Rezultati i praktikimit të këtyre detyrave vëllazërore, themelet e të cilave i hodhi islami, ishte sjellja dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis individëve të shoqërisë islame, në shkallën më të pëlqyeshme që mund të kishte gjatë historisë, si për nga altruizmi, mëshira, ndihma ndaj njëri-tjetrit, zemërgjerësia për të falur, dashuria, flijimi etj… Në vijim po japim disa shembuj që njeh historia lidhur me:


Solidaritetin dhe mëshirën

• Muhammed bin Is’haku thotë: „Në Medinë njerëzit jetonin pa e ditur se nga u vjen dhe kush ua sjell furnizimin. Kur Zejnel-Abidini, i biri i Huseinit (Zoti qoftë i kënaqur me të), vdiq, atyre iu ndërpre furnizimi. Atëherë ata (banorët e Medinës) kuptuan se ai (Zejnel-Abidini) i kishte furnizuar, ngase kur vdiq, ata panë edhe gjurmët e bartjes së thasëve që i kishte çuar ai në shtëpitë e vejushave dhe të të varfërve.“

• Të ardhurat e Lejth bin Saadit ishin më tepër se 700.000 (shtatëqind mijë) dinarë dhe të gjitha ato i jepte sadaka, madje thuhet se atij nuk i ka takuar zeqatë asnjëherë. Në një rast, ai bleu një shtëpi dhe e dërgoi përfaqësuesin e vet për të bërë dorëzim-pranimin. Kur shkoi atje, ai gjeti fëmijë të vegjël bonjakë, të cilët iu lutën që, për hir të All-llahut xhel-leshanuhu, t’ua linte shtëpinë. Menjëherë kur mori vesh për këtë, Lejthi i njoftoi ata se shtëpia u mbetet dhe së bashku me të edhe furnizimi për çdo ditë.

• Sadakatë e Imamit dhe muhadithit të madh Abdull-llah bin Mubarekut gjatë një viti kanë arritur shumën më tepër se 100.000 (njëqind mijë) dinarë. Në një rast kur niset për në haxhillëk me shokët e vet dhe pasi kalon disa qytete e i ngordh një shpezë, urdhëron që të hidhet në mbeturina. Shokët e tij vazhduan rrugën, ndërsa ky u ndal. Kur kaloi rreth mbeturinave, ai pa një shërbëtore që kishte dalë prej një shtëpie afër mbeturinave dhe e kishte marrë shpezën e ngordhur. Kur ky e pyeti lidhur me këtë, ajo i tregoi se ajo dhe i vëllai janë të varfër dhe këtë s’e di askush. Atëherë Abdull-llah bin El-Mubareku urdhëroi që të kthehen ngarkesat, kurse përfaqësuesit të vet it ha: Sa ke me vete nga furnizimi? Ai iu përgjigj: 1000 (një mijë) dinarë. Abdull-llahu e urdhëroi: Numëro 20 (njëzet) dinarë që do të na mjaftojnë deri në Merv, ndërsa të tjerat jepja kësaj (shërbëtores së varfër), sepse kjo do të jetë më e vlefshme se haxhillëku ynë për këtë vit. Pastaj u kthye dhe nuk vazhdoi rrugën për në haxhillëk…

Flijimin dhe kujdesin e ndërsjellë

• Imam Gazaliu në librin e tij „Ihja“ citon të birin e Omerit (Zoti qoftë i kënaqur me të) që thotë: Një shoku të Muhammedit alejhisselam i është dhuruar një kokë e deles. Në atë rast ai thotë: Filani ka më shumë nevojë për këtë (kokë të deles) dhe ia dërgoni atij; mirëpo edhe ai e dërgoi atë te më nevojtari, i cili po kështu ia dërgon një tjetri; e ai tjetri përsëri një tjetri e kështu me radhë derisa erdhi përsëri tek i pari, pasi që shkoi dorë më dorë te shtatë veta.

• Hakimi në librin „El-Mustedrek“ transmeton se Muaviu, i biri i Ebu Sufjanit i ka dërguar Aishes (Zoti qoftë i kënaqur me të) 1000 (një mijë) dirhem, ngase ajo ishte duke agjëruar dhe kishte një petk të vjetër veshur. Ajo posa i pranoi këto, menjëherë ua shpërndau të varfërve dhe për vete nuk ndali asgjë. Shërbëtorja i tha: Oj nëna e besimtarëve, a nuk mund të blejsh mish për ne me një dirhem që të çelim iftar me të? Aishja iu përgjigj: „Po të ma kishe përmendur, do ta kisha bërë.“ Pra, kjo flijoi për të tjerët, d.m.th. harroi vetveten për t’i gëzuar bijtë e shoqërisë islame.

