij!..

Por edhe po qe se do të humbasë nga ata ky kuptim në labirintet e këtyre epsheve (dëshirave), a do të shkëputen në mes nesh dhe atyre rrugët e dialogut e të debatit?

Rrugët e dialogut do të mbesin të shtrira mes nesh dhe të tjerëve, kushdo qofshin ata. Kjo është klima islame, brenda së cilës veprojnë thirrësit e devotshëm për tek Zoti, në çdo kohë dhe vend...
 

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip

Lavdrim Hamja