Sipas islamit, detyrimet e të vëllazëruarve ndahen në dy grupe, në:

a) detyrimet e përgjithshme dhe në
b) detyrime të veçanta

 

Detyrimet e përgjithshme kanë të bëjnë me sa vijon:

1) Të përhapë sa më tepër selame (përshëndetje Islame).
2) Të kthejë selamin.
3) Të vizitojë të sëmurin.
4) Të marrë pjesë në varrim.
5) T’i përgjigjet ftesës.
6) Atij që teshtin t’i thotë ,,jerhamukell-llah” (Mëshira e All-llahut qoftë mbi ju!)
7) Të mos e shkelë benë (p.sh. kur bën be për All-llahun se do ta kryejë një punë).
8) T’u ndihmojë atyre që u bëhen padrejtësi.
9) Ta ketë parasysh atë që do të këshillohet.
10) Ta ngushëllojë vëllanë e brengosur.
11) T’i ndihmojë atij që është në krizë.
12) Të mos u vërë veshin të metave (të vëllait) dhe
13) Të mënjanojë vetitë e këqija, si zilinë, urrejtjen, dëmtimin dhe fyerjen.
Përveç këtyre që përmendëm, ai duhet t’u përmbahet edhe detyrimeve të tjera vëllazërore dhe parimeve shoqërore…
Këto që thamë më lart gjejnë mbështetje në hadithet vijuese:

۞ Transmetohet nga Ebu Hurejrah (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Detyrat e myslimanit ndaj myslimanit janë gjashtë: T’i japë selam kur ta takojë, t’i përgjigjet ftesës së vëllait, ta këshillojë atë kur ka nevojë, kur pas teshtitjes thotë „El-hamdulil-lah“ t’ia kthejë me „jerhamukell-llah“, ta vizitojë kur të sëmuret dhe, së fundi, kur të vdesë të marrë pjesë në varrimin e tij.“ (Transmeton Muslimi)

۞ Nga Berra bin Azib (Zoti qoftë i kënaqur me të) transmetohet kjo: „Muhammedi alejhisselam na ka urdhëruar shtatë gjëra t’i praktikojmë, kurse shtatë të tjera jo: Ta vizitojmë të sëmurin, të marrim pjesë në varrim, t’ia kthejmë me „jerhamukell-llah“ atij që teshtin, të mos e shkelë benë e dhënë, t’i ndihmojë atij që i bëhen padrejtësi dhe të përhapim sa më tepër selamin...“ (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

۞ Transmetohet nga Ebu Hurejrah (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Resulull-llahu ka thënë: „Ai që ia largon ndonjë brengë të kësaj bote myslimanit, All-llahu ka për t’ia hequr atij ndonjë brengë nga ato të botës tjetër. Kush i ndihmon atij që është në krizë, All-llahu do ta ndihmojë në këtë dhe në botën tjetër. Ai që nuk përshpall ndonjë lëshim të vëllait, në këtë dhe në botën tjetër do të jetë i falur nga All-llahu për ndonjë lëshim. All-llahu do ta ndihmojë robin e vet, përderisa ai do ta ndihmojë vëllanë e vet...“ (Transmeton Muslimi)

۞ Transmetohet gjithashtu nga Ebu Hurejrah (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat. Mos u merni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i përshpallni). Mos hyni në garë me njëri-tjetrin me ambicje të sëmura, mos kini zili ndaj njëri tjetrit, mos lejoni të ketë urrejtje midis jush. Jini vëllezër, robër të All-llahut. Myslimani është vëlla i myslimanit. Kjo do të thotë se ai kurrë nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë (në baltë), nuk e poshtëron. Devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës). Është shumë e keqe për një njeri kur ai poshtëron vëllanë e tij mysliman. Myslimani në sy të çdo myslimani e ka të ndaluar (haram) gjakun, nderin dhe pasurinë e tij.“

Detyrimet e veçanta janë më të mëdha dhe më të rëndësishme ngase kanë të bëjnë më pjesën më të zgjedhur të vëllezërve myslimanë, të cilën myslimani e ka zgjedhur për ta dalluar atë në veprimet dhe sjelljet e tij në jetë, pastaj t’i shërbejë gjatë sprovave të jetës, gjatë shkëmbimit të mendimeve, ose t’i shërbejë si pasqyrë për këshilla, si ngushëllim në të këqija si dhe bashkëshoqëruese në gëzime.
Si rrjedhim i kësaj myslimani duhet t’i dijë parimet dhe metodat themelore të vëllazërisë, që kështu të arrihet të realizohen në mënyrë të përkryer si vijon:

1) Të mbahet parasysh se detyrimet e përgjithshme janë më parësore se detyrimet e veçanta

Myslimani ka obligim ndaj shokëve dhe vëllezërve që ka zgjedhur t’ua kthejë selamin, t’i vizitojë kur të sëmuren, të marrë pjesë në varrimin e tyre, t’i përgjigjet ftesës së tyre, të mos dyshojë në betimet e tyre, t’u ndihmojë kur u bëhen padrejtësi, t’i këshillojë në rast nevoje, t’i ngushëllojë kur ata janë të brengosur, t’u ndihmojë kur ata janë në krizë, të mos u vërë veshin të metave të tyre dhe t’u shmanget të gjitha gjërave që mund të cenojnë pasurinë, integritetin e tij, të familjes ose të prekë në nderë etj…

2) Të shërbehet lirisht në shtëpinë e të vëllait të vet edhe kur nuk e di ai, edhe kur nuk gjendet aty

Në ajetin Kur’anor thuhet: „Nuk është mëkat për të verbrin, as për të çalin, as për të sëmurin, as për ju vetë, të hani nga shtëpitë tuaja ose nga shtëpitë e etërve tuaj… ose (në shtëpinë) e miqve tuaj. Mund të hani bashkërisht ose veçmas…“ (En-Nur, 61)
Për pjesën e ajetit, „…as për ju vetë, të hani në shtëpitë tuaja…“ dijetarët islamë thonë: „ Me këtë All-llahu xhel-leshanuhu, jo vetëm që ua lejon të vëllazëruarve të shërbehen lirisht në shtëpitë e njëri-tjetrit (vetëkuptohet), por po kështu vërteton se të ngrënët në shtëpitë e të afërmve e shokëve është njëlloj si të ngrënët në shtëpi të vet, meqë, siç dihet, njeriu nuk ka nevojë të kërkojë leje për të ngrënë diçka në shtëpinë e tij (mikut, shokut etj.)“ (Lidhur me këtë shihni më gjërësisht librin e Ebu A’la El-Meududit për shpjegimin e sures „En-Nur“
Duke u bazuar në kuptimin e këtillë të ajetit të sipërpërmendur, shokut i lejohet të hajë në shtëpinë e shokut, vëllait ose të afërmit, njëlloj siç i lejohet të hajë në shtëpinë e vet.
Këtë pohim e vërteton fjala e imam Kurtubiut gjatë shpjegimit që i bëri këtij ajeti.

۞ Muhammed bin Thur transmeton nga Muammeri se ka thënë: „Hyra në shtëpinë e Katades, gjeta një frut dhe fillova ta ha. Kur më pa I zoti I shtëpisë më tha: Ç’është kjo? Unë i thashë: Gjeta një frut në shtëpinë tënde dhe fillova ta ha. Ai më tha: Mirë ke vepruar. Në Kur’an thuhet: „…ose në shtëpitë e shokëve tuaj…“

۞ Sipas një transmetimi tjetër thuhet se Muammeri i ka thënë Katades: A të pi nga kjo shtambë? Ai i është përgjigjur: Ti më ke shok, përse më kërkon leje?

۞ Muhammedi alejhisselam hynte në kopshtin e Ebi Talhas, që quhej Bejrahaë, dhe pinte ujë pa lejen e të zotit (Talhas).

3.Ndalohet që për shkaqe vetjake të largohesh (të hidhërohesh) nga i vëllai më tepër se tri ditë.