• Për flijimin mund të përmendim edhe këtë ngjarje interesante, të cilën e tregon El-Avdiu (sipas transmetimit të Kurtubiut): „Ditën kur u bë Lufta e Jermukut unë shkova të kërkoj të birin e xhaxhait. Me vete kisha marrë pak ujë për t’ia dhënë ta pijë për t’ia shuar etjen. Kur e takova, i thashë që të pijë dhe ai pohoi me kokë. Ndërkohë u dëgjua një njeri që rënkonte… Sakaq djali i xhaxhait ma bëri me kokë që të shkoj tek ai që ofshante për t’i dhënë ujë. Ishte Hisham bin El-Asi ai që rënkonte dhe kur i thashë të pijë ujë, ai pohoi me kokë, por kur dëgjoi Hishami një tjetër duke psherëtirë, ma bëri me kokë që të shkoj tek ai (për t’i dhënë ujë). Kur arrita, pashë se ai kishte vdekur. U ktheva përsëri te Hishami, por edhe ky tash më kishte vdekur. Kur u ktheva tek i biri i xhaxhait, as atë se arrita me jetë.“ Siç shihet asnjëri prej këtyre nuk piu ujë (edhe pse ishin të etshëm), sepse u vetëflijuan për vëllezërit myslimanë.

Urtësinë dhe faljen

• Transmetohet se një i afërm i Ebu Bekrit, që e quanin Misatah e të cilin e përmbante (e ushqente) Ebu Bekri, nuk pati fije turpi që të përzihet në shpifjet që iu bënë Aishes (Zoti qoftë i kënaqur me të) e të cilat shpifje e akuza i përhapën munafikët. Mistahu harroi hakun e islamit dhe të të afërmve si dhe mirësinë e Ebu Bekrit… Kjo gjë bëri që Ebu Bekri (Zoti qoftë i kënaqur me të) të largohet prej tij dhe të betohet se s’do ta përmbajë më. Ndërkaq lidhur me këtë zbriti ajeti Kur’anor në të cilin thuhet: „Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve dhe atyre që për hir të All-llahut lanë vendlindjen e tyre, po le t`ua falin (gabimin) dhe mos ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’ju falë? All-llahu fal dhe mëshiron shumë.“ (En-Nur, 22)
Ebu Bekri (Zoti qoftë i kënaqur me të) ia fali (Mistahut) dhe nuk ia zuri për të madhe. Përsëri filloi ta përmbante, duke thënë: „Unë dëshiroj që All-llahu të më falë mua“.

• Transmeton Buhariu nga i biri i Abasit (Zoti qoftë i kënaqur me të), ku thuhet: „Ujejniu bin Hissini kur erdhi, shkoi tek i biri i vëllait të vet El-Hurr bin Kajs, i cili ishte nga ata që i afronte Omeri (Zoti qoftë i kënaqur me të) dhe nga kurratë (lexuesit më të mirë të Kur`anit) e mexhlisit (grupit) të Omerit. Ujejniu it ha të birit të vëllait të vet që t’i kërkonte leje prijësit të besimtarëve për ta pranuar këtë. Ai ashtu veproi dhe, kur shkoi e hyri brenda, Omeri tha: O i biri i Hatabit, pasha All-llahun ti nuk na e jep atë që na takon e as që punon me të drejtë më ne. Këto fjalë Omerin e hidhëruan dhe ai u bë gati ta sulmonte, por Hurr bin Kajsi ndërhyri me fjalët: O prijës i besimtarëve, All-llahu xhel-leshanuhu i thotë Muhammedit alejhisselam: „Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.“ (El-A`raf, 199)
Pikërisht ky është një nga ata të padijshmit. Kur Omeri (Zoti qoftë i kënaqur me të) e dëgjoi këtë ajet, ai, pasha All-llahun u përmbajt, ngase ishte prej atyre që me respekt ndalen në ajetet e Librit të All-llahut të Madhëruar!“

• Transmetohet nga Zejnul-Abidin, i biri i Huseinit (Zoti qoftë i kënaqur me të) se „ njëherë kur ai shkonte në xhami, dikush e shau dhe çunat e tij deshën ta rrihnin e ta ndëshkonin (atë që shau), por ZejnulAbidini i ndaloi me këto fjalë: Mos e prekni atë!, pastaj iu kthye atij njeriu dhe i tha: O ti njeri, unë jam edhe më tepër nga ajo që thua ti, ato që nuk i di për mua janë edhe më tepër se ato që i di. Nëse dëshiron unë mund edhe të t’i numëroj. Personi uli kokën i turpëruar. Ndërkohë, Zejnul-Abidini urdhëroi që t’i jepen atij 1000 (një mijë) dirhem. Ky njeri vazhdoi rrugën duke thënë: Dëshmoj me kokë se ky është bir i Rasulull-llahut (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të).“

• Në një transmetim tjetër thuhet se shërbëtori duke i nxjerrë ujë me një shtambë bote, atij i ra shtamba mbi Zejnul-Abidinin dhe u thye duke ia lënduar këmbën. Lidhur me këtë ky shërbëtor në çast i tha: O zotëriu im, All-llahu xhel-leshanuhu thotë: „…Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit.“ (Ali-Imran, 134). Atëherë Zejnul-Abidini tha: E frenova mllefin.
- Shërbëtori tha: që u falin (të keqen) njerëzve…
- Zejnul-Abidini tha: Ta fala.
- Shërbëtori përsëriti: …e All-llahu i do bamirësit.
- Zejnul-Abidini tha: Qofsh i lirë për hir të All-llahut xhel-leshanuhu!

Dashamirësinë dhe lehtësimin në çaste të vështira

• Maliku në „El-Muveta“ transmeton nga Ebi Idris El-Havlani (Mëshira e All-llahut qoftë mbi të), ku thuhet: „Kur hyra në xhaminë e Damaskut, aty pashë një djalosh me fytyrë të shndritshme të cilin e shoqëronin njerëzit. Mendimi i tij ishte përfundimtari edhe kur ata binin në kundërshtim mes vete. Kur i pyeta të pranishmit se kush është ky djalosh, ata m’u përgjigjën: Ky është Muadh bin Xhebeli (Zoti qoftë i kënaqur me të)! Të nesërmen shkova më herët në xhami, por pashë se ai kishte ardhur dhe ishte duke u falur. E prita gjersa e mbaroi namazin, pastaj shkova, i dhashë selam dhe i thashë: Pasha All-llahun unë të dua. Ai më tha: Për hir të All-llahut? I thashë: Po, për hir të All-llahut. Pasta jai më zuri për petku më tërhoqi nga ai dhe më tha: Gëzohu se me të vërtetë e kam dëgjuar Muhammedin alejhisselam duke thënë: Ka thënë All-llahu: „ Dashuria Ime eshtë obligim për ata që duhen për hir Timin, për ata që ulen për hir Timin dhe që japin për hir Timin.“

• Imam Maliku në librin „El-Muvata“ transmeton gjithashtu nga Et-Tufejli, i biri i Ubej bin Ka’bit, se ai shkonte te Abdull-llahu i biri i Umerit, dhe së bashku dilnin në treg. Tufejli thotë: Kur shkonim në treg, Abdull-llahu i biri i Umerit nuk bënte dallim midis tregtarit që shiste rroba të vjeta dhe atij që shiste rroba të shtrenjta dhe të varfërve, port ë gjithëve u jepte selam.
Në një rast tjetër Tufejli thotë: Shkova te Abdull-llahu, i biri i Omerit, dhe ai kërkoi ta shoqëroja në treg. Unë e pyeta? Çka do të bësh në treg, ti as nuk shet e as nuk blen e as që ulesh në ndejat e tregut? Ai m’u përgjigj: O barkmadh, (Tufejli e kishte stomakun e madh) do të shkojmë që të japim selam!