Transmetohet nga Ebi Ejub (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Nuk i lejohet myslimanit të largohet (të rrijë hidhëruar) nga i vëllai më tepër se tri net, që kështu kur të takohen, t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Më i miri prej tyre do të jetë ai që i pari që do t’i japë selam.“ (Për atë që është i mençur, ky afat mjafton që të përmirësohet, ngase sa më tepër që të zgjatë largimi (hidhërimi), aq më tepër ai hyn në gjynah) (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Mirëpo, kur largimi (hidhërimi) bëhet për shkaqe fetare, atëherë lejohet më tepër se tri ditë (siç kemi theksuar më sipër).
Ndërkaq, Ebu Derda ka mendimin se nuk duhet të braktiset vëllai nëse ai i ndryshon sjelljet nga ato të mëparshmet, sepse ai herë devijon e herë i kthehet së vërtetës. Në anën e Ebu Derdasë radhitet edhe Ibrahim En-Nehaiju, i cili thotë: „Mos ndërpre lidhjet me vëllanë tënd, as mos u largo (hidhëro) kur ai bën ndonjë ghynah, sepse ai sot mund ta bëjë, kurse nesër të largohet nga një gabim i tillë.“ Këtë qëndrim e ka edhe imam Gazaliu kur thotë: „Nëse ne i ndërpresim lidhjet me vëllanë tonë, atëherë ne kemi humbur mundësinë për ta kthyer në rrugë të drejtë, për arsye se ai neve na duhet atëherë kur gabon, që ne ta largojmë, ose atëherë kur pengohet ne ta ndihmojmë…“ Gazaliu përmend gjithashtu: „Ne kemi obligim t’i ndihmojmë vëllait kur ka mungesë pasurie, ndërsa mungesa e fesë është e pa zëvendësueshme në krahasim me atë të pasurisë, pra t’i ndihmohet vëllait në këtë aspekt, është çështje e dorës së parë.”
S’ka dyshim se mendimi të cilin e shpreh shoku i ndershëm i Pejgamberit alejhisselam, Ebu Derda, Ibrahim En-Nehaiju dhe imam Gazaliu, ka të bëjë me vëllanë që shpresohet të kthehet në rrugë të drejtë nëse nuk i ndërpresim lidhjet me të, si dhe me atë (vëlla) i cili do të largohet prej ndalesave, nëse ne e afrojmë dhe e këshillojmë… Mirëpo, nëse ai me këmbëngulje vazhdon gabimin dhe vepron edhe më tej në atë mënyrë, që do të thotë se këshilla dhe vërejtja nuk kanë bërë efekt, atëherë duhet të largohesh prej tij (duke qenë ai ende në këtë gjendje) se kështu e plotëson një nga kushtet më themelore të besimit.

4. Në çdo situatë e për çdo çështje midis vëllezërve të ketë bashkëveprim të ndërsjellë

Këtë detyrim të veçantë e thekson hadithi i Pejgamberit tonë më të dashur, në të cilin thuhet: „Shembulli i muslimanëve në dashamirësi, mëshirë dhe ndihmë të ndërsjellë, është sikurse trupi që ka të sëmurë ndonjë pjesë dhe atëherë gjithë trupi vuan nga pagjumësia dhe zjarrmia.“ (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Muhammedi alejhisselam në një hadith ka thënë: „Askush prej jush nuk është besimtar (i plotë) përderisa nuk ia dëshiron vëllait të vet atë që ia dëshiron vetvetes.“ (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Ky bashkëveprim i ndërsjellë kulmin e shprehjes së vet e arrin me moskursimin e pasurisë për t’i dalë në ndihmë si dhe për t’ia lehtëuar krizat në raste të ndryshme a në fatkeqësi…
Lidhur me moskursimin e pasurisë për raste të këtilla flet edhe ajeti Kur’anor, ku thuhet: „Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetëvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.“ (El-Hashr, 9)
Lidhur me plotësimin e nevojave flet hadithi i pejgamberit alejhisselam, ku thuhet: „…All-llahu do ta ndihmojë robin e vet, derisa ai do ta ndihmojë vëllanë e vet…“ (Transmeton Muslimi)
Ndërkaq sa i përket ndihmës në rast fatkeqësie, këtë e përfshin vazhdimi i hadithit të mësipërm të Muhammedit alejhisselam, ku thuhet: ,,Ai që ia largon ndonjë brengë të kësaj bote myslimanit, All-llahu ka për t’ia hequr atij ndonjë brengë nga ato të botës tjetër…“

DISA SHEMBUJ PËR ALTRUIZMIN, BASHKËVEPRIMIN E NDËRSJELLË DHE KRYERJEN E PUNËVE MIDIS MYSLIMANËVE

- Tregohet se kur Fet’hu El-Musilij shkoi te shoku (vëllai) i tij në banesë dhe nuk e takoi aty, urdhëroi familjen e tij (vëllait) që t’ia sillnin arkën me pasuri, të cilën e hapi dhe prej saj mori aq sa i nevojiteshin. Kur u kthye i zoti i shtëpisë dhe atë e njoftoi robëresha (xharija) për këtë ngjarje, ai tha: Nëse nuk ka hile në atë që e thua, prej meje e ke fituar lirinë për hir të All-llahut. Këtë veprim e bëri në shenjë gëzimi ndaj asaj që kishte bërë shoku (vëllai) i tij.
- Ali bin Husejn (Zoti qoftë i kënaqur me të) në një rast e pyeti dikë: A e fut dorën pa leje dikush prej jush në xhepin a në shportën e vëllait të vet për të marrë ndonjë gjë që dëshiron? Ai iu përgjigj: Jo. Aliu tha: Kjo do të thotë se ju nuk jeni vëllezër të mi.

- Dikush ka thënë se nëse i kërkon vëllait tënd diçka me vlerë dhe ai të pyet se për çfarë të hyn në punë, atëherë midis tyre s’ka vëllazëri.

- Mesruku kishte një borxh të madh të cilin e dinte vëllai (me fe) me emrin Hutheme, i cili po kështu i kishte hua dikujt që e dinte edhe Mesruku… Të dy këta e shlyen borxhin e shoqi-shoqit pa e ditur këtë gjë as njëri e as tjetri.

- Një vëlla, të cilit Ibn Shebreme i bëri një shërbim të madh, i solli një dhuratë. Kur Ibn Shebreme e pyeti se përse e ka sjellë këtë, ai iu përgjigj: Për atë se më bëre mirë… Ibn Shebreme i tha: Merre prapë, të faltë All-llahu! Nëse prej ndonjë vëllai kërkon të të mbarojë ndonjë punë dhe ai nuk angazhohet fare për këtë gjë, atëherë merr avdes për të falur namazin e xhenazes së tij dhe merre për të vdekur!

- Tregohet po kështu se një kalif ka urdhëruar të vriten tre njerëz të mirë, në mesin e të cilëve ishte edhe Ebul-Husejn En-Nuri. Kur Husejni doli i pari që t’ia presin kokën, kalifi u habit për këtë dhe e pyeti se çfarë e shtyri të vepronte kështu. Husejni (Zoti e mëshiroftë) tha: Desha që këto pak çaste jete t’ua kushtoj vëllëzërve të mi. Kjo sjellje e tij bëri që kalifi t’ua falte jetën që të treve.
Nga këta shembuj mund të kuptohet se vëllazëria për hir të All-llahut xhel-leshanuhu është një lidhje e dyanshme, është një flijim i pashembullt, një bashkëshoqërim i drejtë shpirtëror dhe një dashuri e çiltër…
Lidhur me këtë një vjershëtar ka thurur këto vargje të bukura:

„Vëlla i sinqertë është ai 
që gjithmonë është me tu,
që dëmton veten e tij,
vetëm për t’i sjellë vëllait dobi

Edhe kur rrezik ka,
Do të bëj gjithçka,
të takohet si e si
me vëllanë përsëri.“ 

5. Të mos u vërë veshin gabimeve, të mos ia përshpallë të metat dhe të përkujdeset për kryerjen e obligimeve të vëllait kur ai ndodhet diku larg

Transmeton Ebu Hurejrah (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „Ai që ia fal ndonjë lëshim robit në këtë botë, All-llahu ka për ta falur atë në botën tjetër.“ (Transmeton Muslimi) Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: „Ai që nuk përshpall ndonjë lëshim të myslimanit, All-llahu do ta falë në këtë dhe në botën tjetër”. (Trabsmeton Muslimi)

Transmetohet po ashtu nga Ebu Hurejrah (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi alejhisselam ka thënë: „A e dini se çfarë është përgojimi? Sahabët iu përgjigjën: All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Pejgamberi alejhisselam tha: T’i përmendësh vëllait diçka që e ka mëni. Ndonjëri nga të pranishmit i tha: Po nësë atë që zihet ngojë vëllai e ka vërtet? Pejgamberi alejhisselam i tha: Nëse ia përmend atë që e ka, ti e ke përgojuar, kurse nëse atë që ia thua nuk e ka, atëherë ti bën shpifje.“ (Transmeton Muslimi)
Prej këtyre haditheve të sipërpërmendura vetëkuptohet se vëllait nuk i lejohet t’ia përshpallë vëllait ndonjë fshehtësi, ose ta thërrasë me ndonjë ofiq që ai e uren. Po kështu nga kjo del se atij nuk i lejohet që vëllait t’ia zbulojë ndonjë të metë të tij, të përmendë ndonjë nga vetitë e këqija kur ai nuk është i pranishëm etj.
Nëse vëren ndonjë të metë te vëllai musliman, të mos e përhapë atë e të mos e përmendë në prani të njerëzve, por atë duhet ta heqë veçmas dhe fshehurazi ta këshillojë. Kjo gjë të bëhet për arsye se këshilla dhe përmendja e të metave në prani të njerëzve është një lloj poshtërimi dhe turpërimi për atë që këshillohet.
E mëshiroftë All-llahu atë që shprehet shumë bukur me këto fjalë:
„Më këshillo kur të jemi vetë,
jo kur ka njeqind vetë,
se për mua nuk do të jetë këshillim,
por më tepër se një poshtërim.”