• Ebu Hanifja ka pasur një fqinj, i cili kur kthehej në shtëpi gjithmonë recitonte këto vargje: 

„Mua më kanë harruar, çfarë djali të mirë kanë harruar…“

Ebu Hanifja çdo natë i dëgjonte këto vargje, por një natë policia e kishte marrë dhe e kishte burgosur fqinjin. Atë natë Ebu Hanifja nuk ia dëgjoi zërin djaloshit, andaj të nesërmen pyeti për të. Kur i thanë se e kanë burgosur, menjëherë shkoi te Isa bin Musa dhe kërkoi prej tij që ta lironin fqinjin nga burgu. Kur doli nga burgu, ai e thirri fshehurazi atë dhe i tha: A të kemi harruar, o djalosh? Ai u përgjigj - Jo s’më ke harruar, madje edhe më ke nderuar, All-llahu xhel-leshanuhu të shpërbleftë! Pas kësaj djaloshi filloi të recitonte vargjet:

„Ç’dëm kemi që ne jemi pa famë
Kur fqinji ynë është me famë të lartë,
Ndërsa fqinjtë ë të tjerëve janë të pafamë.”

Bujarinë (dorëdhënien) dhe fisnikërinë

• Transmeton Tabraniu në „El-Kebir“ se Omer bin Hattabi (Zoti qoftë i kënaqur me të) në një rast morri 400 dinarë, i futi në një qese dhe it ha shërbëtorit të tij: „Shko te Ubejdetu ibnul-Xherrahi, jepja këto atij dhe me qëllim qëndro tek ai një kohë që të shohësh se ç’do të bëjë me to! Shërbëtori veproi ashtu siç e urdhëruan dhe kur shkoi tek ai, it ha: Prijësi i myslimanëve thotë t’i përdorësh këto për nevojat tua. Ai iu përgjigj: All-llahu e shpërbleftë Umerin!“ Pastaj thirri shërbëtorin e vet dhe i tha: Këto shtatë dinarë dërgoja filanit, këto pesë filanit, e kështu me radhë, deri sa i shpërndau të gjitha. Shërbëtori kur u kthye te Kalifi (Umeri) për ti’ treguar se si veproi Ubejdetu, pa se të njëjtën gjë kishte përgatitur edhe për Muadh bin Xhebelin, pastaj shkoi tek ai dhe i tha: Këto para ti jep Omeri që ti harxhosh për nevojat e tua. Ai i tha: „All-llahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë Omerin! Dhe menjëherë e urdhëroi robëreshën e vet që t’i shpërndante në disa familje… Gruaja e Muadhit tha: Ç’bën kështu, vall-llahi ne vet jemi nevojtarë për këto para. Në atë moment Muadhi i kishte shpërndarë të gjitha përveçse 2 dinarë. I mori ato dhe ia hodhi gruas së vet. Shërbëtori u kthye te Omeri dhe i tregoi për atë që kishte parë. Umeri u gëzua shumë dhe tha: „Ata janë vëllezër për njëri-tjetrin.”

• Në kohën e Omerit (Zoti qoftë i kënaqur me të) vendin e kaploi një thatësirë dhe një krizë e madhe. Në atë kohë karvani i Hazreti Othmanit përbëhej prej 1000 devesh të ngarkuara me lloj-lloj artikujsh ushqimorë, me veshmbathje etj. Kur karvani arriti nga Shami, tregtarët e asaj kohe menjëherë shkuan te Othmani dhe kërkuan të blejnë nga ato që kishte ai. Hazreti Othman i pyeti:

- Sa fitim do të më jepni?
Ata i thanë:
- 5 për qind.
Ai tha:
- Dikush më jep më tepër. Ata i thanë:
- Nuk dimë ndonjë tregtar që mund të japë më tepër nga ajo që ne të ofruam!?
Othmani tha:
- Unë kam gjetur atë që për një dirhem më jep shtatëqind e më tepër. All-llahu xhel-leshanuhu thotë: „Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut, është si i një kokrre që i mbijnë shtatë kallinj, në secilin kallinj njëqind kokrra, All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është bujar i madh, i di qëllimet“ (El-Bekare, 261)
„O tregtarë, po ju dëshmoj se karvanin tim me gjithë ç’ka sjellë ai: miell,gjalpë, rroba etj. Do ta shpërndaj për fukaratë e Medines si sadaka për myslimanët.”

Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Musa El-Esh’ariu (Zoti qoftë i kënaqur me të), ku thuhet se Muhammedi alejhisselam ka thënë:
„Në të vërtetë Esh’aritët kur kishin mungesë plaçkash të luftës ose artikujsh ushqimorë në Medine, ata gjithçka kishin e tubonin në nj çarçaf dhe pastaj e shpërndanin njëlloj për të gjithë (me matje); prandaj ata janë të mijtë e unë jam i tyre.“
Këto që përmendëm janë vetëm disa shembuj për flijimin dhe bëmat e tyre e të cilat i njeh historia.