S’ka dyshim se kur këshilla është e sinqertë dhe për hir të All-llahut xhel-leshanuhu ajo bëhet fshehurazi, prandaj pranimi i saj nga vëllai musliman mund të bëhet me siguri. E kjo sidomos kur lexon fjalën e All-llahut të Madhëruar: „Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njër- tjetrin të jenë të durueshëm.“ (El-Asr, 1-3)
Shenjë edukate e besimtarit është që ai të mos ngushtohet kur t’i jepet një këshillë, ngase Muhammedi alejhisselam në hadithin e sipërpërmendur thoshte: „Feja është këshillë…“
Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, thotë: „E mëshiroftë All-llahu njeriun që mua m’i dhuron të metat e mia.“
Nga këto shihet se besimtari e ka për obligim që këshillën ta pranojë me zemër të hapur dhe me shpirtgjërësi… E kjo, për shkak se vëllai i tij nuk ka për qëllim që me anë të këshillës ta poshtërojë atë, por përkundrazi prej tij të heqë një gjynah, ose t’ia bëjë me dije dëmin që i bën ai duke e penguar të jetë besnik ndaj vëllazërisë. Përveç kësaj, të gjithë duhet ta dinë se njeriu, sado që të arrijë shkallë të lartë devotshmërie (takvallëku), ai prapëseprapë s’mund të bëhet i pagabueshëm dhe t’u përmbahet rregullave me përpikëri, pra, ai herë largohet e herë përudhet…
Cilësi kryesore e besimtarit është që kur t’i hyjë shejtani, ai të dijë të kthehet e të përudhet; kur të bëjë gabim, sa më shpejtë të pendohet. Kështu, besimtari bëhet edhe më i devotshëm e më i sinqertë…
Vërtetë ka të drejtë i Dërguari i All-llahut kur thotë: „Çdo pasardhës i Ademit gabon, por nga të gabuarit, më të mirë janë ata që pendohen.”
Duhet pasur ndër mend gjithashtu se falja është veçori e të ndershmëve, kurse mëshira është veti e besimtarëve. Në Kur’an thuhet:
„...E kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet Ai nuk i do zullumqarët.“ (Esh-shura, 40)

„Muhammedi është i Dërguari i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete…“ (El-Fet’h, 29)

„O ju që besuat, kush largohet nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se All-llahu do ta sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin), që është modest i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve..” (El-Maide, 54)

Vëlla i besimit Islam!

A do të jesh bujar nëse nuk fal të keqen e vëllait tënd? A do të ishe i mëshirshëm nuse nuk i vë mendjen gabimit të vëllait tënd?
Si mund të jesh modest e i butë ndaj besimtarit, nëse nuk bën durim ndaj tij dhe nuk ia fal kur ai gabon?
Do të ishte mjaft bujare për njeriun që gabimet e tij të mund të numroheshin!
E bekoftë All-llahu atë që ka thënë:

Nëse çdo herë qorton vëllanë tënd
dije se nuk do të mund të gjesh
ndonjë që nuk do ta qortosh.
Jeto në vetmi ose në lidhje me të vëllanë,
sepse ai herë do të gabojë e herë jo.
Nëse nuk pi ngase druan nga bërlloku,
gjithmonë do të mbetesh i etshëm;
ku do ti gjesh gjithë burimet të pastra
dhe njerëz të përshtatshëm për çdo kë;
kush i ka të gjitha vetitë e përsosura?
Sa bujare është për njeriun,
t’i numërohen gabimet.“