* * *


Nga brezi i parë i shokëve të Pejgamberit dhe i tabiinëve (myslimanëve bashkëkohës që kanë takuar ndonjë shok të Pejgamberit) u sendërtua dhe u ndërtua shoqëria më e lartë, ajo shoqëri që prej kohësh është ëndërr e mendimtarëve dhe shpresë e filozofëve!
Sit ë mos ishte kështu, kur kalonin dy vjet me radhë e askush nuk paditej te gjykatësi që ishte në mesin e tyre.
Sit ë mos ishte kështu, kur ata jetësuan mes vete vlerat e vëllazërisë islame në mënyrën më të lartë.
Sit ë mos ishte kështu, kur atyre Kur’ani u shërbeu si udhëzim dhe dritë, kurse parimet e islamit qenë udhërrëfyes i tyre.
Tani të shohim përshkrimin e shokut të Pejgamberit alejhisselam, Abdull-llah bin Mes’udit, që ai bën për bëmat dhe vlerat e brezit të parë të shokëve të Pejgamberit:
„Kush dëshiron të marrë dikë si shëmbëlltyrë le të marrë shokët e të Dërguarit të All-llahut, ngase ata ishin më zemërfisnikët e këtij ummeti, më të thellët në dituri, të pasëmurët nga interesi, më të përpiktët në udhëzim dhe më të mirët në çdo hap e në çdo situatë. All-llahu i ka zgjedhur për shoqërimin e të Dërguarit të Tij dhe për ngritjen e fesë, pra bëhuni mirënjohës të bëmave dhe të vlerave të tyre, ndiqni gjurmët e tyre, për arsye se ata ishin në rrugë të drejtë.“
S’ka dyshim se koha e tabiinëve (myslimanë bashkëkohës që kanë takuar ndonjë shokë të Pejgamberit) dhe e atyre që vijnë më vonë është kohë e rangut të dytë sa i përket mirësisë, bëmave dhe shëmbëlltyrës, kuptohet pas shokëve të Pejgamberit. Kjo gjen mbështetje edhe në hadithin e vërtetë: „Më i miri nga shekujt është shekulli im, pastaj ai që pason dhe ai qe vjen pas tij…“
Gjatë shekujve brezat e myslimanëve kanë gjetur frymëzim vazhdimisht nga burgimi i mësimeve të tyre, i ka ndriçuar drita e fisnikërisë së tyre, kanë ngritur qytetërimin dhe kanë bërë famë duke ndjekur gjurmët e tyre. Kjo traditë u ndërpre kur në shoqëritë islame filloi të mos zbatohet ligji i All-llahut xhel-leshanuhu, kur kalifati islam u ndërpre dhe kur praktikimi i islamit u mbeti disa individëve dhe grupeve e jo gjithë shtetit dhe më s’ishte faktor i rritjes së rezistencës dhe ligj jete.
Armiqve të islamit u shkoi për dore të arrinin qëllimin e tyre shkatërrimtar të cilin e mbanin fshehur. Ky ishte shndërrimi i botës islame në popuj me konflikte dhe në shtete të shpartalluara dhe me grindje mes vete, me njerëz që ngasin pas dëfrimeve të shfrenuara duke jetuar në këtë botë pa kurrfarë qëllimi e synimi, madje as të arrijnë famë a të ndihmojnë gjithëbashkimin islam „…Mund të mendohet për ta se janë të bashkuar, po në të vërtetë zemrat e tyre janë të përçara…“ (El-Hashr, 14) Me numër janë shumë, por në të vërtetë janë si shkulm rrënimi. Por, siç theksuam më sipër, kjo inshallah nuk do të zgjatë shumë, patjetër do të vijë një ditë kur brezat myslimanë do të zgjohen nga gjumi dhe do të rivendosin sistemin e islamit dhe pushtetin e Kur’anit. Popujt myslimanë doemos duhet të çlirohen nga tiranët, nga armiqtë dhe ateizmi it ë pafeve. S’do mend se kjo do të arrihet me punën e pandërprerë dhe me flijimin e luftën e tyre. Vetëm atëherë do të gëzohen myslimanët për ndihmën e All-llahut që Ai ia jep atij që e do.

Marrur nga libri:
"Vëllazëria Islame"

E premte, 29 Janar 2010 15:42