Të mos u kushtosh rëndësi gabimeve të vëllait, të falësh gabimet e shokut, kjo nuk do të thotë se nuk e këshillon vëllanë veç të tjerëve dhe kjo nuk nënkupton se hiqet obligimi ta urdhërosh për të mirë e ta largosh nga e keqja kur ai gabon. Është kështu për arsye se s’është e dobishme vëllazëria për hir të All-llahut xhel-leshanuhu, nëse të vëllazëruarit s’këshillohen për hir të Tij, po kështu ata nuk kanë vlerë në peshojën e sheriatit, nëse nuk urdhërojnë njëri-tjetrin për të mirë dhe nuk e ndalojnë nga e keqja. Së këtejmi, këshillën për hir të All-llahut xhel-leshanuhu islami e quan një nga shtyllat themelore të sheriatit, ndërsa këshillën për të vërtetën, një nga kërkesat e domosdoshme të besimit (imanit) dhe, së fundi, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja i merr si parime të rëndësishme islame.
All-llahu xhel-leshanuhu ka mallkuar beniisrailët (bijtë izraelitë) femohues nëpërmjet Davudit, Isait (birit të Merjemes) për faktin se ata nuk janë këshilluar dhe për hir të All-llahut xhel-leshanuhu nuk e kanë frenuar njëri-tjetrin nga veprat e këqija.
Në Kur’an thuhet: „Ata që mohuan të vërtetën nga beni-israilët u mallkuan me gojën e Davudit dhe të Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan.“ (El-Maide, 78)
„Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që e punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar“ (El-Maide, 79)

Vëllezër të besimit!

Këto ishin detyrimet e vëllazërisë për hir të All-llahut xhel-leshanuhu dhe obligimet e muslimanit ndaj vëllezërve të tij islamë. Siç u pa, disa nga këto ishin detyrime të përgjithshme për çdo musliman që beson All-llahun xhel-leshanuhu, përqafon fenë islame, e di Kur’anin për udhërëfyes dhe e njeh Muhammedin alejhisselam si të dërguar-pejgamber, sidomos nëse ai është ndonjë fqinj i lagjes, shok i punës a i afërm për nga gjaku (prindërit, vëllezrit, motrat, xhaxhallarët etj. Duhet theksuar se detyrimet ndaj këtyre që u përmendën janë më të mëdha se ndaj të tjerëve).
Siç u vërejt, disa prej tyre ishin detyrime të veçanta që kanë të bëjnë me vëllanë të cilin e do për hir të All-llahut xhel-leshanuhu, me shokun që ke zgjedhur, me shokun e thirjes (da’ves) me të cilin punon për të lartësuar fjalën e All-llahut xhel-leshanuhu…
Të gjithë këta që i përmendëm, i kanë për obligim detyrimet vëllazërore që i kemi trajtuar hollësisht më parë…
S’ka dyshim se kur këto nocione përfshihen në shoqërinë islame, kur detyrimeve u përmbahen dhe ndiejnë përgjegjësi ndaj parimeve themelore të vëllazërisë për hir të All-llahut xhel-leshanuhu të gjithë të vëllazëruarit..., atëherë shoqëria e tillë bëhet e fortë, unike, me dashamirësi dhe ku mbizotëron dashuria e ndërsjellë. Vetëm atëherë atë s’e lëkund asgjë, nuk i dorëzohet asnjë armiku e nuk u nënshtrohet valëve të kohës.
Për fat të keq, ne jemi dëshmitarë se shumica e këtyre detyrimeve nuk përmbushen në jetën e përditshme të myslimanëve, ato nuk janë bërë pjesë e qenies dhe e shoqërisë së tyre. Përkundrazi, te besimtarët hasen veti të egoizmit, xhelozisë, zilisë (hasedit), mendjemadhësisë, arrogancës që janë të pranishme si te të mëdhenjtë ashtu edhe te të vegjëlit, si te pleqtë edhe te të rinjtë, si te burrat edhe te gratë etj. E gjithë kjo është rezultat i lajthitjes nga edukata islame te shumica e muslimanëve dhe i largimit të tyre nga parimet Kur’anore.
Por, shyqyr Zotit, në rruzullin e tokës kanë filluar të paraqiten, të lëvizin aty-këtu pishtarët e vërtetë të islamit, që vijnë nga bashkësitë e ndryshme islame kudo që janë ato… Është e vërtetë se ata kanë filluar t’i ndriçojnë shoqëritë e tyre aty ku paraqiten, kurse drita e tyre përhapet në çdo vend, po bëhen shembëlltyrë e bukur me moralin dhe sjelljet e tyre si dhe shembull i shkëlqyeshëm për dashurinë dhe vëllazërinë e tyre.
Vetëm duart e tyre të pastra e meritojnë fitoren e islamit nëse do Zoti. Për hir të vëllazërisë dhe lidhjeve të tyre të ndërsjella do të ndërtohet së shpejti shteti i muslimanëve. „Po të pyesin se kur do të ndodhë kjo, u thuaj se kjo eshtë afër!“


Marrur nga libri:
"Vëllazëria Islame"

E hënë, 04 Janar 2010 13:23